Mistere

Vrasja e Vilma Montezit

Screen Shot 2016-03-25 at 09.01.48Në prill 1953, trupi i pajetë i 21-vjeçares Vilma Montezi u gjet në një plazh në Ostia, qytet në afërsi të Romës. Ajo ishte gjysmë i zhveshur, ndërsa në trup kishte vetëm bluzën dhe mbathjet. Para zbulimit të trupit të saj, askush nuk e kishte parë dy ditët e fundit, pasi ajo u largua në darkë me familjen e saj duke hipur në një tren për në Ostia.
Shumë shpejt, policia përjashtoi mundësinë e vetëvrasjes. Tek e fundit Montezi qe një vajzë e zakonshme e klasës punëtore, e lidhur me një polic dhe me plane për t’u martuar. Me çfarë mund të ishte përzier ajo? Në vend të kësaj, policia arriti në përfundimin se Montezi shkoi të freskonte këmbët e saj në ujë, ndërsa u përfshi befas nga një dallgë e papritur dhe u mbyt.
Pas pesë ditësh, rasti u mbyll. Nuk ishte gjë tjetër veçse një aksident tragjik. Por çështja Montezi, siç u bë e njohur, nuk ishte aq e thjeshtë. Në fakt, ajo së shpejti tronditi të gjithë establishmentin politik, duke çuar në dorëheqjen e Ministrit të Jashtëm dhe një humbje të besimit të qeverisë demokratike të Italisë post-fashiste.
Gjithçka filloi disa muaj pas vdekjes së Montezit, kur gazeta neo-fashiste “Attualita” pohoi se vdekja e Montezit nuk qe aksidentale.  Në vend të vajzës së mirë që portretizuan mediat, ajo kishte qenë e përfshirë me një rrjet të përdorimit të narkotikëve dhe pjesëmarrëse në orgji të egra në një vilë në Capocatto, në pronësi të një fisniku të moshuar, Markezit Ugo Montanja.
Pas një mbidoze opiumi, Montezi kaloi në gjendje kome. Ajo më pas u hodh në plazh, ku u la të vdesë. Redaktori i gazetës, Silvano Muto, shumë shpejt e pa veten në gjykatë, i akuzuar për “përhapjen e lajmeve të rreme me qëllim prishjen e rendin publik”. I sfiduar për të mbështetur pretendimet e tij, Muto solli të dëshmojë në gjyq aristokraten milaneze Ana Maria Kalio, njëra nga ish-dashnoret e Montanjës.
Kalio pretendoi se Montanja dhe miku i tij muzikant, Piero Piçoni, djali i ministrit të Jashtëm, drejtonin një rrjet të narkotikëve dhe qëndronin pas zhdukjes së një numri të grash të tjera të reja. Autoritetet lokale ishin korruptuar për t’ë mbajtur gjërat në qetësi dhe mbyllur rastin. Dëshmia e Kalios shkaktoi një trazirë.
Opinioni publik u polarizua, ndërsa si Piçoni ashtu edhe shefi i policisë në Romë, Saverio Polito, dhanë dorëheqjen nga postet e tyre.  Montanja, Piero Piçoni dhe Saverio Polito u gjykuan më pas për krimet e tyre të dyshuara, por në fund të tre u shpallën të pafajshëm. Babai i Montezit, një marangoz i respektuar, ndërsa ishte në fillim skeptik ndaj aktiviteteve të vajzës së tij, shumë shpejt filloi të besojë se ajo ishte vrarë. Rreth 63 vjet më vonë, rrethanat që çuan në vdekjen e Montezit nuk janë ende të qarta./bota.al

Leave a Reply

Back to top button