Histori

Maggie, “krijuesja” e Britanisë moderne

Theçeri tashmë mund të konsiderohet si themeluesja e Britanisë moderne. Të gjithë kryeministrat që nga koha kur ajo u largua nga detyra kanë qenë trashëgimtarë të Theçerit, mbi të gjithë Toni Bleri, i cili e ndryshoi Partinë Laburiste në mënyrë po aq radikale sa edhe Margaret Theçeri ndryshoi konservatorët në kohën e saj. “Triumfi i vërtetë i Theçerit është se transformoi jo vetëm një parti, por dy të tilla”, ka thënë Xhefrei Hau, ministër i financave në qeverinë e parë të Theçerit gjatë festimeve të 80-vjetorit të saj

Screen Shot 2015-04-06 at 10.22.38

“E dini, ka momente, ndoshta një herë në cdo tridhjetë vite, kur në politikë ndodh një

ndryshim i jashtëzakonshëm dhe shkundës”, i thoshte kryeministri i Britanisë, Xhejms Kallagan njërit prej njerëzve të tij të besuar gjatë ditëve të fundit të zgjedhjeve parlamentare të vitit 1979. “Atëherë nuk ka më rëndësi se çfarë thua apo çfarë bën. Ka një ndryshim dhe hvendosje të madhe në atë që publiku dëshiron dhe atë çfarë ai miratonn. Unë mendoj se tashmë jemi përballë një ndryshimi të tillë shkundës dhe ky është për zonjën Theçer”.

Që përpara se votuesit të shkonin në qendrat e votimit, Kallagan në mënyrë private pranoi se po largohej nga detyra. Mesazhi i “ndryshimit”, të paktën për të dukej se po sillte në pushtet udhëheqësen e opozitës konservatore, Margaret Theçer. Por ngjitja e saj në pushtet nuk ishte aspak aq e pandalshme se sa e bëri atë më vonë vetë Kallagani.

Vetëm disa muaj më herët, në verën e vitit 1978, karriera e Margaret Theçerit dukej se po merrte fund. Ekonomia britanike kish filluar të jepte shenja ringjalljeje. Inflacioni, i cili vetëm disa vite më parë kishte qenë në nivele 26.9 përqind tashmë ishte rikthyer sërish në njëshifror. Klima politike po përmirësohej ndjeshëm për Partinë Laburiste. Ajo filloi që të udhëheqë në sondazhe dhe në listën e politikanëve të preferuar në popull, Kallagani i moderuar e kish lënë shumë prapa Theçerin, e cila kishte nëj reputacion tashmë për ekstremizmin e saj.

Në fakt, gjërat dukeshin kaq mirë për laburistët, saqë kryeministri nisi të mendojë që të thërriste zgjedhje të parakohshme për në vjeshtën e vitit 1978. Nëse ai do ta kish bërë, shkruan biografi i Theçerit, Xhon Kempbëll në librin e tij “Bija e Bakallit”, atëherë Theçeri mund të kishte

humbur dhe ditët e saj si gruaja në krye të konservatorëve britanikë mund të ishin të numëruara.
Por gjërat shkuan ndryshe.

Duke nisur të ndiejnë shqetësimin, konservatorët pajtuan agjencinë e reklamave Saatchi për të realizuar një poster. Në të shfaqej një radhë e gjatë punëtorësh të papunë me sloganin: “Laburistët nuk po punojnë”. Ishte një kujtesë për njerëzit se niveli i papunësisë, që numëronte ende 1.5 milionë vetë ishte gjithësesi shumë i lartë, jashtë normales. Vetëm pak postera u ngjitën lart në mure, por protestat e furishme të Partisë Laburiste garantonin që gjithnjë e më shumë njerëz do ta shihnin posterin. Kallagani ishte sërish në pozicion mbrojtës dhe ai hodhi poshtë planet e tij për zgjedhje të parakohshme.

Në dimrin që pasoi erdhi edhe shpërthimi i Theçerit. Do të bëhej i njohur për të gjithë si “dimri i pakënaqësisë” në Britaninë e Madhe. Në luftën e saj kundër inflacionit, qeveria vendosi një kufi prej pesë përqind për rritjen e pagave gjatë randit të negociimit të pagës. Kompanitë që nuk do t’i përmbaheshin këtij limiti do të humbisnin kontratat e tyre publike.

