Magazine

Zëri ynë i brendshëm, si lind dhe si e përcakton personalitetin tonë

Nga Philip Jaekl

“Mendoj, pa ekzistoj”, ishte shpallja e filozofit të shekullit XVII-të, Rene Dekart. Kjo e vërtetë u rizbulua në vitin 1887 nga Helen Keler, një vajzë e shurdhër dhe e verbër 7-vjeçare:”Nuk e dija se ekzistoja. Kam jetuar në një botë që nuk ishte një botë … Kur mësova kuptimin e “unë” dhe “mua” dhe zbulova se isha diçka, dhe kështu fillova të mendoja”-shpjegoi më vonë ajo. “Atëherë për mua nisi të ekzistonte vetëdija”- shtoi ajo.

Siç e dinin këta pionierë, një pjesë themelore e përvojës të së ndërgjegjshmes është “fjalimi i brendshëm” – përvoja e mendimit verbal, e shprehur në ‘zërin e brendshëm’ të dikujt. Ky zë i brendshëm, jeni ju. Ky zë, nuk është zëri i ndonjë gjëje. Nuk është as fizik – nuk mund ta vëzhgosh apo ta masësh në asnjë mënyrë të drejtpërdrejtë.

Nëse nuk është fizik, atëherë mund të përpiqemi ta studiojmë vetëm përmes meditimit apo introspeksionit; studentët e zërit të brendshëm janë “të menduarit rreth të menduarit”, një akt që ndihet si i paqartë. Uilliam Xhejms, filozof i shekullit XIX-të, i cili shpesh cilësohet si autori i psikologjisë amerikane, e krahasoi këtë akt me “përpjekjen për të fikun llampën, për të parë se si duket errësira”.

Megjithatë, përmes metodave të reja të eksperimentimit në dekadat e fundit, natyra e të folurit të brendshëm, është më në fund duke u zbuluar. Në një sërë studimesh, skanimet i lejojnë kërkuesit të studiojnë rajonet e trurit të lidhura me fjalimin e brendshëm. Në studime të tjera, studiuesit po hetojnë lidhjet midis fjalimit të brendshëm dhe të jashtëm – që është ajo që themi me zë të lartë.

Rrënjët e këtij lloj studimi gjurmohen që në vitet 1920 nga psikologu zhvillimor rus Lev Vigocki, i cili tha se mendja njerëzore është formuar nga aktiviteti shoqëror dhe kultura, duke filluar që nga fëmijëria.

Vetja, hipotetizoi ai, ishte farkëtuar në atë që ai e quajti “zona e zhvillimit proksimal”, territori kognitiv përtej qasjes sonë, dhe që është i pamundur për t’u arritur pa ndonjë ndihmë nga jashtë. Fëmijët krijojnë partneritete të të mësuarit me të rriturit për të zotëruar një aftësi në zonë, tha Vigocki, pastaj flasin me zë të lartë për të zëvendësuar zërin e të rriturve, që tanimë janë larguar nga vendi i ngjarjes.

Ndërsa njeriu rritet, kjo e “vetë-folur” përvetësohet, dhe pastaj “mbytet” gjithnjë e më shumë derisa të jetë më së shumti e heshtur – ende pjesë e dialogut të vazhdueshëm me veten, por më intime dhe jo aq e shpallur ndaj botës. Ndërkohë psikologu francez, Zhan Pizhe këmbëngulte se fjalimi me veten, do të nënkuptonte një paaftësi, pra bëhej fjalë për një fëmije pa aftësi për komunikim shoqëror, dhe pa asnjë lidhje me funksionimin konjitiv.

Gjatë shumicës së shekullit XX-të, Pizhe këmbënguli se fëmijët duhet të arrinin një fazë zhvillimi përpara se të mësonin. Cila erdhi e para:pula ose veza? Vigocki tha se në fillim

erdhi mësimi, më pas u zhvillua truri. Pizhe pretendonte të kundërtën.

Gjatë viteve të eksperimentimeve rigoroze pas Perdes së Hekurt, rusi Vigocki vazhdoi të mbështeste tezën e tij. Ai vuri re se femijët vetë-flasin ndërmjet moshës 2-8 vjeç. Nga viti 1970, pionere e studimeve në këtë fushë ishte psikologia amerikane Laura Berk, profesore në Universitetin Shtetëror të Ilinoisit në SHBA, një eksperte mbi lojërat e fëmijërisë.

