Covid19MAIN

Vaksina filloi. Përgjigjet për çdo pyetje që mund t’ju vijë në mendje

IMUNIZIMI i popullsisë duke përdorur vaksinën e krijuar nga Pfizer dhe partneri i saj BioNTech kanë filluar në Mbretërinë e Bashkuar. Më poshtë u përgjigjemi pyetjeve në lidhje me shkencën e vaksinës, kush do ta marrin të parët, sa të sigurt mund të jemi në procesin e autorizimit dhe logjistikës së vaksinimit

Sa e efektshme është vaksina?

Rreth 95 përqind. Testet e fazës III të vaksinës Pfizer / BioNTech përfshinë 42,000 njerëz, rreth gjysma e të cilëve morën vaksinën eksperimentale dhe pjesa tjetër një placebo. Në total, 170 njerëz u sëmurën me covid-19. Vetëm tetë prej tyre ishin në grupin e vaksinave; 162 kishin marrë placebo. Afro 5 përqind e rasteve ishin në grupin e vaksinave, nga ku buron edhe shifra prej 95 përqind. Kjo është një shifër shumë e shëndetshme: Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH) tha se do të pranonte edhe 50 përqind.

Çfarë ka në vaksinë?

Përbërësi aktiv është ARN korrier, që mbart udhëzime për krijimin e proteinave në formë gjembash të virusit, të cilat i përdor për të hyrë në qeliza. ARNm është sintetik, nuk nxirret nga viruset aktuale dhe shpërndahet në një sferë të materialit yndyror inert të quajtur një nanothërrmijë lipidike.

Nano-thërrmijat mbajtëse të ARN-së janë mbajtur pezull në tretësirë ​​të kripur dhe injektohen në indet muskulore në pjesën e sipërme të krahut. ARNm merret më pas nga qelizat imune të specializuara, të cilat ndjekin udhëzimet e saj, ashtu si do të bënin nëse do të ishin infektuar me virusin real.

Proteina në formë gjembi pikaset si e huaj nga sistemi imunitar, i cili krijon një sulm kundër saj. Antitrupat, qelizat B dhe qelizat T aktivizohen, sipas Uğur Şahin, shefi ekzekutiv i BioNTech. Gjithashtu, përcaktohet një memorie imune, që do të thotë sistemi imunitar ka mësuar tashmë se si të mposhtë patogjenin dhe është i përgatitur për të marrë një përgjigje të shpejtë, nëse has vërtet koronavirusin.

Sa zgjat kujtesa imune?

Eshtë e vështirë të thuhet në këtë pikë, sepse provat klinike nuk ishin të menduara për t’iu përgjigjur kësaj pyetjeje, dhe në çdo rast, ato filluan shpërndarjen e dozave të dyta të vaksinës vetëm katër muaj më parë.  OBSH thotë se një minimum prej gjashtë muaj do të ishte i pranueshëm. Do të bëhet më e qartë kur vullnetarët të vazhdojnë të monitorohen. Şahin thotë se ai pret që mbrojtja të zgjasë “me muaj, apo edhe vite”.

Duke pasur parasysh atë që dimë për imunitetin natyror, kjo është e saktë, thotë Eleanor Riley në Universitetin e Edinburgut në Mbretërinë e Bashkuar. Ajo parashikon që njerëzit të kenë nevojë për vaksinim të përvitshëm, në rastin më të keq.

Sa kohë duhet që imuniteti të zhvillohet plotësisht pas vaksinimit?  

Testimet filluan vlerësimin e imunitetit shtatë ditë pas dozës së dztë. Ne e dimë që imuniteti mbrojtës ndërtohet brenda katër javësh nga doza e parë, por Şahin thotë se gjasat janë që të zhvillohet edhe më herët se kaq.  Detaje të mëtejshme do të botohen brenda disa ditësh, thotë ai.

Çfarë ndodh me ARNm në trup?

Eshtë aktive për disa ditë dhe kalbet shpejt.

Eshtë një vaksinë me dy doza, kështu që, çfarë ndodh nëse njerëzit humbasin dozën e dytë? A është mbrojtëse qoftë edhe një dozë e vetme? 