Rregulli i pesë përqindëshit shaktoi protesta dhe greva masive. Shoferë kamionësh, punonjës që merreshin me grumbullmin e plehërave të qyteteve dhe punonjës të spitaleve dolën nëpër rrugë. Edhe varrmihësit dolën në greva dhe protesta në Liverpul. Pikat e karburanteve dhe dyqanet mbetën pa njerëz për të punuar në ta, spitalet pranonin pacentë vetëm në raste emergjencash dhe sheshet publikë u mbushën plot me mbeturina. Për shumë javë në janarin e

vitit 1979 në Britani mbizotëronte anarshia. Në 22 janar, sindikatat mbajtën “Ditën Kombëtare të Veprimit” dhe afro 1.5 milionë njerëz refuzuan të shkojnë në punë.

Kishte mbërritur momenti i Margaret Theçerit. Deri në atë kohë ajo nuk ishte ndier me vetëbesimin e mjaftueshëm për të sfiduar sindikatat. Ajo ishte një politikane shumë e kujdesshme, e cila ndihej e shqetësuar për shanset e saj elektoralë. Por tashmë, Theçeri po nuhaste që publiku me siguri do të pranonte një ton më të ashpër. Ajo u paraqit si një udhëheqëse që ishte e gatshme, në emër të kombit, që të luftonte sindikalistët militantë. “Nëse dikush konfrontohet me liritë tona themelore, nëse dikush shkakton dëme dhe plagë ndaj të sëmurëve, o Zot, sigurisht që unë

do t’u kundërvihem atyre”, deklaroi ajo në një fjalim radiofonik në 31 janar 1979.
Theçeri goditi aty ku duhej. Shifrat e mbështetjes për të në sondazhe u rritën me shpejtësi, dhe shumë shpejt konservatorët e panë veten në një avantazh prej njëzetë përqind kundrejt laburistëve. Do të duheshin edhe tre muaj të tjerë përpara se të vinin zgjedhjet, dhe në javët e fundit laburistët nisën të fitojnë sërish terren. Por në ato ditë të janarit, Theçeri hodhi themelet vendimtarë për fitoren e saj nëzgjedhje. Ishte një demonstrim i rrallë aftësie dhe paraqitjeje luftarake që bëri që ajo të fitojë nofkën “Attila the Hen” (Atila Pula, një lojë fjalësh me “Attila the Hun” – personazhi i famshëm historik). Gjithçka bënte kontrast të thellë me qasjen e moderuar, enigmatike dhe të padepërtueshme që Margaret Theçeri kishte

patur deri atëherë përpara popullit britanik. “Deri në majin e vitit 1979”, shkruan Xhon Kempbëll në biografinë e tij për Theçerin “asnjë koleg apo komentator nuk mund të ishte i sigurtë se cila ishte Margaret Theçeri e vërtetë. Nuk është madje e sigurtë as që ajo vetë e dinte këtë gjë”.

Edhe pas zgjedhjeve, të cilat konservatorët i fituan në 3 maj me 44 përqind të votave, “Theçerizmi”-t iu desh të kalonte pak kohë përpara se të lulëzonte. Lufta e Ishujve Falkland e vitit 1982 e shndërroi aë në një heroinë kombëtare. Vetëm pas përfundimit të saj, ajo u ndie e fuqishme aq sa duhej për të çuar përpara filozofinë e saj të derregullimit. Ajo u shndërrua në një prej udhëheqëseve më të admiruara, por njëkohësisht edhe më të urryera të kombit.

Theçeri tashmë mund të konsiderohet si themeluesja e Britanisë moderne. Të gjithë kryeministrat që nga koha kur ajo u largua nga detyra kanë qenë trashëgimtarë të Theçerit, mbi të gjithë Toni Bleri, i cili e ndryshoi Partinë Laburiste në mënyrë po aq radikale sa edhe Margaret Theçeri ndryshoi konservatorët në kohën e saj. “Triumfi i vërtetë i Theçerit është se transformoi jo vetëm një parti, por dy të tilla”, ka thënë Xhefrei Hau, ministër i financave në qeverinë e parë të Theçerit gjatë festimeve të 80- vjetorit të saj.

Ajo ishte e para udhëheqëse grua e një partie të madhe politike në Perëndim; ajo ishte i vetmi person në shekullin 20 që fitoi tre palë zgjedhje të njëpasnjëshme në Britani; ishte kryeministrja më jetëgjatë e atij shekulli; u votua e 16-a ndër personalitetet më të mëdhenj të Britanisë nga

BBC; dhe historiani Frensis Beket e rendit si Numrin Një: “Kryeministrja më e mirë”, nga 20 kryeministrat e shekullit 20!
Atëherë, çfarë përfaqëson ajo?

Mbi të gjitha, ajo ishte një politikane me bindje. Majtisti Toni Ben deklaronte në festën e 80- vjetorit të saj: “Zonja Theçer thoshte atë që mendonte dhe mendonte atë që thoshte. Dhe e bënte… ajo nuk bënte asgjë duke mashtruar. Të gjithë e dinin se çfarë donte të bënte ajo”.

