Kur Genghis Khan i hyri aventurës për të sunduar botën në vitin 1206, bota ishte vetëm fushat dhe kodrat të stepës Mongole dhe populli i saj ishin Mongolët nomadë dhe fisnorë. Kur bota u zgjerua duke përfshirë më shumë rrafshnaja dhe më shumë popuj fisnorë – Ujgurët, Naimanët dhe Tartarët – edhe ata u pushtuan dhe luftëtarët e tyre u bashkuan me hordhitë mongole. Si një top ortek, ushtritë mongole rriteshin teksa pushtonin, dhe pushtonin duke u rritur. Përfundimisht, bota e tyre u bë më e huaj dhe më komplekse. Deri në vitin 1220, Mongolët kishin depërtuar përtej lumit Kalka duke u ndeshur në beteja me Rusët e Kiev, në një tokë me shkrim cirilik, principata feudale dhe temjanin e Krishterimit Ortodoks Lindor. Në lindje, Mongolët kishin luftuar me ushtritë mercenare të Xias Perëndimore të dhe Dinastisë Jin të Kinës – një botë me intriga oborresh, pasuri të madhe dhe e lidhur fort me rendin shoqëror konfucian. Në jug ata kalëruan nëpër shkretëtirat me pluhur të Kaukazit, për të sfiduar Shahun Ala ad-Din Muhamed, me shpatat që vringëllinin nën minaretë elegante të Islamit.
Genghis Khani ishte një reformator, por perandoria e tij ishte një perandori e rritjes – nëse mund të konsiderohej thjesht barbar nga armiqtë e tij, ai u bë shumë, shumë i zoti në të qënit një barbar. Ai i shndërroi fiset e copëzuara të Mongolisë në një ushtri të pamëshirshme dhe të koordinuar kalorësish, që mund të adaptohej dhe të mësonte nga çdo armik që vinte përfund, duke përftuar mjekësinë islamike, harqet kineze dhe motorët evropianë të rrethimit, për t’u forcuar. Mbajtja e frerëve të një perandorie të gjerë shumëkombëshe, ndryshon shumë nga fitimi i një perandorie të tillë. Nipi i Genghisit, Kublai Khan pasoi vëllanë e tij të madh Möngke kur mori detyrën e Khan të Madh në 1260. Kublai trashëgoi një perandori me probleme që nuk mund të zgjidheshin thjesht duke marrë krahët e armikut në betejë dhe duke prerë disa koka.
Möngke Khan kishte vdekur në Kinë, në mesin e një mosmarrëveshjeje të madhe sektare midis Budistëve fanatikë dhe Taoistëve, që ai e kishte udhëzuar Kublain ta zgjidhte, kështu që ky Khan i ri i Madh, mbase më shumë se cilido nga paraardhësit e tij, e kuptoi se sa shumë ky mozaik gjuhësh, besimesh dhe etnish mund ta copëtonin perandorinë. Ai u rrethua me këshilltarë të besimeve të ndryshme dhe filloi të ndërtojë besim midis popujve të perandorisë së tij dhe lordit të tyre ‘barbar’. Kublai Khan zyrtarizoi shpërndarjen e ndihmave për të sëmurët, jetimët dhe studiuesit e moshuar me zyrtarë të dedikuar, dhe një census vjetor do të regjistronte të korrat dhe do të vlerësonte dëmet e shkaktuara nga lufta, uria dhe përmbytjet, duke shpërndarë grurë nga hambare të ndërtuara posaçërisht për të lehtësuar barrën.
Liria fetare u rrit dhe infrastruktura u reformua. U ndërtua Kanali i Madh, rrugët u përmirësuan, u futën paratë e letrës dhe u hap për herë të parë një sistem i ri postar, me kalorës që shkonin e vinin midis stacioneve postare dhe ndryshonin kuajt në secilin prej tyre, për të mbajtur çdo skaj të kësaj mbretërie të gjerë në komunikim të vazhdueshëm. Perandoria e tij administrohej nga një kastë shumëkombëshe funksionarësh, origjinën e të cilëve ai i kishte ndarë në katër kategori besueshmërie: së pari, Mongolët; së dyti, njerëz të tjerë të Azisë Qendrore; së treti, mançurianët dhe koreanët; dhe më pas të fundit, kinezët. Ndërkohë, ambasadorët dhe udhëtarët nga larg ishin të mirëpritur me krahë të hapura, për njohurinë dhe pasurinë që mund të sillnin – misionarët e krishterë madje ndërtuan kisha.
