Shkence

10 gjëra që mendoni se i dini mbi evolucionin

Screen Shot 2016-04-05 at 23.04.51

Teoria e evolucionit sipas përzgjedhjes natyrore, e zbuluar gati 160 vjet më parë, ende nuk është kuptuar plotësisht. Më poshtë po paraqesim disa besime të përbashkëta (dhe të gabuara).

1. Parimet e teorisë së evolucionit të zbuluara nga Çarls Darvini janë të qarta. Gjallesat  ndryshojnë me kalimin e kohës, kur përzgjedhja natyrore vepron mbi popullata të caktuara, të përbëra nga individë që janë të gjithë të ndryshëm. Pasojat e kësaj dhe teorive të tjera, janë ende për t’u kuptuar nga shoqëria.

Kjo është arsyeja pse e kemi kuptuar evoluimin në të kundërtën e tij, duke filluar nga ajo që nuk është (por që të gjithë ne mendojmë se është). Mbi të njëjtën temë:libri ”Evolucioni është kudo”, na tregon shkurtimisht se çfarë është teoria darviniane e evolucionit, cilat janë pasojat e këtij zbulimi dhe ku mund të aplikohet në botën moderne, nga bujqësia në mjekësi, nga robotika tek kultura.

2. Evolucioni është vetëm një teori

Po dhe jo. Evolucioni është një fakt, por gjithashtu edhe një teori shkencore:megjithatë, kuptimi i termit, është i ndryshëm nga ajo që kuptohet zakonisht. Një teori në kuptimin e zakonshëm, është një spekulim pa ndonjë themel, shpesh i bazuar tek dëshmi që bie shpejt:shih për shembull hartën italiane të teorive konspirative.

Nga pikëpamja e shkencës, një teori është një shpjegim i plotë dhe konfirmim i aspekteve të caktuara të botës natyrore, të arritura me aplikimin e metodës shkencore. Një teori gjithashtu ndihmon për të shpjeguar aspektet e panjohura të natyrës dhe kufizimeve, si edhe për të parashikuar të ardhmen. Teoria e evolucionit, përveç përzgjedhjes natyrore, përfshin edhe aspekte të tjera si përzgjedhja seksuale dhe rrjedha gjenetike, të cilat e kompletojnë.

3. Është ligji i më të fortit!

Jo. Shpesh është thënë se evolucioni justifikon agresionin dhe shtypjen, pasi është “ligji i më të fortit”. Koncepti është krejtësisht i huaj për shkencën:”më të përshtatshëm” në një popullatë nuk janë më të fortët fizikisht, apo më agresivët, por individët që riprodhohen më shumë dhe më mirë. Për shembull, brejtësit dhe lepujt, nuk mund të thuhet se janë agresivë, dhe as më të fortë se sa një grabitqar. E megjithatë janë ndër speciet më të përhapur të gjitarëve në Tokë.

4. Është një dukuri e së shkuarës

Jo. Biologët kanë qenë në gjendje të studiojnë dhe përshkruajnë shumë shembuj të ndryshimit evolucionar në momentin kur ato ndodhin. Për shembull, bashkëshortët Grant, biologë evolucionistë britanikë, studiuan një popullatën e vogël të një zogu që banon në një ishull të Galapagosit, dhe e kuptuan se përgjatë dekadave ajo kishte ndryshuar.

Një shembull tjetër shumë i njohur, është zhvillimi i rezistencës ndaj antibiotikëve nga ana e baktereve, gjë e cila ndodh vazhdimisht dhe në të gjithë botën. Edhe njeriu, pavarësisht nga pretendimet e disa biologëve, nuk ka ndaluar asnjëherë së evoluari. Prandaj, evolucioni nuk është i kufizuar në speciet e së kaluarës sikurse janë dinosaurët.

5. Është një proces me një fund të caktuar

Jo. Shumë vetë e shohin evolucionin si një rrugë të gjatë që fillon në të kaluarën e largët, dhe që ka një qëllim të qartë:lindjen e specieve tona, apo specieve të tjera më të evoluara. Por procesi në vetvete, sikurse e ka shpjeguar Çarls Darvini dhe e detajuan më tej evolucionistët e tjerë, është i bazuar vetëm tek suksesi i sjelljeve apo përshtatjeve të tjera që lejojnë mbijetesën në një mjedis të veçantë, dhe vetëm në momente të caktuara historike. Prandaj nuk ka specie më shumë të evoluara se të tjera, apo veçanërisht të “preferuara” sipas përzgjedhjes natyrore. Dhe që as nuk mund të funksionojë, duke parashikuar se çfarë mund të ndodhë në të ardhmen.