“Qoftë përpara Kabinetit, apo qoftë në takimet më të ngushtë, Margaret, që dukej se i mjaftonin katër orë gjumë natën gjithnjë i bënte detyrat e saj të shtëpisë për temat e diskutimeve, a thua se po përgatitej të shkonte në provim”, shkruante kancelari Nigel Louson.

Çdo kryeministër ka stilin e vet të të punuarit. Thuhet se pasardhësi i saj, Xhon Mejxhër

konsultohej shumë me këdo dhe kështu shumë pak gjëra vendoseshin. Kabineti britanik është i përbërë prej 22 apo më shumë individësh. Mund të bëhet kështu pak si gjë e rëndë për t’u drejtuar. Kryeministrja Theçer preferonte takime të vegjël me jo më shumë se dy apo tre individë. Zakonisht këta ishin Sekretari i Shtetit, që përfshihej në çdo temë, ministri më i ri plus ndonjë nëpunës i lartë civil.

Kujtimet e bashkëkohësve të saj ofrojnë shumë karakteristika. Ajo mund të ishte e sjellshme dhe e dashur. Mund të bëhej e paduruar. Mund të bëhej autoritare. Mund të bëhej e dhimbsur. Eshtë e mundshme të shquash se si ka evoluar me kalimin e kohës sjellja e saj.

Si udhëheqëse e Partisë në vitin 1975, ajo ishte po aq e befasuar sa edhe gjithë të tjerët me rolin e ri që kish marrë. Si kryeministre, në vitin 1979

ajo ishte pakëz e frikësuar në detyrën e re. Ironikisht, ajo shpesh e përmendte “Qeverinë” si armikun e saj. E kish fjalën për kombinimin e çuditshëm të çrregullimit dhe vetëkënaqësisë, që ishte në vetvete shteti britanik. Kryeministrat zakonisht e mbrojnë qeverinë. Ajo nuk ishte një kryeministre e zakonshme.

Pas fitores mbresëlënëse në Luftën e ishujve Falkland që u shoqërua nga shtypja e grevës së minatorëve, ajo kishte tashmë ritmin e saj, me besim të madh në aftësitë e veta dhe në instiktet që nuk e tradhëtonin asnjëherë. “Nuk njoh askënd që të jetë ngjitur në majë pa punuar fort. Kjo është receta. Jo gjithmonë do të të ngjisë në majë, por gjithësesi do të të çojë shumë pranë”, thoshte ajo. Ky është zëri i saj autentik.

“Ajo për çfarë ka nevojë Britania është një Zonjë e Hekurt”, thoshte dikur ajo. Dhe këtë mori. Ajo

ishte shpesh herë e vrazhdë me intelektualët majtistë të medias. “Unë nuk kam asnjë lloj meraku për të kaluarën time, siç keni ju komentatorët intelektualë në Jug Lindje. Kur je e zënë me punë, nuk ke kohë për meraqe. Paratë nuk të bien nga qielli. Ato duhet t’i fitosh këtu në Tokë”. Këto ishin ndjenja tipike të sajat. Nuk ishin zëri i asnjë fjalimshkruesi. “Politikat e mia janë të bazuara në gjëra me të cilat unë dhe miliona të tjerë si unë jemi rritur. Një ditë e ndershme pune për një pagë ditore të ndershme; jeto me atë çfarë ke; hiq diçka mënjanë për kohë të këqia; paguaji faturat në kohë; mbështet policinë”. Ajo thoshte gjithashtu “se për mua është interesante që ato gjëra që unë mësova në një qytet të vogël, në një shtëpi shumë modeste, janë pikërisht avantazhet që besoj se më bënë të fitoj zgjedhjet”. Intuita dhe ndjenjat e saj

vërtetonin se Zonja e Hekurt ishte më pranë njerëzve se të gjithë rivalët e saj.
Këto ishin fjalime moralizues që shpesh herë provokonin tallje nga kundërshtarët apo nga kolegët e saj snobë brenda konservatorëve. “Çdo grua që kupton problemet e drejtimit të një shtëpie do të jetë shumë pranë të kuptuarit të problemeve që kanë të bëjnë me drejtimin e një vendi”. Por këto lloj sentimentesh, pavarësisht se shkaktonin të qeshura mes kundërshtarëve metropolitanë, gjenin jehonë tek elektorati. Margaret Theçeri fliste të vërteta. Ato ishin të vërteta të thjeshta, por ishin të një natyre të foluri të drejtpërdrejtë që nuk ish parë kurrë të dilte nga buzët e një kryeministri. “Askush nuk do të mbante mend Samaritanin e Mirë nëse ai do të kishte thjeshtë qëllime të mira. Ai kishte edhe shumë para”, thoshte ajo në një bisedë.

