Ekonomi

15 EKONOMISTE / Një arkitekturë e re demokratike për Europën

Thomas Piketty

ECB injects 489 billion euros into financial systemBashkimi Europian po përjeton një krizë ekzistenciale, gjë që do të na e tregojnë shumë shpejt edhe zgjedhjet për parlamentin europian. Kriza ka të bëjë më shumë me vendet e zonës së Euros, të zhytur në një klimë mosbesimi dhe krize të borxheve që nuk ka marrë fund: papunësia vazhdon të jetë e lartë, deflacioni është një rrezik konstant. Nuk kemi qenë kurrë më larg të vërtetës, nëse mendojmë që më të keqen e kemi lënë pas krahëve.

Për këtë arsye, presim me interes të madh propozimet për forcimin e unionit politik dhe fiskal të vendeve anëtarë. Tema qendrore është e thjeshtë: demokracisë dhe autoriteteve publikë u duhen krijuar kushtet, që të munden të marrin kontrollin e kapitalizmit të globalizuar të shekullit XXI, dhe ta rregullojnë në mënyrë efikase. Një monedhë e vetme, me 18 borxhe publikë të ndryshëm mbi të cilët tregjet janë në gjendje të spekulojnë lirisht, dhe 18 sisteme fiskalë që përfitojnë nga konkurrenca e pakontrolluar mes tyre, nuk do të funksionojë asnjëherë. Vendet e eurozonës kanë zgjedhur të ndajnë sovranitetin e tyre monetar, domethënë të heqin dorë nga arma e zhvlerësimit të njëanshëm të monedhës, por pa vënë në funksionim instrumenta të rinj ekonomikë, fiskalë dhe buxhete të përbashkët. Kjo “tokë e askujt” është më e keqja që mund të imagjinohet.

Shumë shpesh, Europa e sotme ka treguar se është tmerrësisht “e bezdisshme” për çështje dytësore (si TVSH-ja e parukierëve dhe klubeve të hipizmit), dhe shfaq një pafuqi patetike për ato çështje që janë vërtetë të rëndësishme (si parajsat fiskale dhe rregullat financiare). Duhet të përmbysim rendin e prioriteteve: më pak Europë për ato çështje në të cilat shtetet anëtarë mund të reagojnë fare mirë vetë, më shumë Europë kur unioni është esencial.

Konkretisht, propozimi ynë i parë është që vendet e eurozonës, duke filluar nga Franca dhe Gjermania, të kenë një një Corporate Income Tax të përbashkët (taksa mbi të ardhurat e kompanive). Cdo shtet, anashkalohet prej kompanive të mëdha shumëkombëshe të të gjithë shteteve, të cilat luajnë me shtigjet që hapen dhe dallimet që ekzistojnë mes legjislacioneve të vendeve të ndryshëm, për të shmangur pagimin e taksave. Për të luftuar këtë “optimizim fiskal”, një autoritet sovran europian ka nevojë për kompetenca që do i lejonin të përcaktonte një bazë fiskale të përbashkët, sa më e gjerë të jetë e mundur dhe sa më rreptësisht e rregulluar.

Përtej kësaj, është i domosdoshëm universalizimi i shkëmbimit automatik të informacioneve bankarë në brendësi të eurozonës, si dhe zbatimi i një politike të bashkërenduar që e bën taksimin mbi të ardhurat dhe mbi pasurinë më progresiv, dhe në të njëjtën kohë është e domosdoshme që të bashkuar, të bëjmë një luftë efikase kundër parajsave fiskale jashtë zonës së euros. Europa duhet të kontribuojë për të sjellë drejtësi taksimi dhe vullnet politik në procesin e globalizimit.

Propozimi ynë i dytë buron prej të parit. Për të miratuar bazën fiskale të taksës mbi të ardhurat dhe më në përgjithësi, për të diskutuar dhe adoptuar vendimet fiskalë, financiarë dhe politikë për atë që duhet ndarë në të ardhmen në mënyrë demokratike dhe sovrane, ne duhet të krijojmë një dhomë parlamentare për eurozonën. Mund të jetë një parlament i eurozonës, i krijuar prej deputetëve të parlamentit europian (një formacion i parlamentit europian i reduktuar vetëm në anëtarët e eurozonës), ose një dhomë e re e bazuar mbi grupimin e një pjese të anëtarëve të parlamenteve kombëtarë (për shembull 30 deputetë francezë të Ansamblesë Kombëtare, 40 deputetë gjermanë të Bundestagut, 30 deputetë italianë e kështu me radhë, në bazë të popullsisë së secilit). Ne besojmë se kjo zgjidhje e dytë, ideja e të cilës frymëzohet prej “dhomës Europiane” të propozuar nga Joschka Fischeri në vitin 2011, është e vetmja alternativë për të shkuar drejt unionit politik. Eshtë e pamundur të zhvishen parlamentet e shteteve nga të gjithë kompetencat e tyre për të vendosur taksat. Dhe pikërisht mbi bazën e një sovraniteti parlamentar kombëtar, mund të formësohet një sovranitet parlamentar i përbashkët europian.

