Your Life

40 e kusur vjeçe, ama në majë të takave

Dëgjojmë shpesh të thuhet “Çdo gjë ka moshën e vet”, dhe disa personave u duket paksa anormale të shohin një femër të moshuar ta mbajë veten. Ne jemi popull paksa konservativ dhe kjo gjë na bën shpesh paragjykues në të tilla çështje. Ama të tilla mendime, thjesht thellojnë atë që të gjithë mendojnë për ne, pra që nuk jemi mendjehapur si njerëz.

Imagjino sikur je duke ecur rrugës dhe sheh një femër të moshuar, të mbajtur, të veshur bukur dhe në majë të takave. Cila do të ishte përshtypja e parë që do të krijonte? E imja do të ishte: “Bravo i qoftë! Të mbash veten tregon kulturë dhe zonja paska goxha kulturë”.

Ne jemi aq vjeç sa ndihemi dhe nuk ka një kod të shkruar se si të vishesh në varësi të moshës. Unë jam 46 vjeçe dhe më pëlqen të vishem bukur, ta mbaj veten, sepse kështu ndihem mirë dhe më duket sikur u imponoj më tepër respekt të tjerëve. Madje ndonjëherë krahasohem me vajzën time se kush është veshur më bukur. Më pëlqejnë fustanet me ngjyra të theksuara në këtë periudhë dhe çmendem pas takave. Më bëjnë të ndihem më me vetëbesim, sidomos në ambientin e punës.

Më kuptoni drejtë, me të veshurin bukur nuk nënkuptoj të ekspozohem, ama të vishem mirë dhe me stil, mbi të gjitha, në një kohë kur të vishesh mirë nuk kushton. Për fatin tonë, kemi plot mundësi ku mund të blejmë veshje të lira dhe të bukura.

Doja të jepja një mesazh për gjithë femrat si unë, që ndonjëherë mund t’u duket vetja e kufizuar në atë çfarë veshin, pasi nuk duan të jenë të paragjykuara për moshën që kanë. Vishuni si jua ndjen qejfi, të tjerët le të mendojnë çfarë të duan. Rëndësi ka që ju të ndiheni mirë dhe me vetëbesim. Nëse takat, fustanet e bukur ju bëjnë të ndjeheni mirë, vishini  pa u penduar.

Back to top button