Nga Steven A. Cook
“Council Of Foreign Affairs”
Në artikullin e tij të famshëm dhe të shumë-kritikuar në vitin 1993 në ‘Foreign Affairs’ “Përplasja
e qytetërimeve” , i ndjeri Samuel Hantington e përshkroi Turqinë si një “vend të përçarë”. Për Hantingtonin, aty ekziston një dallim i papajtueshëm mes institucioneve politike të stilit perëndimor
të Republikës së Turqisë, dhe themeleve kulturore dhe civilizuese islame të shoqërisë turke.
Ishte një pohim i diskutueshëm në një artikull të diskutueshëm, ndonëse kryeministri aktual i Turqisë (dhe njëherazi shkencëtar politik), Ahmet Davutoglu, artikuloi një pretendim të ngjashëm në vitin 1984 në temën e tij të doktoraturës. Unë nuk pajtohem me të dy profesorët. Turqia s’mund të jetë e “shqyer” në mënyrën që besojnë Hantingtoni dhe Davutoglu, por gjendja aktuale atje po e ndan vendin, përmes një luftë me vetveten.
Sulmi i tmerrshëm terrorist i së shtunës së shkuar në Ankara, përbën një tjetër dëshmi të një ndryshimi në dukje të papajtueshëm, që gjallon midis nacionalizmit turk dhe atij kurd. Qëkur Mustafa Qemal Ataturku e themeloi Republikën e re pas humbjes së Perandorisë Osmane në Luftën e Parë Botërore, mbi një bazë specifike etno-nacionaliste, çka e bëri “turqizmën” një atribut të veçantë të identitetit, shprehja e identitetit kurd është shtypur, shpesh në mënyrë të dhunshme.
Në kundërpërgjigje, alenimi kurd shpesh është shprehur nëpërmjet forcës. Shembulli më i fundit është lufta 3 dekadëshe ndërmjet terroristëve të Partisë së Punëtorëve të Kurdistanit (PKK) dhe shtetit turk. Sigurisht ka shumë kurdë të cilët janë integruar mirë në jetën politike, sociale dhe ekonomike të Turqisë. Por kjo ka shumë pak të bëjë me ndonjë fleksibilitet apo akomodim nga ana e shtetit apo grupit social dominues që janë turqit, sesa me gatishmërinë e dukshme nga ana e kurdëve, për të akomoduar veten me kulturën turke dhe të negociuar në kuadër të saj të drejtat e tyre.
Që konflikti midis nacionalizmave është drama qëndrore e politikës turke, nuk do të thotë se askush s’mund të imagjinojë një zgjidhje të tij. Problemi ka qenë gjithnjë politika dhe mënyra që politikanët – të majtë, djathtë, të qendrës, islamikë, laikë dhe kurdë- e kanë përdorur konfliktin për të avancuar axhendat e tyre vetjake. Për pasojë “çështja kurde”, është bërë një tipar i përhershëm i politikës në Turqi.
Dhe ende ky konflikt është vetëm konteksti toksik i një serie betejash të tjera- disa me rrënjë të thella, ca të tjera të reja – që i ndih momentit të tanishëm, në të cilin trupa të vdekurish po grumbullohen rrugëve të Turqisë në një shkallë të paparë (edhe sipas standardeve të përgjakshme të fundit të viteve ‘70, kur dhuna mes forcave politike të majta e të djathta e rrënoi vendin, duke shkaktuar rreth 4.500 të vrarë). Sot, konfliktet që po e trondisin shoqërinë turke përfshijnë:
Partinë për Drejtësi dhe Zhvillim (AKP) kundër Partisë Popullore Republikane (CHP);
AKP kundër Partisë së Lëvizjes Kombëtare (MHP);
AKP kundër Partisë Demokratike Popullore (HDP);
AKP kundër Gylenistëve;
HDP kundër PKK;
Të gjithë kundër PKK;
MHP kundër HDP;
Gjithkush kundër Shtetit të vetë-shpallur Islamik (edhe pse ka pyetje të vazhdueshme mbi qëndrimin e qeverisë ndaj këtij grupi dhe ekstremistëve të tjerë);
Myslimanët Alevitë kundër myslimanëve ortodoksë sunitë.
Përtej tragjedisë së fundit të sulmit me bomba në Ankara, ky është një ambient plot me mundësi të vështira për t’i rezistuar, përmes së cilave politikanët mund të thellojnë paqëndrueshmërinë e Turqisë. Kjo është veçanërisht e vërtetë për qasjen ndaj zgjedhjet të reja parlamentare të 1 nëntorit. Kundërshtarët e presidentit Rexhep Taip Erdogan do të akuzojnë AKP-në si shkaktaren e sulmit të
së shtunës, si dhe atentatet e mëhershme në Suruç dhe Diarbakir. Kjo duket e pamundur, edhe pse “shkaku” mund të jetë në terma afatgjatë.