Nevojiten dy doza dhe duhet doza e dytë për të arritur imunitetin. Hendeku midis dozave në testim varionte midis 19 dhe 42 ditësh. Vetëm 2 përqind e njerëzve në test humbën dozën e dytë, kështu që nuk është plotësisht e qartë se çfarë ndodh në ato rrethana.

A ka ndonjë efekt anësor?

Ndonjëherë, por ato janë të lehta.

Në test, vaksina përgjithësisht tolerohej mirë dhe një komitet i pavarur i monitorimit të të dhënave nuk raportoi ndonjë shqetësim serioz për sigurinë. Efektet anësore më të këqija ishin lodhja dhe dhimbja e kokës pas dozës së dytë. Rreth 4 për qind e njerëzve raportuan lodhje dhe 2 për qind dhimbje koke. Efektet e tjera anësore ishin dhimbja në vendin e injektimit dhe dhimbja e muskujve. Këto janë “reagime të zakonshme që do të kishit me vaksinimin”, thotë Omzlem Türeci, shefi mjekësor në BioNTech. Të rriturit raportuan më pak efekte anësore dhe më të lehta.

A funksionon tek njerëzit e moshuar?

Po. Pjesëmarrësit në test ishin të moshës deri në 85 vjeç, dhe efikasiteti tek personat mbi 65 vjeç ishte 94 përqind – pakëz më i ulët se numri i përgjithshëm, por gjithsesi shumë mbrojtës, dhe shumë më i lartë nga sa ishin druajtur se do të ishte, disa ekspertë të vaksinave. Vaksina nuk është testuar tek njerëzit e moshës mbi 85 vjeç.

Po në grupet e tjera vulnerabël?

Vaksina duket të jetë po aq efektive, pavarësisht nga mosha, gjinia dhe përkatësia etnike e marrësve, sipas BioNTech. Eshtë testuar gjerësisht tek njerëzit që tashmë kanë pasur virus dhe të tjerë që nuk kanë patur, dhe nuk është parë të shkaktojë ndonjë efekt të keq. Eshtë testuar gjithashtu tek njerëzit me sëmundje paraprake “të qëndrueshme” – të njohura si sëmundje shoqëruese – përfshirë diabetin, kancerin, hepatitin B, hepatitin C dhe HIV. Përgjigja e tyre ishte po aq e mirë sa ajo e të tjerëve. Njerëzit me sëmundje të rënda bashkëshoqruese ose të përkeqësuara, gjithashtu do të kenë të drejtë për vaksinë. BioNTech thotë se ka të dhëna për të këtë grup dhe do t’i nxjerrë ato menjëherë.

A i mbron të gjithë?

Jo. Në teste, nga rreth 20,000 njerëz të cilëve iu është bërë vaksina, tetë u prekën nga Covid-19 dhe një u sëmur rëndë; 162 persona që morën placebo u sëmurën, nëntë prej tyre rëndë. Nuk dihet pse disa njerëz nuk iu përgjigjën vaksinës. Por një shkallë suksesi prej 95 përqind është maksimumi që mund të merret për çdo vaksinë.

A i ndalon njerëzit nga prekja dhe transmetimi i virusit?

Ende nuk e dimë. Testi ishte organizuar për të testuar të prekurit me covid-19 simptomatikë dhe konfirmoi infeksionin me virusin. Vlerësimi nëse vaksina parandalon transmetimin – gjë e cila është ndoshta një parakusht për arritjen e imunitetit të tufës nga vaksinat – është shumë më i vështirë. Por Pfizer thotë se po kryen më shumë studime mbi këtë pyetje dhe do të nxjerrë së shpejti informacion.

Disa vaksina në mënyrë paradoksale mund të përkeqësojnë një sëmundje përmes një procesi të quajtur sëmundje prej teprisë së antitrupave. A është ky një rrezik?

Po, teorikisht. Por nuk është parë me këtë vaksinë ose ndonjë tjetër kundër covid-19 dhe nuk ka ndodhur natyrshëm, siç ndodh ndonjëherë me viruse të tjera.

A janë publikuar të dhënat e plota nga testimet?

