Nëse një qeveri humb shumicën e saj parlamentare, zgjedhjet e parakohshme bëhen të nevojshme në Gjermani. Kjo ka qenë historikisht zgjidhja e fundit për të rivendosur stabilitetin politik dhe për të rifituar besimin e votuesve
Qeveria e koalicionit trepartiak në Gjermani është zhytur prej kohësh në grindje të brendshme. Zgjedhjet e ardhshme të përgjithshme janë planifikuar për në shtator 2025. Por ka spekulime se qeveria e kancelarit Olaf Scholz mund të shpërbëhet para kësaj date.
Zgjedhjet e përgjithshme mbahen në Gjermani çdo katër vjet. Megjithatë, zgjedhjet e parakohshme mund të zhvillohen gjatë krizave politike kur kreu i qeverisë, kancelari, ka humbur mbështetjen në parlament.
Zgjedhjet e parakohshme kanë qenë jashtëzakonisht të rralla në Gjermani, por ato janë një masë jetike demokratike. Ato rregullohen nga kushtetuta gjermane dhe kërkojnë miratimin e disa organeve kushtetuese, jo më pak të kreut të shtetit, Presidentit.
Dy skenarë të mundshëm
Sipas kushtetutës gjermane, vendimi për mbajtjen e zgjedhjeve të parakohshme federale nuk mund të merret nga deputetët e dhomës së ulët të parlamentit, Bundestagut dhe as kancelari. Shpërndarja e parakohshme e parlamentit mund të ndodhë vetëm në një nga këto dy mënyra.
Në rastin e parë, nëse një kandidat për kancelar nuk fiton një shumicë absolute parlamentare – të paktën 367 vota në Bundestagun me 733 vende – presidenti gjerman mund të shpërndajë parlamentin. Kjo nuk ka ndodhur kurrë në historinë e Republikës Federale të Gjermanisë.
Në rastin e dytë, një kancelar mund të kërkojë një votëbesim në Bundestag për të konfirmuar nëse ai ose ajo ka ende mbështetje të mjaftueshme parlamentare. Nëse kancelari nuk arrin të fitojë shumicën, ai ose ajo mund t’i kërkojë zyrtarisht Presidentit të shpërndajë Bundestagun brenda 21 ditëve.
Pas shpërndarjes së parlamentit, zgjedhjet e reja duhet të mbahen brenda 60 ditëve. Ato organizohen në të njëjtën mënyrë si zgjedhjet normale të përgjithshme.
Tre zgjedhje të parakohshme të Bundestagut janë mbajtur deri më sot në Republikën Federale të Gjermanisë: në vitet 1972, 1983 dhe 2005.
Willy Brandt
Willy Brandt, kancelari i parë nga Partia Social Demokratike (SPD) e qendrës së majtë, qeverisi në një koalicion me Partinë Demokratike të Lirë (FDP) duke filluar nga viti 1969. “Ostpolitika” e tij (politika drejt Lindjes) çoi në një votëbesim në vitin 1972. Brandt e kishte çuar përpara politikën e tij të afrimit gjatë Luftës së Ftohtë për të lehtësuar marrëdhëniet me bllokun socialist të Evropës Lindore. Ishte shumë e debatueshme në Gjermaninë Perëndimore. Përçarje të mëdha u shfaqën brenda qeverisë, duke bërë që disa ligjvënës të Bundestagut nga SPD dhe FDP të largoheshin. Shumica e qeverisë u reduktua në mënyrë dramatike dhe mbështetja e Brandt ra në barazi me konservatorët e opozitës, Bashkimin Kristian Demokrat (CDU) dhe Unionin Kristian Socialist Bavarez (CSU): secila palë kishte 248 përfaqësues në Bundestag.
Ky ngërç paralizoi procedurat, kështu që Brandt kërkoi një zgjidhje. Më 24 qershor 1972, ai deklaroi se “qytetarët” kishin “të drejtën të siguronin që legjislacioni të mos ndalej”. Ai tha gjithashtu se ekziston një rrezik në rritje “që opozita të refuzojë të bashkëpunojë në mënyrë konstruktive. Prandaj, unë po shpall se ne po kërkojmë zgjedhje të reja.”
