Në kujtim të poetit Arben Duka, i cili ka ndërruar jetë së fundmi prej një arresti kardiak, vendosëm t’ju sjellim në vëmendje një nga poezitë e tij më të veçanta “Urrejtja dhe dashuria”. Është një poezi që krahason dy ndjenja antagoniste të njëra tjetrës, ashtu siç specifikohen edhe në tituj, duke i konsideruar si dy forca që kontribuojnë në “lëvizjen” e botës.
“Urrejtja dhe dashuria”
Një ndjenjë e re – që zemrën peshë ma mban,
sërish nga gjumi nesër do më zgjojë,
do të harroj çdo gjë që ne na ndan,
e atëherë çdo gjë do na bashkojë.
Kufijtë e ndarjes e të dashurisë,
si fije peri – krejt të holla janë,
ndaj dhe dilemma rron mes njerëzisë,
kur të dy ndjenjat rriten pranë e pranë.
Dhe njëra tjetrën natë e ditë ushqejnë,
në një mënyrë krejt të rastësishme.
sot njëri tjetrin për vdekje urrejnë.
nesër shkrihen në puthje të magjishme.
Mes njëra tjetrës kufij të saktë s’ka,
se zemra s’mund të ndahet me kufi,
kur ndez e shuan zjarre të mëdha,
kur rrit urrejtje edhe dashuri.
Nuk shkroi më kot poeti i lavdishëm:
“Urrejtja është zjarr’ i dashurisë,
tërmetet s’janë nga ‘to më të fuqishme,
të dyja tok – motor i njerëzisë”.
Kaq kam mësuar unë nga kjo jetë,
jo thjesht për faktin se më la rinia,
po Bota krejt lëviz – në të vërtetë,
o nga urrejtja – o nga dashuria.
Dhe – për më tepër – ndoshta mund të vlejë,
ajo që mbi të bardhë u shkrua me bojë:
“Një zemër që s’ka forcën të urrejë,
nuk ka fuqi as të dashurojë!”