Marcello Veneziani
Pesë vjet pas Covid-it, na ka mbetur një dëshirë e vetme: të mos ua shohim më bojën atyre ditëve.
Po, imazhet e spitaleve, të të sëmurëve, të ambulancave dhe të makinave funerale, maskat, radhët, vaksinat. Por edhe fytyrat e atyre që na udhëhoqën dhe na shoqëruan në ato ditë: presidentët, kryeministrat, ministrat, drejtuesit e shëndetit publik, dëshmitarët mjekësorë dhe mediatikë të Covid-it, zërat e tyre, përsëritjet e tyre, kërcënimet e tyre, premtimet e tyre, recetat e tyre.
Nuk duam t’i shohim më, edhe pse jo pak prej tyre ende qarkullojnë, veçanërisht në televizion. Në djall vaftë Covid-i me të gjithë filistejtë e tij.
Pesë vjet më parë Covid-i na plaku menjëherë.
U plakëm të gjithë më shpejt; gra, të moshuar, fëmijë, të rinj e të rritur. Jetuam një vit, gati dy, si të moshuar, me një armëpushim të pjesshëm veror. Të izoluar në shtëpi, duke jetuar si pensionistë, si të dobët, si të shtruar në spital, të distancuar nga të gjithë, të izoluar nga të tjerët, larg botës; ruajtëm mbijetesën duke jetuar më pak, duke mos dalë, duke mos udhëtuar, duke mos rrezikuar. Vuajtëm largësinë e trupave të tjerë dhe frikën për trupin tonë, siç ndodh me të moshuarit. Dhe ashtu si ata, vendosëm shëndetin mbi gjithçka tjetër; shpëtimin e jetës me çdo kusht. Shumë të moshuar vdiqën nga pandemia, por Italia nuk u bë më e re. Ky ishte dëmi i parë i madh biologjik që vuajtëm kolektivisht.
Edhe adoleshentët u plakën papritmas gjatë pandemisë: nëse një djalë nuk shkon në shkollë, nëse e ndan nga miqtë e tij, nëse çdo grup shoqëror shihet si një kërcënim, nëse i ndalohet të dalë jashtë, të udhëtojë, të jetë në rrugë ose të shijojë jetën e natës, atëherë i ke imponuar jetën e një të moshuari, me trupin dhe instinktet e një të riu. U bëmë më shumë spektatorë, më pak aktorë të jetës sonë, jetonim jetën e të tjerëve, madje edhe vdekjet e tyre; të fiksuar pas ekranit, të mbyllur në punët e shtëpisë, në një jetë të kufizuar dhe spitalore, me maska dhe vaksina.
A do të kishte qenë ndryshe pa izolimin total?
Nuk kemi një krahasim të saktë për ta konfirmuar ose për ta mohuar. Historia e Covid-it ka dy anë: nga njëra anë është historia e trajtimeve të suksesshme, përkushtimi i madh i mjekëve dhe shpëtimi i shumë njerëzve. Nga ana tjetër, ishte vala e gabimeve mjekësore që mori mijëra jetë në fillim, qindra vaksina të shpejta dhe një regjim kufizimi dhe survejimi për të cilin ende nuk mund të vlerësojmë dëmet dhe pasojat.
E quajtëm periudhën e pandemisë “novida” – e kundërta e “movida” (jeta aktive e natës).
Novida ishte humbja e jetës, e punës, e marrëdhënieve, e lirisë, e udhëtimeve, e kontakteve familjare – një depresion masiv. Kur mbaroi Covid-i, u pamë të çliruar fizikisht, por me mendje të burgosur; ishim si kafshë të frikësuara që riktheheshin në hapësirat publike, të kujdesshëm, të maskuar, duke u larguar nga çdo afërsi apo grumbullim.
Pandemia na reduktoi në “jetë të zhveshura”, ku ekzistonim vetëm për të përmbushur nevojat bazë – ngrënien, pirjen, shëndetin. As ushqimi nuk ishte më një moment bashkimi; ai u shndërrua në një akt të pastër mbijetese.
Kufizimi më i thellë ishte në vizionin tonë, si në perceptim, ashtu edhe në mendje.
Nuk kishte më botë, nuk kishte më natyrë, nuk kishte më art, kisha, librari, kinema, teatro, koncerte apo sport. Edhe ato pak gjëra që mund të bënim nga shtëpia, si leximi dhe mendimi, nuk i bëmë plotësisht. Ishim të zënë duke mbrojtur veten, duke bërë ushtrime në shtëpi dhe më pas duke qëndruar të mbërthyer para ekranit, për të harruar gjithçka tjetër.
Pandemia na bëri të gjithë më të barabartë, sepse na uli në nivelin e kafshëve, pa zë, pa mendim, pa krijimtari, pa argëtim.
Reduktimi biologjik ishte gjithashtu një reduktim individual, në vetmi.
Ndryshe nga kafshët, ne humbëm grupin dhe hapësirën e lirë. Në emër të ruajtjes së “jetës së zhveshur”, sakrifikuam gjithçka tjetër. Siç thoshte Juvenali: “Për të ruajtur jetën, humbëm kuptimin e saj.”
Jeta u reduktua në një listë simptomash dhe masash mbrojtëse: kollë, ethe, testime, maska, vaksina. Fjalori ynë u ngushtua në një përkufizim të pastër mjekësor dhe sanitar.
Dhe njerëzit, edhe pse duke u ankuar dhe duke rezistuar, pranuan sigurinë në vend të lirisë, pranuan të dorëzonin të drejtat e tyre në këmbim të mbrojtjes.
Në fund, sakrifikuam lirinë, jetën, punën, sovranitetin dhe lumturinë, për hir të një iluzioni mbijetese.
Mala tempora Covid. (Kohë të errëta të Covidit). / Panorama Italia – Bota.al