Fëmijët e vëzhguar nga Berk, u angazhuan në lojëra imagjinative, dhe treguan se zëvendësimi i objekteve – si për shembull një filxhan për një kapele – kërkon një mendim të brendshëm (dhe fjalosje me veten) sesa impuls. Studimet e saj tregojnë se gjatë lojës imagjinative, fjalimi i brendshëm i ndihmon ata të udhëheqin mendimet dhe sjelljet e tyre, dhe të ushtrojnë një vetëkontroll real.

Por mbeten ende shumë pikëpyetje. A e përjetojnë njerëzit në moshë madhore fjalimin e brendshëm, në të njëjtën mënyrë si fëmijët? A kanë shumica prej nesh një zë të brendshëm – një komentator të brendshëm që tregon jetën dhe përvojat tona nga një moment në tjetrin?

Këto pyetje kapën imagjinatën e Rafael Harlbërt, një student i sapodiplomuar në inxhinierinë aeronautike, i kthyer në një psikologjik klinik në Universitetin e Dakotës së Jugut. Harlbërt kishte parashikuar një mënyrë për të provuar me saktësi përvojat e brendshme të rastësishme të të tjerëve.

Harlbërt e quan metodologjinë e tij Përvoja Deskriptive e Mostrës (DES), dhe funksionon duke marrë mostrat e mendimeve të brendshme të një të intervistuari të caktuar gjatë atyre momenteve. Pas nxjerrjes së përmbajtjes së përvojës së brendshme nga intervista të panumërta, Harlbërt ka përcaktuar një sërë fenomenesh zakonisht të ndara nga njerëzit – imazhet dëgjimore dhe vizuale, emocione, vetëdije e stimujve të vërtetë dhe një kategori mendimesh që ndodhin pa fjalë, imazhe apo simbole të çdo lloji.

Me DES, Harlbërt beson në mundësinë e marrjes së fotografive të paanshme dhe të sakta të përvojës së brendshme që përfshin fjalimin e brendshëm. Harlbërt ka zbuluar se ne zakonisht flasim vetë me zërat që i konsiderojmë si tonat dhe ndonëse të heshtur, u atribuojmë këtyre zërave karakteristika zanore.

Ne investojmë tek ato cilësi emocionale të ngjashme me fjalimin e jashtëm. Së fundi, fjalimi i brendshëm ndodh kryesisht në fjali të plota, dhe pothuajse gjithmonë prodhohet në mënyrë aktive dhe jo pasive. Por ka njerëz që e përjetojnë pasivisht zërin e brendshëm, duke qenë në thelb si haluçinacione auditive që nuk mund t’i kontrollojnë.

Dhe vlera e kuptimit të haluçinacioneve të tilla është e qartë:ato janë një shenjë dalluese e skizofrenisë, një gjendje që prek pothuajse 24 milionë njerëz në mbarë botën. Por studiuesit kanë arritur në përfundimin se një pjesë e vogël, por e rëndësishme e popullsisë, përjetojnë haluçinacione auditive – një fenomen që studiuesit e quajnë ‘dëgjim zëri’, për ta dalluar atë nga skizofrenia.

Zëra të tillë, janë raportuar nga individë të shquar gjatë historisë. Filozofi grek Sokrati e përshkroi atë që ai e quajti një “shenjë demoniake”, një zë i brendshëm që paralajmëronte se ai ishte gati të bënte një gabim. Zhan D’Ark përshkroi dëgjimin e zërave hyjnorë që nga fëmijëria – të njëjtat zëra që ndikuan në motivimin e saj për të ndihmuar ushtrinë franceze në rrethimin e Orleanit.

Autori mistik dhe autobiografi i shekullit XV-të Margeri Kempe shkroi për bisedat e brendshme me Zotin. As Sigmund Frojdi nuk ishte imun:E gjithë kjo çon në një tjetër pyetje të ngatërruar:a mbërrijnë mendimet verbale vetëdijen, vetëm në majë të një ‘ajsbergu mendor’, duke ofruar vetëm një shfaqje të shkurtër të mendjes së pandërgjegjshme? Kjo mundësi u parashtruar nga Vigocki.

Çfarëdo që ne të zbulojmë në fund, vepra pionere e psikologut rus mbi zhvillimin njerëzor, premton të ndriçojë më shumë sekrete të pavetëdijes dhe vetëdijes me kalimin e kohës. Sot, shkenca e re e fjalimit të brendshëm është “duke e fikur llampën, po aq aq shpejt sa edhe ndriçon errësirën”.

Marrë me shkurtime nga Aeon / bota.al

Leave a Reply

Back to top button