Speciale

Zoti, pushteti dhe “Game of Thrones”

Por edhe në mbretëritë e imagjinatës, ku duket qartë se i vetmi që ka rëndësi është pushteti, ne nuk mundemi të dëbojmë nga mendja fuqinë e moralit

Screen Shot 2015-04-10 at 11.53.13 AM

David Wolpe*

… Teologjia mesjetare e shihte jetën si një garë mes të mirës dhe të keqes. Ndonjëherë, forcat e të ligës mishëroheshin tek Satanai, apo tek një armik vecanërisht i urryer i cili mishëronte Satananë. Antagonistët fetarë lëshonin akuza me veshje satanike ndaj njëri-tjetrit. Katolikët dhe Protestantët, në mënyrë të përsëritur pretendonin se udhëheqësi i palës tjetër ishte antiKrishti … 

Në serialin “Game of Thrones”, heronjtë kanë vdekje të palumtura, e mira shpesh herë mbetet e pashpërblyer, dhe të ligën e shohim shpesh herë të ngërdheshet e lumtur prej triumfit. Në mënyrë të përsëritur, seriali, ngjarjet e të cilit zhvillohen në një mesjetë mistike por gjithësesi të njohëshme, na vjen si shumë modern.

Teologjia mesjetare e shihte jetën si një garë mes të mirës dhe të keqes. Ndonjëherë, forcat e të ligës mishëroheshin tek Satanai, apo tek një armik vecanërisht i urryer i cili mishëronte Satananë.

Antagonistët fetarë lëshonin akuza me veshje satanike ndaj njëri-tjetrit. Katolikët dhe Protestantët, në mënyrë të përsëritur pretendonin se udhëheqësi i palës tjetër ishte antiKrishti. Themeluesi i protestantizmit, Martin Luteri, 95 tezat e të cilit do të kenë 500-vjetorin në vitin 2017, kishte një aftësi unike sa i përket përfshirjes në polemika të tilla. Për njerëzit në kohën e Mesjetës, pushteti nuk ishte arbitër i asaj që është e mirë – kjo i përkiste Zotit. Dhe e liga nuk buronte prej ideve të keqinterpretuara të interesit vetiak që shtrembërohej rrugës, por prej forcave të errëta të reshtuara kundër Zotit.

Por kjo botë e të mirës dhe të keqes nisi të shpërbëhet me agimin e modernitetit, teksa feja nisi të pësojë sprapsje, dhe qendrën e skenës e pushtoi forca. Napoleoni pushtonte territore, ndërkohë që Friedrich Nietzsche bënte rapsodi për një botë pa Zot. Në vendin e Zotit erdhi pushteti, arbitri final i asaj që është e drejtë. Fitimtarët shkruajnë librat e historisë dhe përcaktojnë moralin. “Game of thrones” përshtat pikërisht këtë ide: Ned Starku mund të ketë qenë i mirë, por nuk ishte i pushtetshëm sa duhej.

Megjithatë, mirësia nuk dëbohet kollaj. Bota Perëndimore në shekullin 21 e mendon pushtetin si kombinim të këtyre dy ideve. Nga njëra anë, teoricienët e politikës flasin për realpolitikën. Askush nuk mendon se marrëdhëniet ndërkombëtare udhëhiqen prej mirësisë. Burra shteti, përfshirë Charles Maurice de Talleyrand- Périgord, Thomas Cromwell, Otto von Bismarck dhe Niccolo Machiavelli i bindeshin kishës, por ata nuk rrëmbeheshin prej doktrinës së saj.

Nga ana tjetër, mirësia rikthehet tinëz në diskursin tonë. Brenda nesh zë vend dyshimi se në fund mirësia do të fitojë, jo vetëm për shkak të fuqisë retorike, por edhe prej arsyeve mistike, fetare, ose supersticioze. Ne nuk mund të heqim dorë nga e drejta dhe e gabuara.

“Game of Thrones” është tronditës sepse në mënyrë të përsëritur njerëz të mirë vdesin, dhe njerëz të këqinj duket sikur kanë sukses. Edhe forcat magjike duken në thelb amorale. Ajo që e bën “Game of Thrones” kaq moderne nuk është loja e moralitetit. Ne nuk presim shembjen e të gjithë ligësisë dhe vërshimin e drejtësisë – këtij seriali i mungon devotshmëria e trilogjisë “Lord of the Rings” apo kronikave të “Narnia”-s. Njerëzit shfrytëzohen dhe hidhen tutje. Beteja që duhet të fitohen, humbiten. Personazheve që duhet të triumfojnë, u pritet koka.
E megjithatë, në mesin e gjithë realiteteve Nietzsche-anë të Westeros, pjesëmarrësit flasin ende në terma moralë. Shpërthimet e ligësisë vazhdojnë të trondisin edhe vetë pjesëmarrësit – sic mund ta shohim tek neveria që ndjejnë njerëzit për mbretin Joffrey.

Kështu që kur, sic ndodhi në fundin e sezonit të kaluar, një njeri i brendshëm dhe manovrues i madh si eunuku Lord Varys shpëton Tyrionin duke e marrë me vete në një arkë, ne bëhemi dëshmitarë të zgjuarsisë politike në shërbim të të mirës. Ai është një aktor Nietzsche-an – ai ia bëri të qartë Ned Starkut se do të vdiste në sezonin e parë, dhe ndjen keqardhje për kokëfortësinë e tij. Megjithatë, e mira nuk largohet aq kollaj nga mendja, as edhe në një mbretëri mitike ku pushteti është arbitri final i të drejtës.
Disa udhëheqës amerikanë janë të përgatitur të përdorin retorikën e të mirës dhe të keqes. Shumë të tjerë janë më të heshtur, duke preferuar të flasin për barazinë ushtarake dhe interesat ndërkombëtarë. Por edhe në mbretëritë e imagjinatës, ku duket qartë se i vetmi që ka rëndësi është pushteti, ne nuk mundemi të dëbojmë nga mendja fuqinë e moralit. Gjuha mund të na vijë jo aq kollaj sa paraardhësve tanë, por ne vazhdojmë të jetojmë në një botë ku mbizotëron e drejta…/Time/ Kryerabin i Tempullit Sinai në Los Angeles

/ www.bota.al

Leave a Reply

Back to top button