Nga Marco Vicenzino
“National Interest”
Ndërsa bota po i afrohet çerekut të parë të shekullit XXI, skena globale mbetet më epaqëndrueshme dhe e pasigurt se sa në çdo moment të historisë së kohëve të fundit. Prandaj ky vit premton të jetë një ndër më sfiduesit ndër dekada, pasi do vazhdojnë trazirat në tregjet globale.
Edhe pse inflacioni mund të vihet nën kontroll, ai do të mbetet jashtëzakonisht i lartë dhe i shoqëruar nga recesioni i pashmangshëm global. Pyetjet kryesore janë se sa i gjatë dhe i rëndë do të jetë ai. Do të ketë reagime të ndryshme rajonale, të cilat zakonisht do të sillen rreth pasojave të pandemisë së Covid-19 dhe Luftës në Ukrainë.
Britania e Madhe është tashmë në recesion. Për Shtetet e Bashkuara, recesioni ka të ngjarë të jetë më i shkurtër dhe më pak i rëndë se për Evropën, afërsia gjeografike e së cilës dhe varësia tradicionale energjetike, janë direkt të ekspozuara ndaj konfliktit në Ukrainë.
Sapo Kina të mësojë të bashkëjetojë me Covid-19 këtë vit, ekonomia e saj do të nisë të rimëkëmbet. Megjithatë, ka ende pikëpyetje se kur dhe si do ta menaxhojë virusin. Për më tepër, një kërkesë e ripërtërirë e Kinës pas pandemisë, mund të sjellë një inflacion më të lartë për ekonomitë perëndimore.
Rritja e borxhit në tregjet në zhvillim, po bëhet e paqëndrueshme. Nëse nuk fillon një përpjekje e bashkërenduar dhe efektive ristrukturuese, këtë vit mund të ketë një seri mospagimesh të borxhit sovran, sidomos në Afrikë. Pak para fundit të vitit 2022, Gana arriti një marrëveshje shpëtimi në minutën e fundit me Fondin Monetar Ndërkombëtar.
Të tjera marrëveshje ka të ngjarë të shihen këtë vit. Për më tepër, investitorët duhet të përgatiten mbi mundësinë e rënies së mëtejshme të vlerës së aseteve të tyre. Në rrafshin gjeopolitik, realiteti është se më e keqja pritet ende të ndodhë në Ukrainë në javët dhe muajt e ardhshëm.
Rusia po përgatitet për një ofensivë të madhe në gjysmën e parë të këtij viti, pasi ka rekrutuar mbi 200.000 trupa të reja muajt e fundit të vitit të shkuar. Edhe për një të ardhme të parashikueshme në horizont nuk shihet një armëpushim, sepse tani për tani s’ka besim, vullnet apo nxitje për negociata serioze.
Për udhëheqësin rus Vladimir Putin, konflikti është një krizë ekzistenciale, dhe ai është i përkushtuar t’i sigurojë forcave të tij gjithçka që u nevojitet për të arritur fitoren në Ukrainë. Për më tepër, Vladimir Putin po e ndjen se koha është në anën e tij, dhe mund ta zvarritë pafundësisht luftën.
Ai synon që të dobësojë me kalimin e kohës solidaritetin politik perëndimor dhe durimin publik përmes lodhjes me konfliktin në Ukrainë. Megjithatë, morali i trupave ruse dhe qasja në burime po paraqesin sfida serioze për Putinin në ndjekjen e një fitoreje, e cila nuk është përcaktuar ende qartë.
Në vizitën e tij të fundit në Uashington, presidenti ukrainas. Volodymyr Zelenskyy siguroi shumicën e atyre që kërkoi për vitin 2023, përfshirë sistemin e sofistikuar të mbrojtjes raketore “Patriot”. Si financuesja kryesore ushtarake e Ukrainës, Shtetet e Bashkuara kanë premtuar rreth 100 miliardë dollarë brenda vitit të parë të konfliktit.
Megjithatë, drejtuesit e Kongresit të ri të kontrolluar nga republikanët, e kanë bërë të qartë se nuk do të ketë pa fund “çeqe të bardha” për Ukrainën. Ndonëse ndihma e SHBA-së për Ukrainën nuk do të ndalet as këtë vit, ajo ka të ngjarë të ngadalësohet, dhe të jetë subjekt i një shqyrtimi më të madh përpara disbursimit.
Këtë vit , tensionet SHBA-Kinë do të mbeten shumë të larta në disa fronte, sidomos mbi Tajvanin dhe Detin e Kinës Jugore, përfshirë edhe pretendimet mbi zonat detaret dhe disa mosmarrëveshje territoriale. Edhe pse të dyja palët dëshirojnë të shmangin përplasjen e drejtpërdrejtë, një lojë e vazhdueshme mund të shkaktojë një kastrofë me pasoja të padëshiruara.
