“Ndoshta më mbeten edhe pak javë për të jetuar. Jam i qetë përballë asaj që po ndodh. Kam fatin që kam një besim të thellë”. Ish presidenti i SHBA, Xhimi Karter, ka lajmëruar se është i sëmurë me kancer. “Eshtë një melanomë. Ma hoqën nga mëlçia në 3 gusht, por tani është në tru”. Udhëheqësi amerikan, më i përçmuar dhe më i rivlerësuar i historisë së vonë, në moshën 90 vjeçe e përballon i relaksuar, i buzëqeshur, shakator, këtë provë. Bën shaka për të shoqen, Rosalyn, që në “reshtin e parë po bën muhabet”, ndërkohë që ai nis konferencën për shtyp. Për gjysmë ore i përballon pyetjet, edhe pse “pasdite do të fillojë radioterapia”. Tallet me faktin që “i duhet të ulë në mënyrë drastike ritmet e punës, gjë që në moshën 90 vjeç ndoshta nuk është as normale”.
Karteri i shtohet një liste gjithmonë e më të gjatë personalitetesh, që vendosin ta përballojnë publikisht vdekjen e afërt, apo betejën me sëmundjen. Nga Emma Bonino tek Oliver Sacks, janë rastet më të fundit. E para është shëruar, i dyti nuk ka shpresa që t’ia dalë. Prapa situatave të ndryshme individuale dhe zgjedhjeve të gjithësekujt, vërehet një tendencë: është revolta kundër “vdekjes së vetmuar”, kundër “medikalizimit” që rrethon të sëmurët në duart e një shtrese profesionale të specializuar, të mbyllur në spitale, larg prej të afërmve dhe miqve.
Rasti Karter është i veçantë. Për herë të parë, është një ish President i SHBA, që dëshiron të ndajë me publikun në mënyrë kaq transparente, luftën kundër sëmundjes. Hyn në detajet e rrzatimit, injeksioneve, dozave. Sjell parasysh dallimin me rivalin e tij republikan të 35 viteve më parë, Ronald Reaganin, i cili e mundi në zgjedhjet presidenciale të 1980-ës. Kur doli në pension, Reagani u godit nga Alzheimeri, por e shpalli në vitin 1994 vetëm me një letër, dhe jetoi i mbylli, larg prej syve të publikut. Karteri merr kështu revanshin e fundit pas vdekjes kundrejt njeriut që, për shumë kohë, ishte simboli i poshtërimit të tij.
Me origjinë nga një familje kultivuese kikirikësh në Georgia, demokrati Karter mbërriti në Shtëpinë e Bardhë në janar 1977, si mbartës i një rinovimi etik, pas skandalit të Uotërgejtit, që kishte mbyllur në mënyrën më të keqe presidentën e Riçard Niksonit. Karteri ishte pjesë e një tradite të fortë progresistësh nga jugu, që përfshiu Lindon Xhonsonin dhe Bill Klintonin.
Ai është shquar gjithmonë si “më pak politiku” dhe më moralisti. Por Administrata Karter i pati menjëherë erërat kundër. Tronditja energjetike e zhyti Amerikën në një krizë të rëndë ekonomike. Si predikues protestant, Karteri u bëri thirrje bashkëkombësve që të përqafonin një model zhvillimi më të përballueshëm, me konsum të lirë: u vu në lojë si një pesimist i trishtë, i paaftë të udhëhiqte vendin drejt rilindjes. Më pas u gjunjëzua prej revolucionit Khomeinist në Iran, pengmarrjen e amerikanëve në ambasadën e SHBA në Teheran, katastrofën në përpjekjen për t’i liruar (1979-80). President për vetëm një mandat, u mund nga Reagani që më pas hyri në histori, si “fituesi i Luftës së Ftohtë”.
Por rivlerësimi i Karterit nuk vonoi. Marrëveshjet e tij në Camp David mbeten e vetmja paqe e vërtetë në Lindjen e Mesme (mes Egjiptit dhe Izraelit). Pas largimit, historianët i kanë njohur shumë merita në shpërbërjen e BRSS, duke riekzaminuar shfrytëzimit që u bëri ai marrëveshjeve të Helsinkit. Edhe rimëkëmbja ekonomike Reaganiane mendohet ta ketë origjinën që te decentralizimet e Karterit.
Mbi të gjitha, post-presidenca u kurorëzua me suksese. Cmimi Nobel për Paqen iu dha në vitin 2002, si mirënjohje për rolin e tij dhe fondacionit që krijoi, Qendra Karter, në shumë kriza humanitare. Një prej sukseseve më të mëdhenj të Qendrës Karter ka qenë fushata për çrrënjosjen e disa sëmundjeve tropikale. Ish presidenti u shndërrua në një figurë të kudondodhur, në verifikimin e rregullsisë së zgjedhjeve në demokracitë e reja të vendeve në zhvillim. Ka kryer misione të fshehtë në Korenë e Veriut, për llogari të Bill Klintonit dhe Barak Obamës. Eshtë parë i angazhuar në shumë emergjenca: Haiti, Bosnje, Etiopi, Sudan. Nuk ka hezituar të kritikojë Izraelin, për trajtimin e palestinezëve, si dhe Obamën për mos mbylljen e Guantanamos.
Në daljen e fundit, të mbajtur pikërisht në zyrat qendrore të fondacionit në Atlanta, Karteri ka shpjeguar se reduktimi i veprimtarisë së tij nuk do të ketë pasoja për nismat filantrope. “Do të vazhdoj të angazhohem për mbledhjen e fondeve, edhe pse jo me firmën time. Qendra Karter është e përgatitur për të bërë dhe pa mua”. Mes aktiviteteve që dëshiron të vazhdojë, ndonëse me ritëm më të ngadaltë, janë kurset e besimit fetar në kishën baptiste të Plainsit në Georgia, dhe leksionet në universitetin e Emoryt. Ka thënë edhe që shpreson të mos i duhet të heqë dorë nga udhëtimi në Nepal, i programuar për në nëntor, në mbështetje të “Habitat for the Humanity”. /Bota.al