Horizonti.alMAIN

Uji: Rreziku që vjen nga DITA ZERO!

ÇFARË ËSHTË DITA ZERO?

Dita Zero është numërimi mbrapsht kur një qytet ose vend mbetet pa ujë.

Termi u pagëzua fillimisht në Afrikën e Jugut, në Cape Town, ku pati një krizë uji në vitin 2018. Qyteti, i cili kishte katër milionë banorë, rrezikohej të mbetej pa ujë – dhe kjo çoi në një sërë fushatash dhe kufizimesh mbi përdorimin e ujit. Në janar 2018, për shembull, Cape Town shpalli kufizime të ujit prej 87 litra (l) për person në ditë, dhe më vonë e uli në 50 litra në ditë. Dita Zero u vlerësua të ndodhte në prill ose maj – kishte llogaritje të ndërlikuara rreth datës së saktë, sepse qyteti varet nga uji nga gjashtë diga.

Por për fat ra shi dhe Dita Zero nuk ndodhi. Është mjaft e habitshme që një qytet me katër milionë banorë u la në mëshirën e shirave.

SI NDODH DITA ZERO?

Chennai, qyteti i gjashtë më i madh në Indi, ka nga gjashtë deri në dhjetë milionë banorë dhe arriti Ditën Zero në vitin 2019. Ndërsa iu afruan Ditës Zero, kishte kufizime në furnizimin me ujë në shtëpi, gjë që do të thoshte se njerëzit duhej të merrnin kova dhe të rrinin në radhë gati për grumbullimin e ujit. Ata duhej të blinin ujë nga shitës privatë me kosto shumë të larta. Dita Zero pati një ndikim të madh në bizneset dhe spitalet lokale. Edhe një herë, qyteti u shpëtua nga shiu, por ishte një situatë shumë e rëndë që prekte shëndetin dhe mirëqenien mendore, ekonominë e qytetit, por edhe strukturën sociale të Chennait.

ÇFARË DUHET QË KJO TË NDODHË?

Si qenie njerëzore, ne kemi mbishfrytëzuar burimet mjedisore në planetin tonë. Në vendet ku varemi prej ujërave nëntokësore, ne vazhdojmë t’i pompojmë dhe nxjerrim jashtë, dhe kjo ndodh gjatë një periudhe prej disa vitesh. Chennai, për shembull, kishte rreth një mijë liqene të vogla, ligatina dhe trupa ujorë që siguronin ujë, por në rreth 30 vitet e fundit, me urbanizimin, ky numër është zvogëluar në 200. Ky është një proces që ka kaluar disa dekada në zhvillim, por ne po shohim një rritje për shkak të ndryshimeve klimatike pasi kemi verëra më të thata – e kjo nuk po na ndihmon të krijojmë rezerva uji. / bota.al

Back to top button