A janë njerëzit të prirur për të qenë të dhunshëm? Ndoshta. Përgjigja – dhe përkufizimi i dhunës brenda dhe ndërmjet llojeve- është duke u evoluar.
Nga Gemma Tarlach
1. E përkufizuar si përdorimi i qëllimshëm i forcës fizike për të lënduar, dhuna vret mbi 1.5 milionë njerëz çdo vit në mbarë botën, sipas Organizatës Botërore të Shëndetësisë. Nga zonat e luftës tek lagjet me një kriminalitet të theksuar, ne jetojmë në kohë të dhunshme.
2. Apo ndoshta nuk është e vërtetë? Shkalla e vrasjeve ka rënë me 30 herë që nga shekulli i XIII-të, sipas të dhënave nga Evropa, e cila zotëron edhe statistikat më të sakta përgjatë shekujve – ndonëse studiesit dyshojnë nëse norma globale ka ndjekur një prirje të ngjashme rënëse.
3. Ndërkohë edhe vdekjet si pasojë e luftërave kanë pësuar një rënie të qëndrueshme, në raport me numrin e e popullsisë:Lufta vrau rreth 2 përqind të popullsisë botërore në shekullin XVII, por vetëm 0.7 përqind në shekullin e XX-të.
4. Bota mund të duket më e dhunshme për shkak të paragjykimit negativit:Ne vërejmë gjëra që janë të ndryshme dhe potencialisht më të rrezikshme se çfarë është e njohur si “e sigurtë”. Cikli i lajmeve në 24 orë në 7 ditë të javës, si dhe mediat sociale na ekspozojnë gjithashtu ndaj imazheve më të dhunshme se kurrë më parë.
5. Por nuk duhen fajësuar mediat e dhunshme për frymëzimin e veprimeve të dhunshme apo agresive. Një analizë e një studimi të mëhershëm në vitin 2009, arriti në përfundimin se nuk kishte asnjë provë për të mbështetur lidhjen e supozuar mes tyre.
6. Psikologu eksperimental Stiven Pinker, beson që ne jemi duke u bërë më pak të dhunshëm, pasi po bëhemi më të zgjuar, falë të normave më të larta të shkrim-leximit dhe të menduarit në mënyrë më abstrakte.
7. Por edhe të menduarit abstrakt, mund të na fusë në telashe. Ndërsa shumica e dhunës tek kafshët ndodh për të plotësuar nevojat themelore të mbijetesës, ajo njerëzore merr disa forma unike, nga sadizmi, terrorizmi dhe deri tek sportet e përgjakshme si ndeshja mes qenëve.
8. Disa studiues e shpjegojnë këtë dhunë të qëllimshme nëpërmjet “teorisë së menaxhimit të terrorit”:Për të izoluar veten nga frika e vdekjes, dhe përforcuar vetëbesimin e botëkuptimin tonë, njerëzit ndërtojnë mekanizma të përpunuar dhe nganjëherë të dhunshëm mbrojtje.
9. Shumica e akteve të dhunshme tek kafshët, ka të bëjë me konkurrencën për partnerë dhe shanset për të transmetuar gjenet.
10. Meshkujt e të gjithë specieve kanë përgjithësisht më pak kohë dhe burime të investuara tek riprodhimi dhe rritja e pasardhësit, prandaj studiuesit besojnë se ata kanë më tepër gjasa të angazhohen në akte të rrezikshme e të dhunshme për të fituar partnerë.
11. Por tek speciet, ku meshkujt luajnë një rol më të madh në rritjen e të vegjëlve se sa femrat – si kuajt e detit dhe disa lloje bretkosash e zogjsh – janë femrat ato që kanë të ngjarë të konkurrojnë në mënyrë dhunshme me njëra-tjetrën.
12. Disa studiues besojnë së termi dhunë dhe vrull në gjuhën angleze, mund të ndajnë një origjinë të përbashkët latine, një pjesore e humbur e foljes vehere, për të kryer.
13. Njerëzit janë përpjekur prej kohësh të parashikojnë sjelljen e dhunshme:për shembull disiplina mjekësore e frenologjisë në shekullin XIX-të, pretendonte se forma e kafkës së dikujt mund të përcaktojnë prirjen e një personi ndaj kriminalitetit dhe dhunës.
14. Edhe pse frenologjia nuk zgjti shumë si teori, ajo i çeli rrugën kërkimeve më të fuqishme të neuroshkencës, duke sugjeruar se sjellja është një funksion biologjik, dhe jo një akt që buron në shpirtin e dikujt.
15. Po çfarë mund të thuhet mbi lidhjen biologjike ndërmjet natyrës sonë të dhunshme dhe ecjes mbi dy këmbë? Një studim i vitit 2011, vuri re prirjen tek shumë lloje katërkëmbësish, si qentë dhe kuajt, për të luftuar. Ka mundësi që te parardhësit të cilët ecnin këmba-dorazi, meshkujt që zakonisht qëndronin drejt të ishin konkurrentë më të mirë dhe çiftoheshin me më tepër partnere, duke e çuar kësisoj specien tonë në ecjen përfundimtare mbi dy këmbë.
16. Dhuna ndërpersonale ka qenë prej kohësh pjesë e gjinisë njerëzore:Një kafkë e ngjashme me njeriun e Neandertalit me goditje të shumta, i gjendur në sitin arkeologjik të pasur me fosile të de los Huesos në Spanjë, mund të jetë dëshmia e vrasjes më të hershme mes njerëzve afro 400 mijë vjet më parë.
17. Disa studiues pretendojnë se shoqëritë njerëzore para-bujqësore ishin paqësore, por ka prova në rritje për të kundërtën:për shembull, në Nataruk, një vendbanim 10-mijëvjeçar në Kenia, të paktën 27 persona u lanë të pavarosur, duke u ekspozuar ndaj elementeve të ndryshëm atmosferike dhe jo vetëm. Nga 12 skelete të gjetura të paprekura në mesin e eshtrave të fragmentuara, 10 prej tyre tregonin prova të traumave vdekjeprurëse, duke përfshirë plagë të mundshme nga shigjetat.
18. Bazuar tek pozicionet e dorës së dy skeleteve, studiuesit besojnë se ata mund të kenë qenë të lidhur kur kanë vdekur. I përshkruar si rast tek revista “Nature” në fillim të këtij viti, Nataruk mund të përfaqësojë masakrën e parë të një grupi të tërë gjahtarësh.
19. Lufta na ka përndjekur për mijëravjeçarë. Disa studime bëjnë përgjegjës modelin parazitë-stres:normat e larta të sëmundjeve infektive, mund të përkeqësojnë tensionet si ksenofobia dhe tendosja burimeve, duke shtuar rrezikun e konfliktit.
20. Po, ne njerëzit jemi shumë të dhunshëm, por mos e humbni shpresën. Në një studim të vitit 2012, që ofron perspektiva evolucionare në raport me sjelljen, studiuesit vunë në dukje se ”shumë më tepër kohë është harxhuar duke bashkëpunuar, ose të paktën duke bashkëjetuar nëmënyrë paqësore, se sa duke u angazhuar në akte të dhunshme”.
“Discover Magazine” – Në shqip nga www.bota.al