Përshkallëzimi i konfliktit në Ukrainë mes qeverisë së mbështetur nga Perëndimi dhe separatistëve të mbështetur nga Rusia e ka fokusuar vëmendjen në një çështje themelore: Cilët janë objektivat afatgjatë të Kremlinit? Ndonëse qëllimi i menjëhershëm i Presidentit rus, Vladimir Putin mund të jetë kufizuar në rimarrjen e kontrollit të Krimesë dhe ruajtjen e një farë ndikimi në punët e brendshme të Ukrainës, ambicia e tij më afatgjatë është shumë më e guximshme.
Nuk është e vështirë ta shquash këtë ambicie. Putini ka thënë dikur se shpërbërja e Bashkimit Sovjetik ishte katastrofa më e madhe gjeopolitike e shekullit të njëzetë. Kështu që, objektivi i tij afatgjatë ka qenë ta rindërtojë atë në një farë mënyre, ndoshta si një union shtetesh, i ngjashëm me Bashkimin Europian.
Një objektiv i tillë nuk të çudit: në rënie apo jo, Rusia e ka parë gjithmonë vetveten si një fuqi e madhe që duhet të rrethohet nga shtete të zbutur. Nën udhëheqjen e carëve, Rusia Imperiale erdhi e u zgjerua me kalimin e kohës. Nën drejtimin e bolshevikëve, Rusia ndërtoi Bashkimin Sovjetik dhe një sferë influence që përfshinte pjesën më të madhe të Europës Lindore dhe Qendrore. Dhe tani, nën regjimin po aq autokratik të Putinit, Rusia ka në plan të krijojë, me kalimin e kohës, një Bashkim Euraziatik.
Ndërkohë që Bashkimi Euraziatik është ende një bashkim doganor, përvoja e Bashkimit Europian tregon se një zonë e suksesshme e tregtisë së lirë, me kalimin e kohës të çon drejt një integrimi më të gjerë ekonomik, monetar dhe më pas politik. Objektivi i Rusisë nuk është të krijojë një tjetër Marrëveshje Amerikano-Veriore të Tregtisë së Lirë, por është të krijojë një tjetër BE, me Kremlinin që do të ketë në kontroll të gjithë levat reale të pushtetit. Plani ka qenë i qartë: Fillohet me një bashkim doganor – fillimisht Rusia, Bjellorusia dhe Kazakistani – dhe më pas shtohen pothuajse të gjithë republikat ish sovjetike. Në të vërtetë, shumë pranë janë tashmë Armenia dhe Kirgistani.
Pasi krijohet një bashkim i gjerë doganor, lidhjet tregtare, financiare dhe të investimeve brenda tij rriten, deri në pikën që vendet anëtarë stabilizojnë me njëri-tjetrin normat e këmbimit të valutës. Pastaj, disa dekada pasi është krijuar bashkimi doganor, anëtarët mendojnë krijimin e një bashkimi të vërtetë monetar me një monedhë të përbashkët (rubla euraziatike?), që mund të përdoret si njësi llogarie, mjet pagese dhe depozitim valute.
Siç e vërteton edhe eksperienca e eurozonës, një union monetar kërkon një bashkim të plotë bankar, fiskal dhe ekonomik. Dhe pasi vendet anëtarë heqin dorë nga sovraniteti i tyre për çështjet bankare, fiskale dhe ekonomike, atyre do u duhet ndoshta një bashkim i pjesshëm politik për të garantuar legjitimitetin demokratik.
Duhet kuptuar se një plan i tillë mund të kërkojë kapërcimin e sfidave të mëdha si dhe burime shumë të mëdhenj financiarë përgjatë një periudhe disadekadëshe. Por hapi i parë është një bashkim doganor, dhe në rastin e Bashkimit Euraziatik, ai duhej që të përfshinte Ukrainën, fqinji më i madh i Rusisë në perëndim. Prandaj Putini i ushtroi kaq shumë presion ish presidentit Viktor Janukoviç, që të braktiste marrëveshjen e asociimit me BE-në. Kjo është gjithashtu arsyeja përse Putini reagoi ndaj rrëzimit të Janukoviçit duke pushtuar Krimenë dhe destabilizuar Ukrainën lindore.
