Stadiumi i Barcelonës mund të ndryshojë emër dhe ky lajm është bërë i ditur nga “Radio Katalunja”. Sipas pas kompania farmaceutike spanjolle “Grifols” i ka ofruar klubit të Barcelonës 400 milionë euro që stadiumi të mbajë emrin e saj për 30 vitet e ardhshme. Barça, e cila kohët e fundit ka lejuar edhe sponsorizimet në fanellë, po e merr seriozisht në konsideratë ofertën për t’i hedhur këto para për modernizimin infrastrukturor të impiantit historik.
Mësohet se një pjesë e shumës mund të përdoret për të përmirësuar kushtet e “Camp Nou”-t, që nga fusha e deri te shkallët e stadiumit. Një pjesë tjetër e këtij çeku shumëmilionësh do të përdoret për të likuiduar Leo Mesin, pas rinovimit të kontratës nga ana e këtij të fundit. Në fakt, kur Barcelona 6 vite më parë lejoi sponsorin (Qatar Foundations) në fanellë, nuk ishin të pakta kundërshtimet e hasura ndër tifozë, ndaj një hap tjetër i kësaj natyre duhet të merret seriozisht në konsideratë nga krerët. Nëse një logo në fanellë, nxiti shumë polemika, sulmet mund të jenë më të mëdha për stadumin, i cili është simbol i qytetit dhe jo vetëm i klubit.