Letersi

Vishnjevski: “Leximi gjithmonë të ndihmon ta shkurtosh kohën“

Janush L. Vishnjevski është një nga shkrimtarët më popullorë bashkëkohorë në Poloni. Pasi mbaroi universitetin, mori gradën e doktorit në informatikë, si dhe në shkencat e natyrës. Banon në Frankfurt mbi Majn, në Gjermani. Me subjektin e romanit “Vetmi në rrjet”, kohët e fundit është realizuar filmi me të njëjtin titull, i cili, si edhe romani, ka pasur një sukses të jashtëzakonshëm.

Sipas kritikës, “Vetmi në rrjet” provon që Vishnjevski ka mundur të arrijë të paarritshmen: Ai ka kuptuar femrën. Atë nuk e habit natyra e ndërlikuar e shpirtit femëror, spontaniteti dhe logjika e sjelljes së saj. Dhe krejt në fund, kur lexon “Vetmi në rrjet”, nuk mund ta besosh se atë e ka shkruar një burrë. Ky roman ka qëndruar për shumë kohë si më i shituri në Poloni dhe Gjermani.

Përballë ekranit të kompjuterit dy njerëz i rrëfejnë gjithçka njëri-tjetrit. Për aromën e gjetheve të rëna në vjeshtë, librat, çdo gjë që mbush të përditshmen e tyre. Ajo ndjen se jeta e saj nuk mund të vazhdojë pa këtë komunikim. Ai, çdo ditë e më shumë mendon vetëm për duart e saj. Historia e një dashurie që lind nga fjalët, rrëfehet në subjektin e romanit “Vetmi në rrjet “, të shkrimtarit polak Janush L. Vishnjevski.

Copëza nga vepra:

“Nga gjithçka e përjetshme, afatin më të shkurtër e ka dashuria.”

“Frika më e keqe është ajo që nuk e di si ta quash. Nga frika pa emër, edhe shiringa nuk të shpëton dot.”

“I vetmuar  mund të jesh vetëm atëherë kur ke kohë për këtë.”

“Njeriu duhet të qajë atëherë kur nuk e pengon njeri. Vetëm atëherë merr kënaqësi nga lotët që derdh.”

“Jeta është kryesisht trishtim. Pastaj menjëherë vdes.”

“Nëse nuk di ç’të thuash, fol të vërtetën.”

“E vetmja që mund të mposhtë fobinë, është lufta kundër fobisë. Është e metodë e mirëfilltë, mbi parimin e vaksinës. Vaksinon nënvetëdijen.”

“Leximi gjithmonë të ndihmon ta shkurtosh kohën.”

“Para internetit njeriu duhet të përulet me nderim, si para verës ose zjarrit.”

“Zot s’kishte dhe s’ka si të ketë. Sepse, po të ekzistonte, duhet të ishte ose i lig, ose i pafuqishëm, ose, ndoshta, edhe i lig edhe i pafuqishëm njëherësh.”

“Sikur qentë të mund të flisnin, ata kurrë nuk do ta ulnin veten deri aty sa të komunikonin me fjalë me njerëzit.”

“Kurrë nuk kam dëgjuar për ndonjë konferencë shkencore ku të lexohen referate për ekzistencën ose mosekzistencën e Zotit. Konferenca të tilla nuk organizonte as Stalini, i cili mori mbi vete të korrigjonte dhe gjenetikën( besoj, keni dëgjuar për biologun e oborrit të tij,Lisenkon), në mënyrë që  marksistët-ruajna Zot!- të mos trashëgonin stërgjyshërit aristokratë.”/Bota.al

Leave a Reply

Back to top button