Shkence

Universi i gjallë

Screen Shot 2015-05-15 at 16.09.19

Shkenca është ende në kërkim të një E.T (Jashtëtokësori) të vërtetë. Ja si mund (e ku) të gjesh planete të tjera të banuara

Jeta? Një kërkim, me një eksperiment të vetëm, dhe një laborator të vetëm: Tokën. Nuk kemi mundur kurrë të studiojmë një ambient tjetër, prandaj nuk është e lehtë të kuptosh cilat janë kushtet që në një planet zhvillohet jeta. Shumë studiues, megjithatë, janë optimistë: “Unë jam për parimin biokozmologjik”, thotë Giovanna Tinetti, që jep Astrofizikë në Universitety College të Londrës dhe është autore e “Planete të tjerë Diellorë”. “Mendoj që, nëse jeta mund të formohet, në fund ajo formohet, edhe në kushte jo optimale. Por të kuptosh se ku, është më e ndërlikuar”.

QOSHJA E PËRSOSUR
Astrobiologët kanë kërkuar të vendosin cilat janë karakteristikat që një planet duhet të zotërojë, për të bujtur atë kompleks të bashkuar molekulash organike e metabolizuese që e quajmë jetë. Mbi të gjitha, është përcaktuar e ashuquajtura “zona e banueshme” e një sistemi yjor, ajo që mund të mbajë një planet hipotetik, të banuar nga gjallesa.
Shumë varet edhe se nga çfarë tipi ylli ngrohet planeti. Disa yje kanë një ekzistencë shumë të shkurtër për të lejuar zhvillimin e zinxhirave kompleksë të ngjarjeve që sjellin jetën. Gjenden pastaj yje jo të qëndrueshëm, që e ndryshojnë papritur tipin dhe intensitetin e rrezatimeve të emetuara (vështirë se gjallesat do t’ia dilnin të adaptoheshin ndaj këtyre ndryshimeve). Të tjera karakteristika të nevojshme kanë të bëjnë me planetin: para së gjithash, prania e ujit, pasi vetëm në lëng mund të zhvillohen pjesa më e madhe e reaksioneve kimike të duhura për gjallesat. Edhe më shumë, planeti duhet të jetë gjeologjikisht aktiv, që do të thotë të ketë një kore që lëviz e që siç ndodh në tokë, emeton anhidritin karbonik (gazin karbonik) me proçeset gjeologjike (edhe nga aktiviteti i vullkaneve). Duhet të jetë aktiv edhe një cikël erozioni e prodhimi i molekulave të thjeshta të karbonateve, që përbëjnë hapin e parë drejt një atmosfere që mbron molekulat më të hershme të gjalla, nga ndryshimet e papritura të temperaturës. Në fund, planeti duhet të jetë aq i madh sa duhet, për ta mbajtur atmosferën: Marsit, për shembull, i ka ikur ngadalë, pasi është më i vogël se sa Toka. E nuk mbaron me kaq: duket e nevojshme që planeti të ketë edhe një fushë manjetike, që mbi Tokë për shembull devijon stuhitë diellore, të dëmshme pasi shkatërrojnë lidhjet e brendshme të molekulave.

NJË LAGJE E POPULLUAR

Kushte të vështira për t’u respektuar? Nuk duket, edhe sepse numri i vetëm i planetëve ekstradiellorë të gjetur deri tani (rreth 2.000 në një njëzetvjeçar vëzhgimesh), të bën të mendosh që mundësia nuk është kaq e largët: “Sot shohim planete me një ndryshueshmëri parametrash (rreze, masë, distancë nga ylli) që nuk i presim”, thotë Giovanna Tinetti. “Misioni Kepler ka zbuluar planete që as nuk mendonim se mund të ekzistonin në një sistem planetar. Ka për shembull një seri “objektesh” më të mëdha se Toka, që i quajmë SuperToka ose SubNeptunë, pasi nuk e dimë mirë se çfarë janë. Duke e përmbledhur, janë shtuar shumë elementë të rinj, të cilët e bëjnë më të vështirë pyetjen: ‘A ka jetë edhe diku gjetkë’?, por më interesante përgjigjen”. Një artikull i botuar vitin që shkoi, pohon që në galaksinë tonë, rreth 22% e yjeve të ngjashme me Diellin mund të bujtin planete të dimensioneve të Tokës në zonat e banueshme; e vlerësimi do të sillte në një numër shumë të lartë planetësh, afërsisht 8,8 miliardë.

