I kam lexuar me emocion këto faqe që burojnë nga mendimi dhe dashuria e Angelo Scola-s, vëllai im i dashur në episkopat dhe një njeri që ka mbajtur detyra delikate në Kishë, si për shembull rektor i Universitetit Papnor Lateran, më pas patriark i Venecias dhe kryepeshkop i Milanos.
Para së gjithash, dua ta falënderoj thellësisht për këtë reflektim që ndërthur përvojën personale dhe ndjeshmërinë kulturore në një mënyrë që rrallë më ka ndodhur të lexoj. Njëra, përvoja, ndriçon tjetrën, kulturën; e dyta i jep përmbajtje të parës. Në këtë ndërthurje të bekuar, jeta dhe kultura lulëzojnë në bukuri.
Mos u mashtroni nga forma e shkurtër e këtij libri: janë faqe shumë të dendura, që duhen lexuar e rilexuar. Nga reflektimet e Angelo Scola-s nxjerr disa pika që më përputhen në mënyrë të veçantë me atë që përvoja ime më ka mësuar.
Angelo Scola na flet për pleqërinë, për pleqërinë e tij, e cila – shkruan me një ton të çiltër dhe çarmatosës – “më ka ardhur papritur dhe me një shpejtësi të befasishme, në shumë aspekte”.
Që në zgjedhjen e fjalës me të cilën e përshkruan veten, “i moshuar”, ndjej një përputhje me autorin.
Po, nuk duhet të kemi frikë nga pleqëria, nuk duhet të frikësohemi ta përqafojmë të qenit të moshuar, sepse jeta është jetë, dhe zbukurimi i realitetit do të thotë të tradhtosh të vërtetën e gjërave. T’i rikthejmë dinjitetin një termi që shumë shpesh konsiderohet i papranueshëm është një gjest për të cilin duhet të jemi mirënjohës ndaj kardinalit Scola. Sepse të thuash “i vjetër” nuk do të thotë “për t’u hedhur”, siç ndonjëherë një kulturë e degraduar e hedhjes na çon të mendojmë. Të thuash “i vjetër” do të thotë të thuash përvojë, mençuri, urtësi, dallim, maturi, dëgjim, ngadalësi… Vlera që na duhen më shumë se kurrë!
Është e vërtetë, bëhesh i moshuar, por problemi nuk është ky: problemi është si bëhesh i moshuar. Nëse e jetojmë këtë kohë të jetës si një hir, dhe jo me hidhërim; nëse e pranojmë këtë kohë (qoftë edhe të gjatë) në të cilën përjetojmë rënie të forcave, lodhjen fizike që shtohet, reflekset që nuk janë më si në rini, me ndjenjë mirënjohjeje dhe njohjeje, atëherë edhe pleqëria bëhet një moshë e jetës, siç na ka mësuar Romano Guardini, vërtet pjellore dhe që mund të rrezatojë të mira.
Angelo Scola vë në dukje vlerën, njerëzore dhe shoqërore, të gjyshërve. Kam theksuar disa herë se roli i gjyshërve është me rëndësi themelore për zhvillimin e ekuilibruar të të rinjve, dhe në fund të fundit për një shoqëri më paqësore. Sepse shembulli i tyre, fjala e tyre, urtësia e tyre mund të mbjellin te më të rinjtë një vështrim të gjatë, kujtesën e së shkuarës dhe një ankorim tek vlerat që mbeten.
Brenda vrullit të shoqërive tona, shpesh të dhëna pas të përkohshmes dhe pas dëshirës së sëmurë për dukje, urtësia e gjyshërve bëhet një fener që ndriçon, ndriçon pasiguritë dhe u jep drejtim nipërve dhe mbesave, të cilët mund të nxjerrin nga përvoja e tyre një “diçka më shumë” për jetën e tyre të përditshme.
Fjalët që Angelo Scola i kushton temës së vuajtjes, që shpesh shfaqet në procesin e plakjes, dhe rrjedhimisht edhe vdekjes, janë margaritarë të çmuar besimi dhe shprese.
Në mënyrën e të shprehurit të këtij vëllai peshkop ndjej të jehojë teologjia e Hans Urs von Balthasar-it dhe e Joseph Ratzinger-it, një teologji “e bërë në gjunjë”, e përshkuar nga lutja dhe dialogu me Zotin.
Për këtë arsye thashë pak më parë se këto janë faqe që burojnë “nga mendimi dhe nga dashuria” e kardinalit Scola: jo vetëm nga mendimi, por edhe nga dimensioni emocional, i cili është ai që feja e krishterë na kujton, sepse krishterimi nuk është aq një veprim intelektual apo një zgjedhje morale, sesa një dashuri ndaj një personi, atij Krishti që na ka dalë përpara dhe ka vendosur të na quajë miq.
Pikërisht përfundimi i këtyre faqeve të Angelo Scola-s, që janë një rrëfim me zemër të hapur për mënyrën se si po përgatitet për takimin përfundimtar me Jezusin, na kthen një siguri ngushëlluese: vdekja nuk është fundi i gjithçkaje, por fillimi i diçkaje. Është një fillim i ri, siç thekson me mençuri titulli, sepse jeta e përjetshme, të cilën ai që dashuron e përjeton që këtu në tokë, mes punëve të përditshme, është një fillim i diçkaje që nuk do të përfundojë kurrë. Dhe pikërisht për këtë arsye është një fillim “i ri”, sepse do të jetojmë diçka që kurrë nuk e kemi jetuar plotësisht: përjetësinë.
Me këto faqe në dorë, do të doja të bëja, në mënyrë simbolike, të njëjtin gjest që bëra sapo vesha petkun e bardhë të Papës, në Kapelën Sistine: të përqafoj me respekt të madh dhe dashuri vëllain Angelo, tani të dy më të vjetër se atë ditë të marsit 2013. Por gjithmonë të bashkuar nga mirënjohja ndaj këtij Zoti të dashur që na ofron jetë dhe shpresë në çdo moshë të jetës sonë.