Vërtetësia e kësaj ishte një shkundje për të gjithë ata që dëshironin që abstraksioni i madh me emrin “Shoqëri” të zgjidhte të gjithë problemet. Një prej thënieve të saj më të famshme ka qenë: “Nuk ekziton një gjë e tillë si Shoqëria. Ka individë burra dhe gra, dhe ka edhe familje”.

Kjo deklaratë dhe ndjenjë e shprehur kaq hapur zemëronte armiqtë e saj. Ideja e përgjegjësisë individuale dukej se binte ndesh me idenë e tyre që përmes fuqisë së përbashkët të popullit, me fjalë të tjera shtetit, në nivel kombëtar apo lokal duhej të administroheshin shumica e gjërave. Por Theçeri ishte në gjendje të bëhej edhe mrekullisht kaustike. Kur mësoi nga shumica e Kabinetit të saj se nuk mund të vazhdonte të ishte Kryeministre, ajo tha: “Tradhëti me fytyrë të buzëqeshur”.

Për paraardhësin e saj në drejtimin e konservatorëve ajo deklaronte: “Gjithmonë do të dua të shtrenjtin plakushin Ted, por në politikë më duhet të them se nuk ka simpatira”. Por ishte po aq e zonja edhe për të vënë në lojë. Për Nil Kinok, liderin e laburistëve ajo thoshte: “Si udhëheqës i opozitës ai arrinte të nxirrte pak kryet në sipërfaqe. Si kryeministër, me siguri që do të ishte fundosur”.

Ndonëse të gjithë politikanëve u duhet që të bëjnë kompromise, instikti i saj e bënte që gjithmonë të ishte këmbëngulëse. “Ka ende njerëz në partinë time që besojnë në politikën e konsensusit. Unë i konsideroj ata si kuislingë, si tradhëtarë. E kam me të vërtetë”, thoshte zonja që i kishte shumë të qartë kujtimet e viteve shtatëdhjetë: “Të kuroje sëmundjen britanike me socializmin ishte njësoj si të kurosh leuçeminë me shushunjëza”.
Ndonjëherë ndodhte që ajo të shfaqej më shumë si Adam Smithi se sa edhe ai vetë, sidomos kur thoshte se “nuk mund të ketë liri nëse nuk ka liri ekonomike”. Një temë që e përsëriste shpesh ishte mosbesimi që kishte ndaj njerëzve të pasigurtë, siç e përshkroi një herë presidentin e atëhershëm të SHBA, Bush. Ajo irritohej shumë nga frenimi, për të fituar kohë: “Pothuajse të gjithë politikat që “shiten” tek publiku nga njerëz “praktikë” me baza “pragmatiste” në fund kanë rezultuar shumë jopraktike. Megjithatë, duket se ky fakt nuk i ka bërë asnjëherë dëm entuziasmit të tyre”.

Margaret Theçeri nuk e duronte dot konsensusin që ajo mendonte se kishte varfëruar Britaninë: “Asnjë teori qeverisjeje nuk ka patur ndonjëherë

një testim më të shpejtë dhe një eksperimentim më të zgjatur në një shtet demokratik, se sa “socializmi demokratik” në Mbretërinë e Bashkuar. E megjithatë, ishte një dështim mizerabël në të gjithë aspektet”.

Një gjë që ndoshta do të lidhet përgjithmonë me Margaret Theçerin ishte një frazë në Konferencën e Partisë në kohën kur sondazhet e opinionit publik ishin kundër dhe çdo komentator priste një kthim mbrapsht të saj, sa u përket politikave. “Kthehuni nëse doni: Kjo zonjë nuk ka ndërmend të kthehet”. Ishte një thumb i thjeshtë dhe i vockël, por ai fliste shumë për vendosmërinë e saj për të liberalizuar ekonominë dhe për të mos u rikthyer në politikat e meta që kishte trashëguar.

Dhe këtë e shprehu me një metaforë të gjallë: Ndonëse e lënduar nga humbja e udhëheqjes së

partisë dhe postit të kryeministres, Margaret Thecer ruajti një sens fatbardhësie të madhe: “Unë kam patur privilegjin e mrekullueshëm të jem në krye për njëmbëdhjetë vite e gjysmë, pothuajse dymbëdhjetë vite. Eshtë më shumë se çdo President i Shteteve të Bashkuara të Amerikës”. Ndërsa vajzës së saj i thoshte: “Karol, mendoj se vendi im në histori tashmë është i sigurtë”. /BBCHistory/

www.bota.al

Screen Shot 2015-04-06 at 10.22.18

Leave a Reply

Back to top button