Në bazë të një propozimi të tillë, Bashkimi Europian do të kishte dy dhoma: parlamentin europian ekzistues, i zgjedhur direkt nga qytetarët e 28 vendeve anëtarë të BE-së, dhe dhomën europiane, që do të përfaqësohej përmes parlamenteve të tyre kombëtarë. Dhoma europiane fillimisht do të përfshinte vetëm vendet e eurozonës që duan vërtetë të shkojnë drejt një unioni më të fortë politik, fiskal dhe buxhetor. Megjithatë, kjo dhomë duhet të konceptohet në mënyrë të tillë që të mirëpresë të gjithë vendet e BE-së, të cilët do të pranonin që të ecnin së bashku në këtë rrugë. Një ministër i financave i eurozonës dhe në fund një qeveri europiane e vërtetë, do të përgjigjeshin para dhomës europiane për punën e tyre.

Kjo arkitekturë e re demokratike për Europën do të bënte më në fund të mundur kapërcimin e legjendës, sipas të cilës këshilli i krerëve të shteteve mund të veprojë si dhomë e dytë e përfaqësimit të shteteve. Kjo ide e gabuar reflekton pafuqinë politike të kontinentit tonë: është e pamundur që një person i vetëm të përfaqësojë një shtet të tërë – vetëm nëse i dorëzohet bllokimit të përhershëm që imponon unanimiteti. Për të shkuar një herë e mirë drejt rregullit të shumicës për çështjet e rendit fiskal dhe buxhetit, duhet që vendet e eurozonës të zgjedhin t’i ndajnë, dhe është e domsodoshme të krijohet një dhomë autentike europiane, në të cilën secili shtet të përfaqësohet jo vetëm nga kreu i shtetit, por nga anëtarë që përfaqësojnë të gjithë opinionet e publikut.

Propozimi ynë i tretë ka të bëjë direkt me krizën e borxhit. Jemi të bindur që e vetmja mënyrë për të lënë pas më në fund problemet, është të “përbashkëzohen” borxhet e eurozonës. Në rast të kundërt, spekulimet për normat e interesit do të vazhdojnë. Kjo është gjithashtu e vetmja mënyrë që Banka Qendrore Europiane të zbatojë një politikë monetare efikase dhe reaguese, siç bën Federal Reserve në SHBA. Në fakt, ky operacion ka nisur tashmë me Mekanizmin Europian të Stabilitetit, unionin bankar që po lind dhe programin e transaksioneve monetare të BQE. Tani është e domosdoshme të shkojmë më tej, duke vazhduar të sqarojmë legjitimitetin demokratik të këtyre mekanizmave.

Thomas Piketty, autor i librit “Le capital au XXI esiècle”, Drejtor i Shkollës së Studimeve të Lartë në shkenca sociale dhe profesor në shkollën e Ekonomisë në Paris

Florence Autret, shkrimtare dhe gazetare

Antoine Bozio, drejtor i Institutit të politikave publike

Julia Cagé, ekonomiste pranë Universitetit të Harvardit dhe shkollës së Ekonomisë në Paris

Daniel Cohen, profesor në École Normale Supérieure dhe shkollën e Ekonomisë së Parisit

Anne-Laure Delatte, ekonomiste

Brigitte Dormont, profesore, Universiteti i Parisit

Dauphine Guillaume Duval, drejtore e “Alternatives Economiques”

Philippe Frémeaux president i Institutit Veblen

Bruno Palier, drejtor i kërkimeve, Instituti i studimeve politikë, Paris

Thierry Pech, drejtor i përgjithshëm i Terra Nova

Jean Quatremer, gazetar

Pierre Rosanvallon profesor, Collège de France

Xavier Timbeau, drejtor i departamentit të analizës dhe parashikimeve, Instituti i Studimeve Politikë, Paris

Laurence Tubiana profesore, Instituti i Studimeve Politikë, Paris

Leave a Reply

Back to top button