Analiza

29 vjet pas katasfrofës / Jeta vazhdon në Çernobil

Screen Shot 2015-04-29 at 12.34.53

Nga Olena Gordienko

“Kyiv Post”

Një tabelë paralajmëron: “Kujdes nga ujqërit. Mos ec përreth zonës së termocentralit, dhe lëviz vetëm me autobusët e linjës!!”. Lajmërimi është vendosur në një gardh, përreth zonës ku pijnë duhan punëtorët, afro 50 metra larg nga ndërtimi i armaturës metalike, që mbuloi reaktorin numër 4 bërthamor të Çernobilit.

Fauna e egër është shumuar në këtë zonë, ndërsa shumica e njerëzve janë evakuuar në vitin 1986, nga ajo që është përcaktuar zyrtarisht si “zona e përjashtimit”. Pavarësisht nga kjo, më shumë se 5000 njerëz aktualisht jetojnë dhe punojnë këtu, një hapësirë që me sa duket është ende e ndotur nga katastrofa më e rëndë bërthamore në botë.

Pasi reaktori i katërt shpërtheu më 26 prill 1986, si rezultat i një testi që shkoi gabim, si pasojë e  një defekti, por edhe neglizhimit të rregullave të sigurisë, më shumë se 200 mijë persona u evakuuan nga zona përreth termocentralit të Çernobilit, dhe një strukturë fillestare e kontrollit të ndotjes u ndërtua me ngut rrotull reaktorit të katërt, i njohur gjerësisht si sarkofagu.

Sipas Organizatës Botërore të Shendetësisë, deri 4 mijë njerëz raportohet se kanë vdekur nga sëmundjet e shkaktuara, si pasojë e ekspozimit ndaj rrezatimit nga ai aksident. Puna për 3 reaktorët e tjerë, u ndërpre ditën e aksidentit, por rifilloi sërish në fund të vitit 1987. Procesi i mbylljes së plotë filloi në vitin 1995, dhe përfundoi vetëm në 2000.

Që prej aksidentit, u përcaktua një zonë përjashtimi, në një rreze prej 30 kilometrash në vijë ajrore, e cila është perceptuar kryesisht si një zonë e përhumbur, e jetës së braktisur dhe qytezave fantazëm. Studimet më të fundit, kanë treguar se specie që deri pak kohë më parë ishin pranë zhdukjes, janë rishfaqur në këtë zone, ku njerëzit nuk janë më dominues.

Megjithatë, në qytetin e Çernobilit jetojnë ende 2200 persona, që punojnë në shërbime hotelierie, menaxhimin e mbetjeve radioaktive, pylltarisë dhe menaxhimin e ujit. Vetë termocentrali punëson ende 2600 vetë, të cilët e mbajnë reaktorin në gjendje të ngrirë, duke kontrolluar karburantin bërthamor, mbetjet dhe pajisjet e vjetra.

“Agjencitë shtetërore, po e menaxhojnë të gjithë procesin, shpenzimet paguhen nga buxheti i shtetit, 209 milionë hrivnia për zonën përreth, dhe 750 milionë për centralin bërthamor”-thotë Vitali Maljuk, zëvendëskryetar i qendrës për mbështetjen organizative, teknike dhe menaxhimin e zonës së përjashtimit.

Aty janë angazhuar rreth 1500 punëtorë, të përfshirë në ndërtimin e struktures së re të kontrollit, për të evituar dëmet anësore nga degradimi i sarkofagut, për shkak të viteve të shumta që kanë kaluar. Punëtorët pijnë duhan, dhe disa duket se kujdesen për pluhurin radioaktiv. “Zona e pirjes së duhanit në fillim ka qenë larg prej këtej, pastaj u zhvendos më pranë”- thotë Kalil Kalilov, një inxhinier nga Azerbajxhani. “Është thjesht shumë më e përshtatshme, pasi të gjithë pijnë duhan.

Çdo gjë është në rregull”- shton ai.

Kalilov, është një nga 11 inxhinierë azerë dhe një nga 200 punëtorët e huaj të punësuar këtu. Rekrutimi i të huajve, që të vijnë dhe punojnë në Çernobil, mbetet një sfidë. “Ne përpiqemi të marrim njerëzit më të mirë për çdo detyrë”-thotë Nikolas Keil, drejtor i projektit në “Novarka Consorcium”. “Për momentin, këtu kemi burra nga 23 vende të ndryshme. Është e vështirë për t’i bindur njerëzit të vijnë, por kur ata janë këtu, është mjaft e lehtë për t’i mbajtur”- nënvizon ai.

Tim Rea, kreu i projektit për menaxhimin dhe përmirësimin e sigurisë së Çernobilit, që po punon për ruajtjen e mbetjeve bërthamore, është një nga ata që gëzon mbështetje dhe një shërbim të cilësisë të lartë mjekësore. “Ne po e monitorojmë vazhdimisht situatën, duke kryer kontrolle të përgjithshme dhe specifike shëndetësore. Të punosh këtu, përfiton një shërbim shumë të mirë të huaj mjekësor”-tha ai për “Kyiv Post”. “Nëse unë fluturoj nga Londra për në Shtetet e Bashkuara, do të marr më shumë se rrezatim, sesa po të qëndroj këtu”- thekson ai.

Rea pretendon ai merr 0.01 milisivert rezatim në muaj, ndërsa një orë fluriturim në avion është e barabartë me 0.1 milisivert, ndërsa nga një skaner në gjoks në spital, një person merr 0.5 milisivert rrezatim. Sëmundjet nga rrezatimi, mund të shkaktohen si pasojë e një doze mbi 300 milisivert, ndërsa maksimumi i dozes së lejuar vjetore për punëtorët është 50 milisivert.

Zherar Le Guoks, një inxhinier francez në pension, vendosi t’i japë një ndihmë Çernobilit, dhe po punon prej 2 vjetësh në ndërtimin e strukturës së re. “Unë isha në pension, pasi punova për 40 vjet me rradhë për kompaninë e ndërtimit Eifel. Ky ishte një shans, për të bërë diçka të jashtëzakonshme. Unë e di se rreziku është këtu, por e di gjithashtu se masat e sigurisë po respektohen me rreptësi. Nëse ndodh diçka, (radioaktiviteti) do të mbërrijë gjithësesi në vendin tim brenda 2 orësh. Unë jam i kënaqur që jam këtu. Kjo nuk është një jetë normale, por nuk është edhe aq vështirë”.

Nga totali, 1300 punëtorë janë ukrainas. Ata punojnë me turne 15-ditore, dhe pastaj shkojnë sërish në shtëpitë e tyre, në qytete dhe fshatra të ndryshme në gjithë Ukrainën. Shumica e të huajve, qëndrojnë jashtë zonës së përjashtimit prej 30 kilometrash në qytezën e Slavutiç, dhe koha e kufizuar që kalojnë në vend është 2.000 persona në vit.

Rreth 180 “banorë” të paligjshëm, kryesisht pensionistë, jetojnë të braktisur në Çernobil dhe fshatrat përreth. “Para evakuimit, ata jetonin në shtëpitë prej druri me kopshte të vogla, në afërsi të pyjeve, nëpërmjet peshkimit dhe mbledhjes së kërpudhave. Por pastaj, ata u zhvendosën për të jetuar në “kuti guri”. Thjesht nuk mund të qëndronin më aty”-thotë Maljuk. Perkthimi: a.g./Bota.al

Leave a Reply

Back to top button