Nga James Rodgers
Himni sovjetik shprehej ndër të tjera se Bashkimi Sovjetik ishte “i pathyeshëm”. Megjithatë, 30 vjet më parë, presidenti i atëhershëm rus, Boris Jelcin, së bashku me liderët e Ukrainës dhe Bjellorusisë, nënshkruan marrëveshjen që krijoi ‘Komonuelthin’ e Shteteve të Pavarura.
Ai akt shënoi fundin e Bashkimit të Republikave Socialiste Sovjetike (BRSS).
Ngjarjet ndodhën në një vend qëllimisht të fshehtë:një resort që përdorej nga elita sovjetike për gjueti në mesin e një pylli të madh në Bjellorusi. Siç shkruan historiani Vladisllav Zhubok në librin e tij të ri “Kolapsi:Rënia e Bashkimit Sovjetik”, të ftuarit e mëparshëm aty kishin qenë ndër të tjera presidenti kuban Fidel Kastro dhe udhëheqësi komunist i Gjermanisë Lindore Erik Honeker.
Të dielën e 8 dhjetorit 1991, Zhubok shkroi:”Kishin ardhur rreth 160 gazetarë, të cilët ishin shumë kureshtarë për procedurat që do të ndiqeshin”. Prania e tyre ishte më se e përshtatshme. Ai ishte një nga ato raste kur gazetaria kishte shkruar vërtet draftin e parë të historisë.
Që nga fillimi i reformave të Perestrojkës në mesin e viteve 1980, korrespondentëve sovjetikë dhe atyre ndërkombëtarë, u ishte lejuar një liri e paprecedentë për të shkruar mbi Bashkimin Sovjetik. Ndaj atyre nuk duhej t’u mohohej një vend në krye të faqeve të parë për atë akt përfundimtar.
Perestrojka – që do të thotë “rindërtim” – ishte politika që lideri sovjetik, Mikail Gorbaçov, kishte synuar të zbatonte për të rigjallëruar sistemin sovjetik që kishte kaluar në koma prej disa vitesh. Por në vend të ringjalljes, ajo reformë çoi në rënien e Bashkimit Sovjetik, që u konfirmua më në fund atë fundjavë të ftohtë të fundit të vitit 1991.
Gorbaçovi nuk kishte pritur që rruga e ndryshimit të ishte e lehtë. Megjithatë, siç argumenton Zhubok, ai mund ta kishte përgatitur më mirë veten. Zhubok thotë se Gorbaçov “injoroi qëllimisht leksionet e historisë”. Shumë elementë konservatorë në elitën politike sovjetike ishin të kujdesshëm ndaj ndryshimeve.
Bashkë me Perestrojkën erdhi dhe Gllasnost – që do të thotë ‘hapje’- pra leja për një diskutim
publik të paprecedentë të problemeve që kishin kapluar sistemin sovjetik. Gazetarët mund të mbulonin histori që më parë kishin qenë tabu. Në fakt, Gorbaçovi i angazhoi ata për të promovuar kauzën e tij.
Dhe gazetarët e morën me dëshirë këtë rol. Siç shkruan gazetari dhe akademiku Ivan Zasurski në librin e tij të vitit 2004 “Media dhe pushteti në Rusinë post-sovjetike:”Me lejen e Sekretarit të Përgjithshëm, gazetarët sulmuan edhe establishmentin e partisë”.
Optimizmi karakterizoi si raportimin e medias sovjetike, ashtu edhe asaj ndërkombëtare gjatë asaj periudhe. Ajo ishte epoka e “fundit të historisë” – sipas shprehjes së famshme të Frensis Fukujamës – një kohë kur ai dhe shumë të tjerë përshëndetën atë që ata besonin se po vinte: “një fitore e pakontestueshme e liberalizmit ekonomik dhe politik”.
Edhe ata që mund të mos e kenë ndarë entuziazmin e madh mbi triumfin e liberalizmit perëndimor, kujtojnë se ajo qe një epokë shumë më emocionuese se çdo tjetër. “Në ato vite mund të flisje praktikisht me cilindo, frika ishte shpërndarë, ishe një kohë e jashtëzakonshme”- kujtoi gazetari kanadez me baim në Moskë, Fred Ueir në një intervistë për librin tim të vitit 2020 “Korrespondent nga Moskë:Raportimi mbi Rusinë nga Lenini tek Putin”.