6. Ekzistojnë specie të ndërmjetme

Jo. Koncepti i llojeve të ndërmjetme, ose hallkës lidhëse, nuk është i saktë, për shkak se këto specie do të ishin në gjysmë të rrugës, ndërmjet një të kaluare të papërsosur dhe së tashmes në të cilën evolucioni ka arritur përsosmërinë. Për më tepër, ideja e hallkave lidhëse, si Homo Naledi, do të sugjeronin praninë e një zinxhiri të gjatë ose një shkalle të formave të jetës që fillojnë nga ato më pak të përsosura deri tek më të përsosurat. Tashmë e dimë se speciet formojnë një pemë komplekse dhe të ndërlikuar, pa një linjë të qartë, që shkon nga e kaluara në të tashmen.

7. Ka “fosile të gjalla”

Jo. Është thjesht një “mënyrë të shprehuri”:ndonëse shumë forma të jetës, si kafshë ashtu edhe bimë, janë të ngjashme me ato të së kaluarës, kjo nuk do të thotë se ato kanë mbetur të pandryshuara për miliona vjet, a thua se për to evolucioni nuk kishte filluar. Një shembull i njohur është celacanto, një peshk me forma më të ngjashme të cilat datojnë rreth 400 milionë vjet më pare. Por ngjashmëria me të shkuarën është vetëm sipërfaqësore, dhe këto specie dikur kanë qenë shumë më të ndryshme nga ato të sotmet.

8. Mbështetet vetëm tek rastësia

Jo. I gjithë procesi i evolucionit sipas përzgjedhjes natyrore, përfshin të paktën dy hapa themelorë:së pari është brezi i ndryshueshmërisë nëpërmjet mutacioneve apo modifikimeve tjera të gjenomit (ADN-së së një individi). E dyta është përzgjedhja natyrore në vetvete, e cila eliminon individët, që nuk janë në gjendje për t’u riprodhuar në këtë mjedis të veçantë. Mutacionet, së bashku me rikombinimet dhe migracionin nga vende të tjera, mund të konsiderohen të krijuara rastësisht. Por përzgjedhja natyrore, është një proces i përkryer determinist, shumë larg zgjedhjes rastësore.

9. Evolucioni është gjithmonë progres

Jo. Mendohet se speciet e shkuara ishin më pak të përparuara nga ato të sotme, më pak të përsosur dhe të përshtatura me mjedisin. Në vend të kësaj, përderisa evolucioni përzgjedh vetëm individët që arrijnë të mbijetojnë në një moment dhe vend të caktuar, në të kaluarën jetonin specie që nuk ishin as më të mira dhe as më të keqija sesa ato të sotmet, thjesht të ndryshme. Së bashku me rritjen e kompleksitetit, ekzistojnë shumë shembuj të zvogëlimit të vetë kompleksitetit, sikursa janë ato që përfshijnë për shembull parazitët, të cilët kanë një strukturë dhe metabolizëm shumë të thjeshtëzuar.

10. Është një teori për origjinën e universit dhe jetës

Jo. Evolucioni përshkruan dhe shpjegon vetëm atë që ka ndodhur, kjo ndodh dhe do të ndodhë me speciet e gjalla. Proceset kimike dhe fizike që çuan në format e para të jetës, si Big Bengu, por dhe shumë fenomene të tjera fizike, nuk kanë të bëjnë aspak me evolucionin nga përzgjedhjen natyrore. Evolucioni “hyri në veprim” vetëm në momentin kur ekzistuan qelizat, edhe format shumë të thjeshta, që më pas u riprodhuan.

11. Është një udhëzues për sjelljen njerëzore

Jo. Evolucioni nuk dikton mënyrën e sjelljes së njerëzve. Kjo e fundit, sipas mendimit tonë, bazohet në elementë të tjerë:të qenët i shoqërueshëm, konvencionet, morali, kultura … të cilat ndryshojnë me kalimin e kohës, dhe nga populli në popull. Nuk ka të bëjë aspak me skllavërinë dhe racizmin, të cilat janë sjellje njerëzore, dhe as me pseudo-shkencat e dikurshme si fizionomia, të cilat në fund të viteve ‘800 pretendonin të lidhnin tipare fizike me sjelljet e njeriut. / Focus-Në shqip nga bota.al

Leave a Reply

Back to top button