Një gati-përplasje e kohëve të fundit midis avionëve amerikanë dhe kinezë – u ndanë nga vetëm 3 metra – në Detin e Kinës Jugore, mund të kishte sjellë një konflikt të armatosur dhe të kishte ndryshuar rrjedhën e historisë. Ai incident dhe incidentet e ngjashme në të kaluarën, nënvizojnë nevojën e domosdoshme për vendosjen e një linjë komunikimi më efektive midis SHBA-së dhe Kinës, të ngjashme me atë që kishin SHBA-ja dhe Bashkimi Sovjetik gjatë Luftës së Ftohtë.
Kërcënimi i vazhdueshëm i një pushtimi kinez të Tajvanit, ka shumë pak gjasa të materializohet këtë vit. Aktualisht, Kinës i mungon aftësia për një pushtim efektiv. Për më tepër pasojat ekonomike për Kinën dhe botën do të ishin katastrofike. Pushtimi i dështuar i Rusisë në Ukrainë ofron disa leksione shumë të vlefshme.
Tek e fundit, Perëndimi mund të mos jetë aq i përçarë apo në rënie të shpejtë sa dyshonin më parë udhëheqësit kinezë. Udhëheqësi i Kinës, Xi Jinping, ka të ngjarë të izolojë por jo ta pushtojë Tajvanin nëse do të ndihet gjithnjë e më i sfiduar nga Shtetet e Bashkuara, apo nëse një zhvendosje politike drejt pavarësisë së Tajvanit do të merrte një trajektore të pakthyeshme.
Vizitat e fundit në Tajvan nga udhëheqësit politikë të SHBA-së, si vizita në gusht 2022 nga ish-kryetarja e Kongresit, Nancy Pelosi, mund t’i japin Kinës pretekstin për të vendosur një bllokadë dhe për të zhvendosur më tej linjat e presionit kundër Tajvanit në avantazhin e saj.
Zgjedhjet presidenciale të Tajvanit në vitin 2024, mund të paraqesin një krizë të mundshme nëse përshkallëzohen thirrjet për pavarësi. Udhëheqësit amerikanë dhe ata kinezë duhet të angazhohen më rregullisht në një dialog dhe t’i menaxhojnë në mënyrë më efektive marrëdhëniet dypalëshe.
Dështimi për ta bërë këtë, do të ketë pasoja të tmerrshme në nivel global. 2022-shi shënoi vitin kur Covid1-9 u vu gjerësisht nën kontroll. Këtë vit, Kina rrezikon ta zhbëjë atë arritje për shkak të mungesës së transparencës në përhapjen e saj të shpejtë të Covid-it në vend, si rezultat i dhënies papritur fund të politikës së saj katastrofike “Zero-Covid”.
Kërcënimi i një varianti në zhvillim që është rezistent ndaj vaksinave mbetet shumë real. Në një përpjekje për të shpëtuar fytyrën dhe ruajtur pushtetin, udhëheqja e Partisë Komuniste po shfaq të njëjtën sjellje të papërgjegjshme si gjatë shpërthimit fillestar të Covid-it në fillim të vitit 2020.
Tashmë ajo po e humbet besueshmërinë e madhe në vend, për shkak të dështimit për të kontrolluar pandeminë dhe narrativës shoqëruese. Në frontin gjeopolitik, vatra të tjera të ndezura do të vazhdojnë të kërcënojnë stabilitetin global në 2023. Këtu përfshihet destabiliteti i vazhdueshëm dhe kufijtë e rrezikshëm në Gjirin Persik midis Iranit dhe Arabisë Saudite dhe garantuesit kryesor të sigurisë, Shteteve të Bashkuara.
Për më tepër, kufijtë e kontestuara të Indisë me Pakistanin dhe Kinën – 3 shtete të armatosura me armë bërthamore – mbeten vazhdimisht vatra të nxehta, ku përleshjet e zakonshme mund të çojnë në çdo moment në konflikte serioze të armatosura.
Po ashtu, ky vit do të dëshmojë ndikimin në rritje të Fuqive të Mesme që po i japin formë gjeopolitikës në nivel rajonal me pasoja globale të vazhdueshme. Në veçanti, për Arabinë Saudite dhe aftësinëeë saj për të përcaktuar çmimet ndërkombëtare të energjisë dhe aftësisë së Turqisë për të ndikuar mbi Luftën në Ukrainë.