Një tjetër dosje e Wikileaks trondit botën politike dhe financiare, por jo vetëm. Shifrat mbërrijnë nga një rrjedhe shumë e madhe informacionesh, quajtur “Panama Papers”. Bëhet fjalë për informacione për një sasi shumë të madhe parash që mendohet se ndërrojnë drejtim prej studiove ligjore ndërkombëtare dhe bankave, drejt parajsave fiskale për llogari të kriminelëve, udhëheqësve politikë dhe funksionarëve të shërbimeve të fshehtë. E denoncojnë miliona dokumenta që kanë përfunduar në mediat ndërkombëtare. Mes përfituesve të këtyre skemave janë persona pranë presidentit rus, Putin, familjarë të udhëheqësit kinez, Xi Jinping, presidentit ukrainas, Poroshenko, mbretit saudit, kryeministrave të Islandës dhe Pakistanit.
Zbulimet përmbahen në miliona dokumenta që janë përftuar nga një studio ligjore jo shumë e njohur, Mossack Fonseca, por me seli në Miami, Hong Kong, Zyrih, dhe 35 vende të tjerë. Dokumentat e përcjellë për të përditshmen gjermane Suddeutsche Zeitung, dhe prej saj të ndarë me një grup gazetarësh investigues të mediave të ndryshme ndërkombëtare, mes të cilëve britaniket The Guardian dhe BBC. The Guardian përqëndrohet në hapjen e edicionit online vetëm tek Putini, që mendohet i përfshirë indirekt përmes figurës së Sergei Rolduginit: një muzikant, një prej miqve më të mirë të presidentit rus dhe kumbar i një prej bijave të tij, që mendohet të jetë destinacioni i dy miliardë dollarëve të nisur nga Bank Rossya, një institut krediti udhëhequr nga Yuri Kovalciuk, që SHBA e konsiderojnë një lloj bankieri të Kremlinit, të nisura drejt Qipros dhe parajsës fiskale të Ishujve Virxhin britanikë.
Dyshime që Kremlini i hedh poshtë si montazh, duke siguruar se Moska i ka mjetet për të mbrojtur në mënyrë ligjore reputacionin e Putinit. Të tjera media të përfshira në zbulimin e këtyre informacioneve zgjerojnë fushën e personaliteteve të dyshuar. Personalitete mes të cilëve figurojnë eksponentë të spektaklit dhe shou biznesit, në krah të kriminelëve dhe trafikantëve, por edhe udhëheqës të tjerë politikë apo persona pranë tyre. Haaretz, përvec se shkruan për biznesmenë dhe personazhe publikë izraelitë, përmend për shembull edhe kompani që sipas letrave të skandalit u referohen krerëve të qeverive të Islandës dhe Pakistanit.
Përmenden shuma të tërhequra nga familjarët e presidentit kinez, mbretit të Arabisë Saudite apo bijtë e tij, familja e presidentit ukrainas, Poroshenko. Ashtu sikurse përmenden edhe emra të futbollistëve të mëdhenj, si Leo Mesi.
Në letrat e skandalit financiar, edhe Leo Messi e Jackie Chan
Në dokumentat e ëikileaks mbi rrjetin e bankave dhe studiove ligjore që kanë fshehur miliarda dollarë në parajsat fiskale në favor të kriminelëve, udhëheqësve politikë dhe VIP-ave të ndryshëm, figurojnë edhe futbollisti Leo Messi dhe aktori kinez, Jackie Chan. Në listën e gjatë të Panama Papers, edhe mbreti i Marokut, Mohamed VI, dhe ai i Arabisë Saudite Salman, që u ndihmuan nga Mossack Fonsecka – studio ligjore që rezulton në origjinë të përhapjes së këtyre dokumentave – në blerjen e jahteve luksozë. Shfaqet edhe emri i babait të kryeministrit të sotëm britanik, David Cameron, i cili ka ndërruar jetë në 2010. Përmenden edhe drejtues sportivë amerikano jugorë të përfshirë tashmë në skandalin e FIFA-s. Emri i Messit shoqërohet me një shoqëri me qendër në Panama, me emrin Mega Star Enterprises Inc dhe e krijuar në vitin 2012nga Mossack Fonsecka./bota.al
/Ansa – Në shqip nga bota.al