XAVIER VIDAL-FOLCH *
Furgoni ka udhëtuar më shumë se një kilometër. I marrosur, shkaktoi të vdekur dhe të plagosur në Ramblan e qytetit tim. Nga zemra e Barcelonës, Plaza de Catalunya, deri tek Liceu, Teatri i Operës. Shoh se e ndërpreu trajektoren e tij vdekjeprurëse vetëm mbi mozaikun e bukur qeramik të Joan Mirós, instaluar në dyshemenë e shëtitores. Shoh në videon amatore të dëshmitarëve një endacak, ngjeshur me një nga dërrasat e vjetra, si një rivënie e tmerrshme në skenë – kësaj radhe reale – e filmit të Eisenstein.
Të rinj të shtrirë përtokë, një vajzë me kokën që i rrjedh gjak, një djalë me këmbën e ndrydhur, e shtrembëruar si një fije e pamundur. Kalimtarët dhe policia ndihmojnë të plagosurit. Është pamje e tmerrshme, e njohur tashmë, kjo e këtyre vrasjeve kolektive. Metroja në Londër, tren në Madrid, baret në Paris, tregu në Berlin …
Mendoj edhe një herë se sa e padrejtë është vdekja e tillë, masive, shkaktuar prapa mburojës së ideve të supozuara. Dhe mendoj se si, po kjo vdekje godet edhe më shumë në një qytet kaq të mbushur me jetë, i cili pëlqen kaq shumë të ribëhet, i cili është kaq i etur për risi. Një qytet që mund të krijojë trende të reja, që mund të krijojnë debate dhe polemika, konflikte … dhe zgjidhje. Ne festuam para pak kohësh, njëzet e pesë vjetorin e Lojrave Olimpike të vitit 1992.
Ajo sipërmarrje civile dhe paqësore, tolerance dhe mirëkuptimi, kulture plurale dhe identitetesh të mbivendosur e të ndarë: barceloneze, katalane, spanjolle, evropiane. Sa pak që zgjati shija e mirë e këtij përvjetori. Lojërat kanë qenë gjithmonë gjeneratorë miqësie dhe paqeje në konflikte. Ka nga ata që vazhdojnë të preferojnë urrejtjen në vend të dashurisë, trishtimin në vend të shpresës, tragjedinë në vend të pajtimit. Do të sjellin vdekje dhe do të kenë sytë tanë, siç shkruan Cesare Pavese. Por nuk do të kenë kurrë zemrat tona. Ne, bijtë e Joan Mirós, nuk do të mësojmë kurrë të urrejmë.
* Gazetar dhe editorialist i “El Pais” – Në shqip nga bota.al