Zhanë D’Ark përmendet shpesh sot si një heroinë, dhe si një simbol i hershëm i fuqizimit të gruas. Por gjatë jetës së saj të shkurtër, ajo u konsiderua si heretike, dhe për këtë arsye u dogj në turrën e druve në Ruen të Francës më 30 maj 1431, kur ishte vetëm 19 vjeçe. Po kush ishte Zhana, dhe si e transformoi historia nga mëkatare në një shenjtore?
Nuk dihet me saktësi data e lindjes, por dihet që lufta la shumë shenja në fëmijërinë e saj
Zhanë D’Ark lindi në fshatin francez Domremi rreth vitit 1412 nga Zhak D’Ark dhe gruaja e tij, Izabela. Fshati i saj i largët në Francën Verilindore, nuk ishte imun ndaj rreziqeve në rritje të Luftës Njëqindvjeçare, një konflikt i vjetër midis Francës dhe Anglisë, që zgjati nga viti 1337 deri më 1453.
Në atë kohë bastisjet ishin të zakonshme, sidomos pasi zona ku jetonte Zhana dhe familja e saj kontrollohej nga Burgundianët, një fraksion aleat me Anglinë kundër familjes mbretërore franceze. Gjatë një incidenti, fshati i saj i lindjes u dogj.
Zhana nisi të kishte vizione që kur ishte vetëm 13 vjeçe
Ndërsa Zhanë D’Ark i kaloi vitet e saj të adoleshencës duke luftuar përkrah ushtrinë franceze afër fundit të Luftës Njëqindvjeçare, gatishmëria e saj për të shkuar në luftë nuk ishte vetëm një akt patriotizmi. Në vitin 1424, ajo filloi të kishte vizione. në të cilat Kryeëngjëlli Mikael,Shën Katerina e Aleksandrisë dhe Shën Margareta e Antiokisë iu shfaqën për ta udhëzuar të bënte një jetë kushtuar Zotit.
Me kalimin e kohës, vizionet u bënë më intensive, dhe shenjtorët e udhëzuan të takohej me princin Dolfin, që do të bëhej mbreti Sharli VII i Francës, të cilin ajo e shihte si trashëgimtarin e ligjshëm të fronit francez. Vizionet e nxitën Zhanën ta bindte atë që ta lejonte të rrëmbente armët kundër anglezëve, dhe t’i dëbonte ata nga Franca, gjë që do të sillte ngjitjen e Sharlit në fron.
Në majin e vitit 1428, Zhanë D’Ark u përpoq ta bindte Robert Dë Bodrikur, komandantin një garnizoni mbretëror, që ta lejonte të takonte Sharlin. Në fillim u refuzua, por këmbëngulja e saj dha rezultat. Kjo pasi në shkurtin e vitit 1429, Zhana dhe vizionet e saj kishin fituar mjaftueshëm mbështetje nga banorët e qytetit të lodhur nga lufta. Kur po udhëtonte drejt oborrit mbretëror, ajo i preu flokët dhe filloi të vishej si burrë për t’u përzier me ushtarët e tjerë.
Dalloi në mënyrë të saktë Sharlin VII e maskuar
Zhana pretendoi se do të ishte në gjendje ta njihte mbretin edhe pa e takuar ndonjëherë. Ndaj përpara takimit të tyre të parë, mbreti i ardhshëm vendosi ta verifikonte personalisht këtë aftësi. Ai u maskua si një anëtar i thjeshtë i oborrit mbretëror.
Kur mbërriti atje, Zhana ishte ende në gjendje ta njihte atë, dhe Sharli u tregua menjëherë i gatshëm ta dëgjonte. Edhe pse nuk kishte asnjë përvojë ushtarake, vajza arriti që të bindte Sharlin ta lejonte të drejtonte një ushtri në qytetin e Orlanit, që në atë kohë ishte pushtuar nga trupat angleze, në mënyrë që ta mund ta çlironte në emër të tij.
Në prillin e vitit 1429, ndërsa forcat angleze dhe franceze po vazhdonin të luftonin pranë anës perëndimore të qytetit, Zhana dhe trupat e saj hynë nga lindja, praktikisht pa hasur rezistencë, duke pasur me vetë furnizimet dhe përforcimet shumë të nevojshme. Pasi u vendos pranë Orleanit, Zhna – e veshur me armaturë të bardhë dhe e hipur mbi një kalë të bardhë – u bë një frymëzim për ushtarët francezë. Ajo u bë e famshme për sulmet në beteja, shpërndarjen e ushqimit dhe thirrjen e hapur që anglezët të largoheshin nga Franca.
Zhana ishte një simbol i paçmuar i shpresës për francezët, dhe më 8 maj 1429, pas një sërë betejash brenda qytetit, Zhana dhe ushtria e saj ia dolën të dëbojnë anglezët. Pas disa fitoreve të tjera, Zhanë D’Ark mori pjesë në kurorëzimin triumfues të Sharlit në Reims në korrikun e vitit 1429.