Strategjia politike e Erdoganit në prag të zgjedhjeve në qershorit të këtij viti, por që në fakt na kthen pas në zgjedhjet lokale të marsit të vitit 2014, është një dëshmi sesi kombinimi i ambicies së pakufizuar, konfliktet politike të përshkruara më lart dhe identiteti, mund ta radikalizojnë një shoqëri. Pa marrë parasysh se kush është drejtpërdrejti përgjegjës për sulmin e së shtunës Shteti Islamik, PKK apo grupe të tjera kurde, të cilët kanë qenë në shumicë dërrmuese viktima të këtyre lloj sulmeve, janë portretizuar si kolektivisht subversive.
Janë terroristët apo simpatizantët të tyre, që kërkojnë të minojnë unitetin e Turqisë. Asnjë nga këto nuk është e re, por tanimë është një urgjencë të re veçanërisht që prej zgjedhjeve të qershorit, kur partia legale me bazë kurde HDP, fitoi 13 përqind të votave. Ky votim i mohoi AKP-së një shumicë parlamentare, dhe rrugën që Erdogani të ndryshonte kushtetutën për t’i dhënë më tepër kompetenca ekzekutive vetes, në cilësinë e presidentit të vendit.
Basti nacionalist i Erdoganit dhe retorika sanguine që po përdor, kërkon të lidhë HDP me terroristët e PKK, në mënyrë që ta shtyjë nën pragun parlamentar 10 përqind, i ka shndërruar të gjithë kurdët në objektiva. PKK ka një rol për të luajtur në krijimin e një mjedisi të dhunshëm. Vrasja e dy oficerëve të policisë, ndërsa ata ishin në gjumë në Sanliurfa më 22 korrik, u raportua se ishte vepër e degës rinore të PKK-së, mbi të cilën udhëheqja e organizatës ka pak kontroll.
PKK u angazhua për luftë teksa procesi i paqes, i filluar në vitin 2013 në mes grupit dhe qeverisë turke, përjetoi pengesa të vazhdueshme. Ndërkohë, udhëheqja e organizatës nuk dukej e gatshme të pranonte rritjen e HDP me liderin e saj karizmatik, që është i angazhuar për të luajtur sipas rregullave ekzistuese të lojës politike turke, dhe që deri më tani ka qenë i suksesshëm.
Duket se AKP-ja, partia e linjës së ashpër nacionaliste MHP dhe PKK-ja, kanë një interes të vazhdueshëm politik në reduktimin e peshës elektorale të HDP-së. Nuk ka nevojë të thuhet, se cikli i dhunës mes turqve dhe kurdëve, po i shërben aktualisht këtij qëllimi. Realiteti fatkeq është se shoqëria turke përbëhet tanimë nga kampe reciprokisht mosbesuese ndaj njëri-tjetrit.
Kritikat politike ndërmjet AKP-së dhe HDP-së, si dhe thirrja e pasinqertë e CHP-së për dorëheqjen e ministrave të drejtësisë dhe të brendshëm apo edhe llogaridhënia, janë pak më shumë sesa një pompozitet paralektoral, që vetëm sa e përforcon polarizimin politik, që po kontribuon në këtë rrugë pa krye e të përgjakshme të Turqisë.
Llogaridhënia do të jetë e mirëpritur, dhe ka gjasa të nxisë Turqinë drejt unitetit kombëtar, por ende nuk ekzistojnë kushtet e nevojshme për këtë lloj udhëheqje. Të gjitha stimujt politike për politikanët turq i drejtojnë në kahun e kundërt, duke i inkurajuar të përdorin vdekjen e më shumë se 100 njerëzve, për të delegjitimuar kundërshtarët e tyre dhe fituar sa më shumë vota.
Kjo nuk i bën politikanët turq më frikacakë sesa ata të vendeve të tjera, por në kontekstin e përballjes së Turqisë me nacionalizmin kurd, dhe një morie e saj betejash të ndërlidhura politike, rezultati jo optimal që rrjedh nga kjo është më shumë gjak.
Isha shkurtimisht në Stamboll javën e kaluar;rreth 36 orë. E kalova një pjesë të kohës duke biseduar me miqtë e mi turq për zgjedhjet, luftën në Siri, si dhe konfliktin me PKK. Ndjenja e thellë e nervozizmit dhe pasigurisë ishte mjaft domethënëse. Askush nuk e dinte se nga do drejtohet Turqia pas
1 nëntorit, por ishte ndërkohë e qartë se parimet dhe idealet e politikës demokratike dhe rëndësia e institucioneve politike të frymëzuara nga perëndimi, ishin ngulur thellë në mendjet e tyre. Po aq edhe për Hantingtonin.
E shpenzova pjesën tjetër të qëndrimit tim, duke u endur përreth Kadikojit në anën aziatike të Bosforit, duke ngrënë dhe shkrepur fotot e jetesës së përditshme, përfshirë edhe aktivistët elektoralë të AKP, CHP, dhe HDP-së. Ishte diçka zbavitëse të bëja turistin për një ditë dhe çdo gjë dukej aq normale, edhe pse në vend ka një luftë në vazhdim e sipër. Pas të shtunës, ajo mbetet më shqetësuese. Normaliteti i një vendi në luftë me vetveten.
“Council Of Foreign Affairs” – Bota.al