Në ditën pasi Donald Trumpi bëri shpalljen e madhe për shitjen e armëve europianëve me destinacion Kievin dhe ultimatumin ndaj Putinit, nuk mungojnë dyshimet dhe pasiguritë, veçanërisht përsa i përket të ardhmes afat gjatë.
Evropa është e kënaqur me këtë kthesë në çështjen e armëve, megjithëse nuk beson në efektivitetin e kërcënimit me “taksa dhe sanksione” brenda 50 ditësh.
Gjithashtu, edhe sekretari i NATO-s, Mark Rutte, duke folur në Zyrën Ovale pranë Trump-it, e ka quajtur “të vetëkuptueshëm” faktin që presidenti amerikan kërkon që për armët të paguajnë vetë europianët.
Përfaqësuesja e Lartë për Politikën e Jashtme të BE-së, Kaja Kallas, komentoi dje: “E mirëpresim me kënaqësi njoftimin e presidentit Donald Trump në lidhje me dërgimin e më shumë armëve për Ukrainën, edhe pse do të donim që SHBA të ndante barrën me ne.”
Armët
Një tjetër temë është cilat armë do të dërgohen.
Prej ditësh qarkullojnë zëra për mundësinë që të dërgohen edhe raketa me rreze të gjatë veprimi, por as Trump dhe as Rutte nuk dhanë detaje të qarta të hënën mbi përmbajtjen e “pakos”, përveç sistemit mbrojtës Patriot.
Burime anonime të cituara nga gazetat amerikane pohojnë se Trump ka dërguar edhe armë ofensive, konkretisht raketat Atacms (Army Tactical Missile System), me autorizimin për të goditur objektiva brenda territorit rus deri në 300 km largësi (pa arritur qytete si Moska apo Shën Petersburgu, por që mund të godasin baza dhe depo armësh në thellësi).
Gjithashtu, Ukraina ka kërkuar – por nuk ka marrë ende – raketat Joint Air-to-Surface Standoff Missiles (JASSM), të cilat kanë rreze më të madhe se Atacms dhe mund të lëshohen nga avionët F-16 (tashmë të dhuruar nga vendet evropiane për Kievin).
Dje, presidenti amerikan deklaroi se për momentin nuk ka ndërmend të dërgojë raketa me rreze të gjatë, por pa e përjashtuar këtë në të ardhmen.
Megjithatë, ai vetë kishte ngjallur shpresa te Zelensky, duke e pyetur më 4 korrik nëse Ukraina ishte në gjendje të godiste Moskën dhe Shën Petersburgun. Tani, Shtëpia e Bardhë thotë se ishte thjesht një pyetje.
I dërguari i Trump në NATO, Matt Whitaker, thotë se prioritet janë sistemet mbrojtëse – raketat Patriot, që mund të pengojnë raketat balistike ruse – dhe që pritet të mbërrijnë këto ditë nga rezervat evropiane, ndërkohë që europianët presin t’u dërgohen të reja nga SHBA.
Vetë ukrainasit i konsiderojnë Patriotët një çështje urgjente: kanë tetë të tilla, prej të cilave shumë nuk funksionojnë dhe shumë zona nuk janë të mbrojtura nga sulmet ajrore ruse.
Por të gjithë ekspertët theksojnë se, përveç raketave Patriot, janë të domosdoshme armë sulmuese që t’u mundësojnë ukrainasve të marrin iniciativën në fushën e betejës.
“Më shumë armë ofensive për të goditur objektiva përtej vijës së frontit,” – thuhej në një editorial të Washington Post – “është treguar shumë ndrojtje, nga frika e përshkallëzimit të konfliktit me një fuqi bërthamore.”
Sanksionet
Pikërisht pasi kërcënoi me sanksione sekondare ndaj vendeve që blejnë gaz dhe naftë ruse, Trump i kërkoi senatorëve republikanë të pezullojnë përkohësisht një projektligj që parashikon sanksione sekondare me 500%.
Kjo nismë kishte mbështetjen e 85 senatorëve republikanë, por lideri i republikanëve në Senat, John Thune, deklaroi se “për momentin, presidenti dëshiron ta menaxhojë vetë këtë çështje.”
A është vërtet Trump i gatshëm të ecë përpara me sanksione sekondare që do të goditnin Kinën dhe Indinë, rivalët dhe partnerët kryesorë të SHBA-së?
Edhe vetë SHBA do të ndëshkohej, për shkak të rritjes së çmimit të naftës. Shumë nuk besojnë se Trump do të ishte i gatshëm të sakrifikonte këto marrëdhënie për Ukrainën.
Ndërkohë, me të dy vendet (Kinën dhe Indinë) po zhvillohen negociata për tarifat.
Sipas politologut Ian Bremmer, Trump po e kupton se ndodhet në një pozicion më të dobët sesa mendonte, si politikisht (në aspektin e durimit) ashtu edhe ekonomikisht (për shkak të varësisë nga Kina për mineralet e rralla).
Për të fituar një luftë tregtare me Kinën, administrata e tij ka sugjeruar heqjen e kufizimeve për eksportin e mikroçipave, në një përpjekje për të zbutur tensionet në afat të shkurtër.
A do të mundnin New Delhi dhe Pekini të reduktonin varësinë nga Rusia brenda këtyre 50 ditëve? E pamundur, duke pasur parasysh kompleksitetin e një operacioni të tillë. Por Kina mund të ushtrojë presion mbi Moskën për të mos e shtyrë luftën drejt përshkallëzimit.
Nuk është e thënë që kinezët ta duan këtë: rrezikojnë që vëmendja amerikane të zhvendoset nga Rusia në Indo-Paqësor. / bota.al