Jo, nuk janë publikuar, por nuk ka asgjë Të keqe në këtë. Kompanitë mund të nxjerrin të dhëna sapo t’i kenë ato, i cili është një proces shumë më i shpejtë sesa përgatitja e një dorëshkrimi shkencor. Sipas Pfizer, çdo detaj i shkencës do t’i paraqitet një reviste të vlerësuar nga kolegët e rangut të lartë sa më shpejt që të jetë gati. Do të varet nga revista se sa kohë duhet për të botuar.

Kush janë të parët në radhë për ta bërë?

Kur aprovohet një vaksinë, është e zakonshme që së pari të ofrohet tek njerëzit që morën pjesë në provën klinike por morën placebo. Sidoqoftë, duke qenë se testimi nuk u bë në Mbretërinë e Bashkuar, nuk është askush në këtë kategori.

Banorët e azileve dhe kujdestarët e tyre kanë përparësinë më të lartë, sipas një sistemi përparësie të hartuar nga Komiteti i Përbashkët i Mbretërisë së Bashkuar për Vaksinimin dhe Imunizimin. Por ka probleme me shpërndarjen e kësaj vaksine, sepse ka nevojë të transportohen në temperatura shumë të ftohta në raste të veçanta.

Të tjerët në radhë janë personat mbi 80 vjeç dhe punonjësit e kujdesit shëndetësor në vijën e parë, të ndjekur nga personat e moshës mbi 75 vjeç, pastaj personat në grupmosha gjithnjë e më të reja dhe / ose me sëmundje të tjera.

A do të përjashtohet ndokush nga programi i vaksinave?

Po. Gratë shtatzëna dhe fëmijët nën 16 vjeç nuk do të jenë të kualifikueshëm, të paktën në fillim. Vaksina nuk është testuar në gratë shtatzëna ose fëmijët nën 12 vjeç dhe nuk ka të dhëna të mjaftueshme për fëmijët e moshës 12 deri në 15 vjeç. Por testimet në ato grupe janë duke vazhduar ose duke u planifikuar.

Të gjithë të tjerët mund ta marrin?

Po, por shumica do të duhet të presin radhën. Sean Marett në BioNTech thotë se plani i saktë i dorëzimit varet nga sa shpejt fabrikat mund ta prodhojnë, pasi kompania është e angazhuar për një qasje të barabartë. “Ne do të japim sa më shumë doza, sa më shpejt që të mundemi”, thotë ai.

A nuk kërkon vaksina depozitim të ndërlikuar e të ftohtë?

Po dhe jo. Për ruajtje afatgjatë – do të thotë për gjashtë muaj apo më shumë – vaksina duhet të mbahet në -70 ° C, gjë e cila kërkon pajisje të specializuara ftohëse.

Por Pfizer ka shpikur një enë shpërndarëse që e mban vaksinën në atë temperaturë për 10 ditë nëse nuk hapet. Këto kontejnerë mund të përdoren gjithashtu për ruajtje të përkohshme në një objekt vaksinimi për deri në 30 ditë pasi vendoset akull i thatë çdo pesë ditë.

Pasi të shkrihet, vaksinat mundet të ruhen në një frigorifer të rregullt në 2 ° C deri në 8 ° C, deri në pesë ditë.

A mund të shkojë diçka keq?

Po, por kjo nuk ka shumë gjasa. Efektiviteti i vaksinave në botën reale është pothuajse gjithmonë më i ulët sesa efikasiteti në teste, por rënia do të duhej të ishte spektakolare për t’u ulur nën pragun prej 50 përqind të konsideruar të pranueshëm nga OBSH.

Mund të ketë ende efekte të rralla të rënda anësore, veçanërisht duke patur parasysh se vaksinat e ARNm janë një teknologji e re dhe nuk janë shpalosur kurrë në një shkallë masive.

Testet klinike të vaksinave nuk janë aq të mëdha apo të gjata sa të përjashtojnë efektet anësore të rralla, por serioze, të cilat mund të shfaqen muaj apo edhe vite pas vaksinimit. Personat që janë vaksinuar do të ndiqen për dy vjet për të siguruar që nuk ka efekte serioze anësore. Por këto janë rreziqe të vogla, teorike. / New Scientist – Bota.al

Back to top button