Ndërsa kryeqyteti i Genghis Khanit ishte Karakorumi, thellë në qendrën e tij mongole, Kublai dëshironte një kryeqytet të denjë për një perandor, në mbretërinë ku ai kishte kaluar rininë e tij. Ai e vendosi oborrin e tij në një “kryeqytet dimri” të ndërtuar rishtas – ashtu si nomadët tradicionalë, i gjithë oborri mongol do të udhëtonte me stinët, duke ndjekur dritën në klimat më të ngrohta – në atë që është sot Pekini. I njohur si Dadu në gjuhën kineze (që do të thotë ‘kryeqytet i madh’), në gjuhën mongole quhej Khanbaliq – Qyteti i Khanit, dhe Kulla e Daulleve qëndron edhe sot e kësaj dite, në zemër të kryeqytetit modern të Kinës.
“Rrugët janë aq të drejta dhe të gjera, sa që ju mund të shihni drejt përgjatë tyre nga skaji në skaj, dhe nga një portë në tjetrën. Dhe lart e poshtë qytetit ka vende të bukura, shumë hosteletë mrekullueshme si dhe shtëpi të bukura”, shkruante vizitori më i famshëm i huaj i Kublai Khanit, udhëtari dhe tregtari italian, Marco Polo.
Në qendër të Khanbaliqit ishte pallati i Khanit, lyer me të kuqe dhe të bardhë, ku nën syrin vigjilent të një mijë rojeve, ai mbante katër gratë e tij në një luks të jashtëzakonshëm. Në verë, oborri do të ngrinte plaçkat dhe do të kthehej në Mongoli, në qytetin me çadra e të rrethuar me mure, Shangdu – i njohur si Xanadu. Polo përshkruante dy pallate të gjera, njëri prej mermeri dhe i mbushur me “dhoma të gjitha të praruara dhe të pikturuara me figura burrash, kafshësh dhe zogjsh, dhe me një larmi pemësh dhe lulesh, të gjitha të realizuara me një art kaq fin, sa të shtangin e të mrekullojnë”, dhe një pallat tjetër prej druri që mund të shembej dhe ringrihej sipas dëshirave të perandorit.
Nëse Shangdu ishte mishërimi i pasurisë së Kublai Khanit, oborri i tij në Khanbaliq ishte mishërim fizik i pushtetit të tij, dhe pakënaqësisë që filloi të përhapet si ndryshku ndaj këtij pushteti. Perandori i parë jo-Kinez që sundoi të gjithë Kinën, Kublai Khan ishte monarku i një kombi që kishte besuar se ishte qytetërimi i fundit, një qytetërim që përdorte të njëjtën fjalë edhe për “i huaj” edhe për “bishë”. Tani ata sundoheshin nga një fuqi e re që përfaqësonte gjithçka barbare dhe të pagdhendur, siç ata besonin se ishin të huajt, pa harruar se këta të huaj kishin shtypur Dinastinë Song.
Kublai Khan u përpoq të rishfaqej si një sundimtar i përshtatshëm për Kinën – ai rivendosi ritualet Konfuciane që kishin qenë një shenjë dalluese e oborrit të Song, duke shastisur gjeneralët dhe këshilltarët e tij mongolë me entuziazmin e papritur për këngë dhe valle në sallat e qeverisë. Ai i ndërtoi tempuj babait të tij, Tolui, dhe gjyshit të tij, Genghis, duke rehabilituar këta ish-pushtues nga stepat, sipas traditës kineze të adhurimit të stërgjyshërve, dhe i dha djalit të tij të dytë, Jin Chin, arsim kinez, së bashku me një prezantim me budizmin dhe konfucianizmin. Burokracia komplekse e dinastisë Song, gjashtë ministritë e qeverisë qendrore, këshilli i qeverisës Sekretariatit dhe administrata me shumë nivele labirintike të krahinave u ruajtën. Pasardhësit e tij u skalitën në mitologjinë e Kinës si Dinastia Yuan, po aq e skalitur hyjnisht në fron, sa edhe rendi që kishte zëvendësuar.