PO NËSE JEMI PAK?
Jo të gjithë janë të bindur që, midis miliarda planetësh, janë formuar megjithatë krijesa shumë të ngjashme me bakteret tona, me peshqit, me gjitarët ose me insektet. Sipas studiuesve Peter Ward e Donald Brownlee, autorë të librit “Rare Earth” (Tokë e Rrallë), kushtet që e bëjnë të mundur praninë e bimëve e të kafshëve mbi Tokë janë tepër të rrallë e të rastësishëm, për të qënë të riprodhuar gjetkë. Përveçse të gjenden në zonën e banueshme yjore, në fakt, Ward e Brownlee pohojnë që planetët duhet të jenë në “zonën e banushme galaktikore” , ajo në të cilën janë kushtet fizike të përputhshme me origjinën, si dhe zhvillimin dhe ekzistencën në afat të gjatë të jetës. Një zonë në të cilën janë metalet e rënda, e që nuk është shumë e jashtme në galaktikë: por që në të njëjtën kohë nuk është shumë afër qendrës, vend i shpërthimeve të dhunshme yjore që mund të fshijnë nga faqja e dheut gjallesat. Toka, thonë, ka fatin të gjendet pranë një çifti planetësh gjigandë, Jupiterit e Saturnit, që në të shkuarën kanë tërhequr e devijuar një pjesë të madhe të asteroidëve që do të na kishin goditur.

Për më shumë, jetës Tokësore i është dashur të kalojë momente të shumta kritike, si rënie meteorësh, akullnaja planetare, ndryshime të mëdha klimaterike. E do të ishte e nevojshme edhe prania, siç ndodh mbi Tokë me Hënën, e një sateliti shumë të madh, që mund të rregullojë shpejtësinë e rrotullimit të planetit, në mënyrë që temperatura të mbetet konstante. Pastaj, Toka është e pjerrët, rreth 230gradë, e kjo ka lejuar lindjen e stinëve, të domosdoshme për zhvillimin e formave shumë të ndryshme të jetës. Nick Lane, biokimist në University College të Londrës është dakort. Në një artikull të vitit 2012, ai pohon që jeta është një ngjarje fatlume dhe e rrallë: për shembull qëniet shumëqelizore kanë lindur mbi Tokë nga bashkimi i baktereve të ndryshëm, që janë vënë të bashkëpunojnë midis tyre. Nuk është e thënë që kjo ndodh gjithandej.

VËSHTRIME MBI YJET
Shumë shkencëtarë nuk ndalojnë, megjithatë, të kërkojnë, duke përdorur metoda komplekse astronomike, kimike e fizike. Metodat më të përdorura janë ato të “kalimit” dhe “të fshehjes”. Me të parën, ia dalim të kuptojmë nga cilat molekula është e përbërë atmosfera e një planeti, falë dritës që arrin deri tek ne, kur planeti kalon përballë yllit të vet. Metoda e dytë, përkundrazi zbret nga e gjithë drita që arrin nga çifti yll/planet atë të pastrën, vetëm të yllit: kjo e fundit arrin tek ne kur planeti kalon pas trupit të vet qiellor.

Duke ekzaminuar rezatimin e ndritshëm, në veçanti studiohet i ashtuquajturi “cekuilibër kimik”: prania e molekulave që në një planet “të vdekur” nuk duhet të ekzistojnë. Mbi të gjitha oksigjeni, i pranishëm mbi Tokë falë organizmave të parë fotosintetizues, që kanë përthithur gazin karbonik dhe prodhuar oksigjenin, që në sasi të vogla është transformuar në Ozon. Këto molekula, sapo janë emetuar, kanë reaguar shpejt me të tjerat e janë zhdukur: nëse janë, do të thotë që dikush i prodhon në vazhdimësi. Me t’u gjetur oksigjeni e Ozoni, është krijuar dhe jeta? Jo tamam. “Ideja e studimit të cekuilibrit kimik daton në vitet shtatëdhjetë të shekullit të kaluar”, thotë Tinetti, “dhe është akoma e vlefshme, por sipas meje ta zgjerosh në botë të tjera mund të mos jetë korrekte. Me pak fjalë, ne jemi plotësisht të sigurt që atmosfera e planetëve të tjerë të pasura me oksigjen e ozon, është një shenjë jete”.

JEMI ME TË VËRTETË “NORMALË”?

Problemi qëndron që nuk dimë me saktësi, se cili të jetë modeli “standart” i një planeti të vdekur, për ta krahasuar me atë të një “të gjalli”.
“Kemi nevojë për këtë të dhënë për të mundur të themi nëse planetët potencialisht të banueshëm kanë me të vërtetë diçka që i dallon nga të tjerët. Në këtë mënyrë do të fshijmë edhe vizionin që kemi për jetën; paksa miop dhe i vendosur nga fakti që banojmë në Sistemin Diellor”, konkludon Tinetti.

Në vitet pasardhëse, misioneve europiane dhe të Shteteve të Bashkuara u duhet të përdorin metoda inovative, për të zbuluar si janë krijuar atmosferat e planetëve të tjerë. Ndoshta do të zbulojmë që lloji ynë banon në një qoshe të veçantë, sigurisht jo tipike në krahasim me ndryshueshmërinë gjigande të kushteve të Universit. Ose që ka më shumë mënyra për të qënë të gjallë në univers. sesa ëndërron kërkimi ynë shkencor. Focus/Bota.al

Leave a Reply

Back to top button