Bota

Trump i dhuroi Putinit një fitore në takimin e parë të NATO-s

Nga Robbie Gramer

Udhëheqësit evropianë shpresuan se Presidenti Donald Trump do të mbështeste në mënyrë eksplicite klauzolën e mbrojtjes kolektive të NATO-s gjatë vizitës së tij në Bruksel të enjten, pasi ai kaloi fushatën presidenciale duke sugjeruar se aleanca ishte e zbrazët. Ai nuk e bëri.

Në një fjalim në hapjen e selisë së re të NATO-s, Trump u përplas me aleatët e SHBA-së për mos shpenzimin e mjaftueshëm në mbrojtje përpara një auditori në siklet të krerëve të shteteve mike dhe disa udhëheqësë të tjerë që kishin nënvizuar tendosjen e marrëdhënieve midis Europës dhe SHBA-ve që kur Trump mori detyrën.

Ai akuzoi aleatët për “pagesa kronike nën pragun e duhur” mbi shpenzimet e mbrojtjes në komentet e tij që lanë aleatët, zyrtarët e mëparshëm dhe ekspertët e vjetër të NATO-s të habitur.

“Kjo nuk është e drejtë ndaj njerëzve dhe taksapaguesve të Shteteve të Bashkuara,” tha Trump në një fjalim. “Dhe shumë nga këto vende detyrohen shuma masive të parave nga vitet e kaluara kur nuk kanë paguar mjaftueshëm”, tha ai përsëri. (Natyrisht, edhe pse Trump-it i është shpjeguar shumë herë, që vendet nuk paguajnë ndonjë detyrim ndaj NATO-s, ashtu siç bëjnë me organizatat si OKB, kështu që është e paqartë se për çfarë ai po fliste).

Aktualisht, vetëm pesë nga 28 anëtarët e NATO-s – Shtetet e Bashkuara, Mbretëria e Bashkuar, Polonia, Estonia dhe Greqia – përmbushin standartin e aleancës për të shpenzuar 2 për qind të PBB-së në mbrojtje. Ka qenë një gjemb në anën e marrëdhënieve SHBA-NATO me dekada, por Trump solli një urgjencë të re në debat pas marrjes në pyetje të vlerës së aleancës dhe haptazi lavdëroi armikun gjeopolitik të NATO-s, Rusinë, gjatë fushatës së tij presidenciale.

Trump tha se ishte “shumë i drejtpërdrejtë” me Sekretarin e Përgjithshëm të NATO-s, Jens Stoltenberg dhe liderë të tjerë, rreth rritjes së shpenzimeve të mbrojtjes.

“Duhet ta pranojmë se me këto nënpagesa kronike dhe me kërcënime në rritje, madje 2 për qind e PBB-së është e pamjaftueshme për të mbyllur boshllëqet në modernizimin, gatishmërinë dhe madhësinë e forcave”, tha ai.

Në një tjetër sinjal vendimtar, Trump refuzoi të riafirmojë në mënyrë eksplicite vlerën e nenit të mbrojtjes kolektive të nenit 5 të NATO-s, themelin e unitetit të NATO-s që nga themelimi i aleancës në vitin 1949. Kjo nënkupton se të gjithë anëtarët e NATO-s do të vijnë në ndihmën e çdo anëtari që është sulmuar. Trump i bëri këto komente përpara një monumenti përkujtimor për sulmet e 11 shtatorit 2001, kur për herë të parë në histori NATO u thirr nën nenin 5 për të ndihmuar në mbrojtjen e vëndlindjes së Trump.

Refuzimi i tij për të mbështetur në mënyrë eksplicite këtë parim mund të shqetësojë aleatët e SHBA-ve të cilët tashmë ishin nervozë që Uashingtoni nuk do të vijë në mbrojtjen e tyre në rast të një sulmi.

