Shendeti

Vuan nga djersitja e tepërt? Ja se cilat mund të jenë shkaqet

Nëse djersini tepër, nuk duhet të shqetësoheni. Djersitja është një reaksion normal dhe fiziologjik i organizmit në kushtet e rritjes së temperaturës së brendshme. Shqetësuese do të ishte mungesa e djersës me rritje progresive të temperaturës. Hiperhidroza, ose djersitja e tepërt, është më shumë një problem psikologjik se sa realisht një problem me pasoja shëndetësore. Shkaqet mund të jenë nga më të ndryshmet.

  1. Hiperhidroza primare fokale

Është një sëmundje me shkak të panjohur (idiopatike), e cila karakterizohet nga shtimi i djersës në zonat e sqetullave, duarve dhe fytyrës. Mendohet të jetë e lidhur me gjenetikën, por ende nuk i njihet shkaku i vërtetë. Ka trajtim si gjendje, edhe pse nuk është shqetësuese për shëndetin. Trajtimin mund ta kërkoni vetëm kur bëhet tepër shqetësuese ose bezdisëse për ju.

  1. Shtatzënia

Shtatzënia është një fazë që shoqërohet me një sërë ndryshimesh hormonale, shtim të metabolizmit dhe rritje të peshës. Të gjitha këto janë gjendje kur rritet sasia e djersës, pra djersitja është në terren tërësisht fiziologjik. Është diçka e pritshme dhe nuk ka pse të merren trajtime, pasi më shumë do t’ju dëmtonin për fëmijën tuaj, se sa do t’ju ndihmonin për djersët.

  1. Problemet me gjendrën e tiroides

Janë probleme të rëndësishme që lidhen kryesisht me shtimin e hormoneve të gjendrës së tiroides, duke çuar në atë që quhet Hipertireozë. Në këto raste, hormonet e tiroides rrisin metabolizmin bazal, shtojnë temperaturën e trupit duke çuar në shtim të djersitjes. Nga ana tjetër japin edhe një sërë ndryshimesh të tjera në organizëm, si takikardi, rënie në peshë, diarre etj. Trajtimi në këtë rast do të bëhet duke trajtuar problemin me hormone e tiroides.

  1. Perimenopauza

Faza paraprake e menopauzës, pra hyrja në menopauzë shoqërohet gjithashtu me ndryshime hormonale dhe me shkatërrim të folikujve në vezore. Këto ngjarje lidhen me rritje të temperaturës duke çuar në krijimin e afsheve të nxehta (tipike në menopauzë), sidomos gjatë natës dhe me djersë të shumta. Terapia hormonale e menopauzës i zgjidh disi këto probleme, megjithëse janë fenomene fiziologjike.

  1. Diabeti

Djersët tek diabetikët janë tepër të shpeshta. Janë gjithashtu një element që i bën diabetikët të kuptojnë, kur është duke i rënë niveli i sheqerit në gjak. Pra hipoglicemia shkakton djersë të ftohta tek diabetikët. Nga ana tjetër, hasen edhe djersët gjatë natës. Më tepër se sa të lidhura me diabetin, mendohet të jenë të lidhura me ndryshime hormonale.

  1. Hiperhidroza medikamentoze

Hiperhidroza medikamentoze ka të bëjë me shtimin e djersitjes për shkak të medikamenteve të ndryshme që shtojnë djersët. Këtu futen medikamentet kardiovaskulare, si ato të trajtimit të hipertensionit arterial, kemiopreparatet dhe një sërë medikamentesh të tjera. Problemi zgjidhet vetëm me heqjen e medikamenteve, gjë që në disa raste nuk mund të bëhet pasi çon në pasoja më të rënda për patologjinë kryesore.

  1. Ankthi

Gjendja “lufto ose ik”, pra gjendja e ankthit me shtim të të rrahurave të zemrës, të frymëmarrjes, gjendje paniku, shoqërohet edhe me shtim të djersëve, përgjithësisht të ftohta. Ankthi kërkon trajtim, pasi nuk kalon vetë. Përkundrazi, nëse nuk realizohet trajtimi i duhur psikosocial ose medikamentoz, ai vjen duke u shtuar. Trajtimi i ankthit shoqërohet edhe me reduktim të djersëve.

Back to top button