Me njërën këmbë në trazira dhe një tjetër të mbështjellë me mëndafshët e imët të jetës së oborrit kinez, Kublai Khan mund të jetë ribërë, si fytyra e fundit e traditës perandorake kineze, por imazhi i tij si një luftëtar i pamëshirshëm ishte në dyshim. Në sytë e kritikëve të tij, Kublai Khan kishte pushuar së qeni trashëgimtari i Genghisit, thundrat e të cilit mbillnin terror në zemrat e mbretërve dhe perandorëve. Për të qetësuar përkrahësit e tij tradicionalë, Kublai Khani injoroi këshilltarët e tij kinezë dhe nisi përpjekjet katastrofike të pushtimit në Japoni në 1274 dhe 1281, dhe në Java në 1293. Të planifikuar dhe ekzekutuar dobët, edhe pushtimet e tij të suksesshme – Vietnami në 1284 dhe 1287, dhe Birmania në 1277 dhe 1283 – i dhanë Perandorisë Mongole një goditje trupi në portofol dhe paratë e tij revolucionare prej letre, u desh të zëvendësuan nga një njësi krejt e re, në përpjekje për të anarkinë financiare.
Ndërsa Mongolët brenda oborrit të Kublai Khan e ngopnin etjen për gjak në xhunglat e Azisë Juglindore, duke i skuqur shpatat dhe mbushur xhepat me plaçkë të mjaftueshme për të injoruar shndërrimin e Khanit të tyre në Budizëm, ata që ishin në Mongoli nuk ndjeheshin aq shumë pararojë e një perandorie të lavdishme globale, por subjekte të një tirani të largët.
Pjesa më e madhe e Mongolisë në vetvete ishte bërë aq e copëtuar dhe pa ligje nën Kublain, sa edhe kishte qenë para ngritjes së Genghisit. Nayan, një pasardhës i gjysmë vëllait të Genghis Khanit, Belguteit, u bë aleat me Kaidu, udhëheqësin e një Khanate rivale mongole e cila kishte mbështetur vëllain e vogël të Kublait në luftën e hershme civile dhe kishte udhëhequr një rebelim kundër Kublait.
Kublai, ose duke besuar se kërcënimi ishte aq i madh sa ai duhej të përgjigjej personalisht, ose duke menduar se ishte në rrezik identiteti i tij si mongol, duhej të shihej tek hakmerrej në mënyrën e të parëve të tij, dhe personalisht të drejtonte një ushtri për të shtypur këtë revoltë në 1287. Në moshën 72 vjeç dhe duke vuajtur nga reumatizma, Kublai nuk mund të kalëronte më dhe u transportua me një kabinë në kurrizin e katër elefantëve, por ai këmbënguli të zbriste në fushëbetejë me armaturën e tij flori dhe blu. Duke i zënë rebelët në befasi, beteja zgjati nga mëngjesi deri në mes të ditës dhe në fund të saj Nayan u ekzekutua në mënyrën tradicionale të mbretërisë mongole: i mbështjellë në qilim, dhe u zvarrit pas një kali derisa vdiq, në mënyrë që “gjaku i prejardhjes së perandorit” të mos derdhej në tokë.
Pavarësisht prirjeve civilizuese dhe pretendimeve për madhështi, Kublai sundoi si Khan – me stepën që kalonte poshtë tij kur galoponte dhe armiqtë që binin si gjethe. Megjithëse Kaidu vazhdoi të sulmojë territorin e Juanit, aleatët e tij u ndëshkuan brutalisht, ushtritë e tyre u shpërndanë në mesin e besnikëve të Khanit, dhe nipi i vetë Kublait u dërgua për ta gjunjëzuar.
Sado që i neveriti tradicionalistët mes popullit të tij, duke hedhur poshtë besimin e tyre shamanistik për budizmin dhe duke sunduar nga Kina, Kublai Khan zgjeroi Perandorinë Mongole në kulmin e saj – duke mbuluar 85.5 milion kilometra katrorë dhe mbi 100 milion njerëz nga skajet e Evropës deri në Lindjen e Largët. Për më tepër, risitë e tij në infrastrukturë dhe artizanat, po aq sa forca e tij e madhe luftarake, nderuan trashëgiminë e Genghis Khanit, si asnjë Khan tjetër.
Genghis ndërtoi një perandori nga shala e kalit, por Kublai ndërtoi një qytetërim nga oborri. / History Revealed – Bota.al