Ekonomi

5 ditë për të shpëtuar Greqinë. Ja kronologjia

Do të jenë 5 ditënetët më të gjata për Greqinë dhe Bashkimin Europian. Ndihmat duhen deri në 20 korrik, por disa parlamenteve u duhet të votojnë

Screen Shot 2015-07-08 at 23.53.04

Pesë ditë për të shpëtuar Greqinë, disa mbledhje ministrash, një samit, dhe në vijim, procedurat e shteteve. Ja cilat janë etapat që do të sjellin shpëtimin e Greqisë, apo daljen e saj nga eurozona, dhe në rastin më dramatik, edhe nga BE-ja.

E MERKURE, 8 KORRIK: Qeveria greke ka dërguar pranë Fondit Europian të Stabilitetit dhe Eurogrupit, kërkesën zyrtare për aktivizimin e asistencës financiare të FES. Një Grup Pune Europian do ta vlerësojë dhe do të nisë procedurën, e cila nis me një mandat për Komisionin Europian dhe Bankën Qendrore Europiane, për të vlerësuar situatën ekonomiko-financiare të vendit.

E ENJTE 9 KORRIK: Athina duhet të paraqesë propozimet e saj deri në mesnatë, ose më saktë, një listë të reformave që dëshiron të vërë në zbatim, në këmbim të ndihmave.

E PREMTE, 10 KORRIK: Reformat do të vlerësohen nga institucionet, pra nga ish Trojka, e cila do të përgatisë opinionin e saj për Eurogrupin.

E SHTUNE, 11 KORRIK: Një mbledhje e jashtëzakonshme e Eurogrupit do të mbahet në Bruksel, për të dëgjuar mendimin e Komisionit dhe të BQE-së, që duhet të rekomandojnë ose jo aktivizimin e programit të FES, si dhe mendimin e ish Trojkës për reformat greke. Nëse do të jenë pozitivë, Eurogrupi do të hapë dritën jeshile për planin e ri të ndihmave.

E DIELE, 12 KORRIK: Një samit i jashtëzakonshëm i Eurozonës do të dëgjojë mendimin e Eurogrupit dhe do i hapë rrugën politike, ose jo, shpëtimit të tretë. Menjëherë më pas, një samit i 28 shteteve do të diskutojë për situatën greke. Nëse do të gjendet një mirëkuptim për masat, samiti i 28-shes do të jetë vetëm një informim mbi risitë. Nëse nuk do të ketë një marrëveshje deri të dielën, të 28-ët do të diskutojnë për pasojat e falimentimit të Greqisë dhe do të vendosin për një plan të mundshëm humanitar, me fondet që duhen gjetur në buxhetin europian.

E HENE, 13 KORRIK: Mbledhje tjetër e Eurogrupit, në kalendar prej kohësh. Do të jetë e nevojshme për të diskutuar për “të nesërmen” e skadimit të ultimatumit ndaj Athinës. Në rast marrëveshje, do të shërbejë për të shfrytëzuar kalendarin e miratimeve të parlamenteve të ndryshëm të shteteve, të nevojshëm në Gjermani, Finlandë, Holandë, Estoni, Austri e Sllovaki.

E HENE, 20 KORRIK: Brenda kësaj date duhet të kryhet disbursimi i parë i FES, përndryshe Greqia nuk do të kryejë pagesën ndaj BQE, sepse do të skadojë kësti prej 3.5 miliardësh.

Ansa – Bota.al

Leave a Reply

Back to top button