Brandt bëri thirrje për votëbesim në Bundestag me synimin për ta humbur atë, në mënyrë që kancelari i tij të rikonfirmohej nga votuesit në zgjedhjet e reja. Kjo lëvizje u kritikua ashpër, edhe nga juristët konstitucionalistë, të cilët argumentuan se humbja e qëllimshme e votëbesimit nuk ishte në përputhje me frymën e kushtetutës, Ligjit Themelor.
Brandt i qëndroi planit të tij dhe thirri një votëbesimi më 20 shtator 1972 – dhe humbi, siç kishte planifikuar. Kjo hapi rrugën për shpërbërjen e Bundestagut dhe zgjedhjet e reja, të cilat u mbajtën më 19 nëntor 1972. Brandt u rizgjodh kancelar. SPD mori 45.8% të votave – rezultati më i mirë i saj deri më sot. Pjesëmarrja në votime ishte më e larta ndonjëherë për zgjedhjet e Bundestagut, me 91.1%.
Helmut Kohl
Helmut Kohl, kancelari i ardhur nga CDU, ishte përgjegjës për zgjedhjet e dyta të parakohshme të Bundestagut, në vitin 1983. Kohl mori pushtetin pas një votimi konstruktiv besimi ndaj kancelarit të atëhershëm Helmut Schmidt (SPD), në tetor 1982. Shumica e parlamentarëve e kishin tërhequr besimin e tyre për Schmidt, për shkak të dallimeve mbi politikën e tij ekonomike dhe të sigurisë.
Për shkak se koalicioni i Kohl-it i CDU/CSU dhe FDP erdhi në pushtet përmes një votimi mosbesimi dhe jo zgjedhjeve të përgjithshme, Kohl dëshironte legjitimitet shtesë përmes zgjedhjeve të përgjithshme. Ai bëri thirrje për një votëbesim, të cilin edhe ai e humbi qëllimisht më 17 dhjetor 1982. Kjo rezultoi në shpërbërjen e Bundestagut. Kohl tha në atë kohë: “Unë hapa rrugën për zgjedhje të reja në mënyrë që të stabilizoj qeverinë dhe të marr një shumicë të qartë në Bundestag”.
Disa anëtarë të Bundestagut e konsideruan të papranueshme dhe paraqitën një ankesë në Gjykatën Kushtetuese Federale të Gjermanisë. Pas 41 ditësh seancash, gjyqtarët e Karlsruhes miratuan rrugën e Kohlit drejt zgjedhjeve të reja me një votë mosbesimi të qëllimshme. Megjithatë, ata theksuan se një votëbesim ishte i lejueshëm vetëm gjatë një krize “të vërtetë”. Zgjedhjet e reja të mbajtura më 6 mars 1983, konfirmuan Kohlin si kancelar dhe qeveria e tij vazhdoi me një shumicë të qartë.
Gerhard Schröder
Gerhard Schröder i SPD-së inicioi zgjedhjet e treta të parakohshme në Gjermani, në vitin 2005. Ai ishte atëherë kancelar dhe kryesoi një koalicion me të Gjelbërit. SPD ishte duke luftuar pas një sërë humbjesh në zgjedhjet shtetërore dhe mbështetjes në rënie në Bundestag. Mbështetja në pakësim vinte kryesisht për shkak të reformave të diskutueshme të Axhendës 2010 të Schröder-it, të cilat kishin ndryshuar në mënyrë drastike sistemin social dhe tregun e punës. Schröder bëri thirrje për një votëbesim, të cilin ai e humbi qëllimisht më 1 korrik 2005, duke shkaktuar kështu zgjedhje të reja.
“Unë jam plotësisht i bindur se shumica e gjermanëve duan që unë të vazhdoj në këtë rrugë. Por unë mund të fitoj qartësinë e nevojshme vetëm nëpërmjet zgjedhjeve të reja,” tha Schröder. Por llogaritja e tij dështoi. Zgjedhjet e parakohshme, më 18 shtator 2005, i dhanë CDU/CSU të Angela Merkelit një shumicë të ngushtë. Ajo u bë kancelare, duke kryesuar një koalicion të udhëhequr nga CDU/CSU e të mbështetur nga SPD. Ky ishte fillimi i 16 viteve në detyrë për Merkelin. / Deutsche Welle