Uuir mbërriti për herë të parë në Moskë në vitin 1986, një vit pasi Gorbaçovi u ngjit në pushtet. Ai erdhi në Bashkimin Sovjetik si korrespondent i gazetës komuniste kanadeze “The Canadian Tribune”. Pra, ai nuk ishte një aleat i natyrshëm i atyre që përqafuan me entuziazëm rënien e socializmit sovjetik.
E megjithatë ai e kujton atë si “një moment fantastik”. Fundi i komunizmit, ishte fillimi i karrierës sime në raportimin e lajmeve ndërkombëtare. Unë shkova në Moskë si producent për agjencinë televizive të lajmeve Visnews (më vonë Televizioni Reuters). Isha në kohën e duhur për të parë sesi bota në të cilën isha rritur, po ndryshonte përgjithmonë.
Lufta e Ftohtë, në të cilën blloqet rivale të pushtetit të komunizmit sovjetik dhe kapitalizmit amerikan, u përballën kundër njëri-tjetrit, po merrte fund. Tre dekada më vonë, kam reflektuar shumë mbi raportin mes gazetarisë dhe historisë. Më kujtohet se sa shpejt u shuan ato ndjenja eksitimi dhe optimizmi në marrëdhëniet e Rusisë me Perëndimin.
Pasojat e shembjes së Bashkimit Sovjetik, ndihen edhe sot në konfliktin në Ukrainë, dhe në konfrontimin midis Kremlinit dhe Perëndimit që ka ndodhur prej atij konflikti. Një pjesë e asaj përplasje, ka lindur nga interpretimet e ndryshme mbi Luftën e Dytë Botërore.
Ne jetojmë sot në një epokë kur gazetarët kanë nevojë më shumë se kurrë të kuptojnë mënyrën se si përdoret historia, në mënyrë që të promovojnë narrativat politike në ngjarjet aktuale. Historia ndikon si në diskursin bashkëkohor politik, ashtu edhe në atë gazetaresk si brenda Perëndimit, ashtu edhe midis Perëndimit dhe Rusisë.
Kjo është arsyeja pse në Universitetin e Londrës, ku unë jap mësim në departamentin e gazetarisë, po hapim një kurs të ri në Gazetari, Politikë dhe Histori. Mendoni pak për lëvizjen “Black Lives Matter” në SHBA, dhe diskutimin që ka shkaktuar ajo mbi trashëgiminë e perandorisë dhe skllavërinë.
Apo se si të dyja palët në debatin mbi Brexit-it, e interpretuan rolin e Britanisë në Luftën e Dytë Botërore. Mendoni gjithashtu mbi qasjen e gjerë të Vladimir Putin kundër Perëndimit në 75-vjetorin e përfundimit të atij konflikti, kur ai paralajmëroi, në një artikull për National Interest:“Revizionizmi historik, manifestimet e të cilit ne tani i shohim në Perëndim, kryesisht në lidhje me temat e Luftës së Dytë Botërore dhe përfundimin e saj, është shumë i rrezikshëm!”.
Tani, 30 vjet pas rënies së Bashkimit Sovjetik, marrëdhëniet e Rusisë me Perëndimin janë më të këqija se në çdo kohë që nga fundi i Luftës së Ftohtë. Në qershor të këtij viti – duke iu referuar pikës aktual të tensionit më të madh midis Rusisë dhe Perëndimit, që është Ukraina – Putin këmbënguli se “rusët dhe ukrainasit janë një popull, një tërësi e vetme”.
Më afër në kohë, shefat e politikës së jashtme të Britanisë së Madhe dhe SHBA-së, kanë qenë të prirur të theksojnë mbështetjen e tyre mbi sovranitetin e Ukrainës. Këto janë dy interpretime jashtëzakonisht të ndryshme të historisë së largët dhe të afërt, të cilat hedhin një hije mbi ngjarjet aktuale. Prandaj, kushdo që synon të shkruajë draftin e parë të historisë, duhet ta njohë vetë historinë. / “The Conversation” – Bota.al