Dhe ndërsa Trump iu drejtua kërcënimit të terrorizmit, ai nuk harroi kërcënimin rus për të zhdukur frikën e aleatëve, në një tjetër ritëm. Në veçanti, vendet baltike janë të brengosur për masazhin e forcave ushtarake ruse që mund t’i trondisin ata dhe shpresonin për angazhimin tipik të SHBA-ve, por u zhgënjyen. “Sigurisht që nuk arriti aspak nga ato që evropianët shpresonin të dëgjonin”, tha Derek Chollet, ish-zyrtar i lartë i Pentagonit tani pjesë e Fondit Gjerman Marshall të Shteteve të Bashkuara. “Këto janë aleatë që janë jashtëzakonisht të brengosur për të ardhmen e tyre. Ata e shohin kërcënimin e Rusisë si çështje ekzistenciale. Ata jetojnë me të çdo ditë”, tha ai për Politikën e Jashtme.

Ekspertët dhe ish-zyrtarët e SHBA-ve të tronditur nga komentet, e përplasën me Trump.

“Sjellja e Trump në këtë takim të NATO-s në Bruksel është një fitore përfundimtare për Putin”, tha Jorge Benitez, një ekspert i NATO-s në Këshillin Atlantik, i cili ishte në bisedimet e NATO-s. “Kjo vetëm se rrit shumë dyshime dhe frika dhe shqetësime që kanë pasur aleatët tanë,” i tha ai FP.

“Çdo President i SHBA-ve që nga koha e Truman ka premtuar mbështetje për nenin 5, se SHBA-të do të mbrojnë Europën. Ky nuk ishte rasti tipik i Trump me #NATO. Gabim i madh”, shkroi ish-ambasadori i SHBA në NATO, Nicholas Burns në Twitter.

Të tjerë mendonin se nëse Trump vazhdonte të leksiononte aleatët për shpenzimet e mbrojtjes, kjo do të sillte dështim. “Mund të ketë një efekt kundërshtues ku vendet t’i thonë Trumpit,  shkoni në diall, unë nuk do të shkoj në shtëpi dhe të paraqitem te njerëzit e mi sikur jam i varur tek ju”, tha Jim Townsend, i cili ishte i dërguari i lartë i Pentagonit në NATO deri në janar. “Kjo gjë është mendjelehtë. Kjo nuk është një taktikë e denjë për presidentin amerikan”, tha ai.

Sekretari i Shtypit i Shtëpisë së Bardhë, Sean Spicer, i hodhi poshtë kritikat, duke i quajtur “gati qesharake”.

“Shtetet e Bashkuara janë në NATO, kështu që padyshim që ne mbështesim të gjitha artikujt në NATO”, tha ai për gazetarët në Shtëpinë e Bardhë.

Por, gjërat nuk shkuan aq mirë, me agresivitet pasiv në shkallë të gjërë. Presidenti francez Emmanuel Macron doli nga rruga e tij për të lënë Trump në pritje për një shtrëngim duarsh ndërsa ai përshëndeti falangën e udhëheqësve anëtarë të NATO-s.

Në një moment tjetër të vlefshëm, Trump e shtyu udhëheqësin malazez Dushko Markoviç nga rruga e tij, për t’u ngjitur në pjesën e përparme të grupit për të dalë në një foto grupi.

(Shënim: Mali i Zi vuri gjithë zemrën dhe shpirtin e saj në fitimin e anëtarësimit në NATO, kundër pakënaqësive të Kremlinit dhe pritet të fitojë anëtarësimin zyrtar muajin e ardhshëm).

Pas fjalimit dhe disa përpjekjeve të tensionuara me kolegët e tij, Trump dhe udhëheqësit e tjerë të NATO-s u mblodhën për një foto në skenë, ndërsa udhëheqësit u përzien dhe biseduan me njëri-tjetrin. Asnjë udhëheqës i NATO-s nuk u pa t’i afrohej Trump-it për të folur me të gjatë daljes së tij./Përkthyer nga Lexo.al – Foreign Policy/

Leave a Reply

Back to top button