U dogj në turrën e druve për herezi dhe magji
Në majin e vitit 1430, Zhana u kap nga trupat burgundiane gjatë një rrethimi në qytetin Kompienj. Ajo iu shit anglezëve për 10.000 franga, dhe u mbajt e burgosur për më shumë se një vit me akuzat për herezi, magji dhe sepse ishte veshur si burrë.
Kjo e fundit ishte e ndaluar drejtpërdrejt në vargun biblik Ligji i Përtërirë 22:5, i cili thotë se gratë nuk duhet të veshin “atë që i përket një burri”. Një proces gjyqësor i njëanshëm e shpalli fajtore.
Më 28 maj 1431, Zhana nënshkroi një deklaratë ku tërhiqej nga pretendimet të saj se kishte folur me shenjtorët, dhe pranoi të vishej vetëm si grua, gjë që do ta kishte ulur dënimin e saj me vdekje në një burgim të përjetshëm. Por disa ditë më vonë, ajo u gjet sërish me veshje burrash, dhe pretendoi se i ishin rikthyer vizionet. Kjo solli edhe rikthimin e dënimit me vdekje.
Zhana vdiq në turrën e druve
Më 30 maj 1431, Zhanë D’Ark u dogj në turrën e druve në sheshin Vieux-Marché në Ruen. Akuzat kryesore nuk përfshinin magjinë, por kishin të bënin me veshjen e rrobave për burrat,dhe pretendimin e rremë se Zoti e kishte nxitur të ushtronte dhunë kundër anglezëve. Nëkohën e ekzekutimit ishte vetëm 19 vjeçe, dhe vlerësohet se 10.000 njerëz u mblodhën për ta parë atë ngjarje. Pas vdekjes së saj, u përhap legjenda, sipas së cilës zemra e Zhanës i kishte mbijetuar deri dikur flakëve.
U shpall shenjtore në vitin 1920
Rehabilitimi i imazhit të Zhanë D’Ark, u bë menjëherë pas ekzekutimit të saj. Në vitin 1456, u mbajt një rigjykim, i urdhëruar nga Mbreti Sharli VII, që përmbysi dënimin e Zhanës, dhe e pastroi emrin e saj nga çdo pretendim i dyshimtë për magji dhe herezi.
Ndërsa do të mbetej një heroinë e Francës për shekuj me radhë, ajo e fitoi pavdekësinë më 16 maj 1920, kur u shpall zyrtarisht shenjtore nga Kisha Katolike, dhe u emërua shenjtore mbrojtëse e Francës, ushtarëve dhe të burgosurve.
“Pasioni i Zhanë D’Ark”, njihet si një nga filmat pa zë më të rëndësishëm
Më pak se 10 vjet pasi u shpall shenjtore nga Papa Benedikti XV, historia e saj u shfaq në ekranin e madh, ndërsa industria e filmit ishte ende në fillimet e saj. Filmi pa zë dhe me titull ”Pasioni i Zhanë D’Ark” i vitit 1928 është produkt i regjisorit Karl Drejer dhe yllit tëkinemasë Rene Falkoneti, që luajti rolin e Zhanës.
Filmi përshkruan burgosjen, gjyqin dhe ekzekutimin. Edhe pse u cilësia për kohën njëdështim për shkak të arkëtimeve të pakta në kinema, ai ka fituar reputacionin e njërit prej filmave më të mirë të epokës së filmave pa zë. Ndërkohë kjo figurë historike ka frymëzuar vepra të panumërta arti.
Përveç statujës së Shën Zhanës në katedralen e Notrë Dam, një nga veprat më të njohura të frymëzuara nga heroi i famshëm francez është piktura e artistit Zhyl Bastien-Lepazh, që
është e ekspozuar në Muzeun Metropolitan të Artit në Nju Jork. Figura e Zhanës u modelua sipas imazhit të Mari-Adel Robert, një nga kushërirat e artistit, dhe u përfundua në vitin1879.
Thënie të famshme të Zhanë D’Ark:
“Unë nuk kam frikë nga armët. Rruga që duhet të ndjek më është bërë e qartë. Nëse do të ketë njerëz të armatosur, Zoti im do të më hapë një shteg për të shkuar tek mbreti. Për këtë kam ardhur”.
“Më mirë do të zgjidhja të vdisja, sesa të bëja diçka që e di se është mëkat, apo të jetë kundër vullnetit të Zotit”.
“Isha 13 vjeçe kur dëgjova një zë nga Perëndia, që më ndihmoi të drejtoja sjelljen time. Dhe herën e parë pata shumë frikë”.
“Fëmijët thonë se njerëzit dënohen ndonjëherë me varje në litar, vetëm pse thonë të vërtetën”.