Ngjarjet e fundit i kanë dobësuar edhe më shumë fraksionet mbështetës të tregut të lirë dhe properëndimorë në Rusi dhe kanë forcuar fraksionet nacionalistë, që mbështetin kapitalizmin shtetëror, të cilët tani po nxisin për një krijim sa më të shpejtë të Bashkimit Euraziatik. Në mënyrë të veçantë, tensioni me Europën dhe SHBA për Ukrainën do të zhvendosë eksportet energjetikë dhe të lëndëve të para të Rusisë drejt Azisë dhe Kinës.
Po kështu, Rusia dhe partnerët e saj të BRICS (Brazili, India, Kina dhe Afrika e Jugut) po krijojnë një bankë për zhvillim që do të shërbejë si alternativë ndaj FMN dhe Bankës Botërore që kontrollohen prej perëndimit. Zbulimet për përgjime elektronikë nga SHBA mund të shtyjnë Rusinë – dhe shtete të tjerë joliberalë – që të kufizojnë aksesin në internet dhe të krijojnë rrjetet e tyre të kontrolluar në nivel kombëtar. Ka zëra madje se Rusia dhe Kina po krijojnë një sistem alternativ ndërkombëtar pagesash, për të zëvendësuar sistemin SWIFT, që SHBA dhe Europa mund ta përdorin për të vendosur sanksione kundër Rusisë.
Krijimi i një Bashkimi Euraziatik të plotë – një që të jetë gradualisht më pak i lidhur me Perëndimin përmes lidhjeve tregtare, financiare, ekonomike, të pagesave, komunikimit dhe atyre politike – mund të jetë një ëndërr. Mungesa e reformave në Rusi, si edhe prirjet demografike negative lënë të kuptohet se potenciali i rritjes është i ulët si dhe burimet financiarë janë të pamjaftueshëm për të krijuar bashkimin fiskal dhe atë të transfertave, që nevojitet për të afruar edhe vendet e tjerë.
Por Putini është ambicioz dhe – ashtu si autokratë të tjerë në shtetet e Azisë Qendrore – ai mund të qëndrojë në pushtet për dekadat që do të vijnë. Dhe na pëlqen apo jo, edhe një Rusi të cilës i mungon dinamizmi i nevojshëm për të patur sukses në prodhim dhe në industritë e të ardhmes, do të mbetet një superfuqi prodhuese mallrash e shërbimesh.
Fuqitë revzioniste si Rusia, Kina dhe Irani duken të gatshëm t’i kundërvihen rendit global ekonomik dhe politik, që SHBA dhe Perëndimi ndërtuan pas kolapsit të Bashkimit Sovjetik. Por tani, një prej këtyre fuqive revizioniste – Rusia – po punon në mënyrë agresive për të rikrijuar një pothuajse-perandori dhe një sferë influence.
Fatkeqësisht, sanksionet që SHBA dhe BE po i vënë Rusisë, ndonëse të nevojshëm, mundet që thjeshtë të forcojnë bindjen e Putinit dhe këshilltarëve të tij nacionalistë sllavofilë, se e ardhmja e Rusisë është jo në perëndim, por në një projekt të veçantë integrues në Lindje. Presidenti i SHBA, Barack Obama thotë se ky nuk është fillimi i një tjetër Lufte të Ftohtë. Tendencat e sotme, shumë shpejt mund të na tregojnë të kundërtën. /Project Syndicate/ Profesor në New York University Stern School of Business. Kryetar i “Roubini Global Economics”. Ish Kryetar i Këshillit të Këshilltarëve Ekonomikë të Shtëpisë së Bardhë/
Pershtatur ne shqip nga BOTA.AL
4 minutes read