Analiza

70 vjet nga trauma e Aushvicit, çfarë kemi mësuar?

Lufta, ideologjia e xhihadit, spastrimi etnik… . Të këqijat që pasuan Holokaustin dëshmojnë se mësimet prej tij kanë ende nevojë të mësohen

Nga Efraimi Mirvis

aushv

Sot u mbushën 70 vjet nga çlirimi i kampit më të tmerrshëm nazist të Aushvic-Birkenaut. Në gjithë këto vite, pas zbulimit të krimit më të madh në historinë njerëzore, duket se bota nuk e ka marrë ende veten nga tronditja e madhe që pësoi.
Etika, politika dhe psikologjia janë të gjitha të pamjaftueshme për të kuptuar atë që ne e dimë tashmë, se në çfarë thellësisish mund të zhytet vallë natyra njerëzore. Zbulimi i krimeve të nazizmit shkëlqeu si dritë verbuese mbi brutalitetin e ideologëve, të cilët e panë veten si supernjerëz, mbi çdo lloj vetëpërmbajtjeje morale.
Shkëlqimit të asaj të vërtete të tmerrshme, shumë njerëz iu fshehën, ndërsa disa të tjerë shkuan shumë larg, deri tek dyshimi apo mohimi i hapur i asaj që kishte ndodhur.
Dihen tanimë reagimet e atyre që zbuluan Aushvicin, ushtarët fatkeqë që ishin të parët që panë skenat makabre. Disa heshtën, të tjerët thjesht nuk mundën. Disa ishin shumë të traumatizuar nga ajo që panë, për të ndarë përvojën më të tjerët. Të tjerët bënë fotografi dhe ia shpërndanë ato të gjithë botës.
Pastaj gazetarët, hetuesit, prokurorët, studiuesit, historianët, teoricienët, regjizorët e dokumentarëve dhe pasardhësit e tjerë u rimorën vendin, duke u përpjekur të gjejnë një përgjigje të përshtatshme ndaj dëshmive të të mbijetuarve, provave të dhomave të gazit, krematoriumeve, kazermave për skllevërit, eksperimenteve mjekësore dhe varrezave masive.
Në mënyrë të ftohtë, nga janari i vitit 1945, disa lexues gazetash kishin mësuar tashmë me detaje horroret e Aushvicit, në një kohë që tmerre të ngjashme ishin zbuluar edhe në Majdanek që në korrikun e vitit 1944. Pra, kjo nuk përbënte më lajm.
Ne tashmë e dimë se të mbijetuarit e shqetësimeve dhe traumave ekstreme kanë tendencën që të vuajnë sërish më pas nga ankthet dhe kujtimet e tmerreve, por edhe nga lodhja ndaj mëshirës si dhe ndjenja e fajit.
Tragjikisht, makthi botëror që pasoi zbulimin e Holokaustit përfshin edhe luftëra të përsëritura, si dhe kërcënimin e vazhdueshëm të armëve bërthamore, kimike dhe katastrofës së armëve biologjike. Ne kemi parë përhapjen e absolutizmit, jo më pak agresiv sesa ishte në Rajhun e Tretë, me ideologji të tilla si ajo e xhihadit, spastrimi etnik si dhe gjenocidi i kryer nga serbët kundër boshnjakëve, nga Hututë kundër Tutsëve në Ruandë, nga Kmerët e Kuq kundër 1.7 milionë kamboxhianëve, apo edhe nga ushtria sudaneze kundër popullsisë jo-arabe në Darfur.
Shumë raste të gjykimit të keq, vetë-mashtrimit si dhe moralit frikacak në politikën e pasluftës, mund të jenë të rrënjosura në pamundësinë e udhëheqësve kombëtarë dhe institucioneve ndërkombëtare, për t’u përballur me mësimet që duhet të ishin nxënë prej Holokaustit.
Me përkrahjen ndaj të shtypurve, frenimin e agresionit, pengesesën e ekzagjerimeve nga ana e despotëve dhe duke sfiduar viktimizimin e “kokave të turkut”, duke trajtuar varfërinë apo parandaluar gjenocidin, bashkësia ndërkombëtare ka ende ka një rrugë të gjatë për të përshkuar.
Përgjegjësia për edukimin me Holokaustin është e jona. Ndërsa numri i dëshmitarëve që jetojnë ende zvogëlohet çdo vit, ne kemi një detyrë të shenjtë përpara. Fëmijët e sotëm do të jenë gjyshër dhe stërgjyshër në të ardhmen. Ne duam që ata të vazhdojnë ta tregojnë këtë histori të rëndësishme, për të garantuar kësisoj se asgjë e ngjashme nuk do të ndodhë më kurrë.
Pa dyshim, viktima kryesore e së ashtuquajturës “zgjidhje përfundimtare” ishte populli hebre. Ta pohosh këtë nuk do të thotë as të margjinalizosh apo të mosrespektosh vuajtjet e tmerrshme të romëve, atyre me aftësi të kufizuara, homoseksualëve apo edhe viktimave që ishin kundërshtarë politikë të makinerisë naziste të luftës.
Edhe ata që nuk ishin shënjestra kryesore të nazizmit vuajtën tmerrësisht. Plagët e viktimave të Rajhut të Tretë dhe familjeve të tyre zgjatën për dekada të tëra dhe vazhdojnë edhe sot. Por është e rëndësishme të pranojmë se bashkatdhetarët e viktimave hebreje kanë vuajtur thellësisht ndaj dhe duhen kujtuar me tmerr, respekt dhe mirënjohje sakrificat e bëra nga ata që luftuan nazizmin.
Kombet që humbën miliona qytetarë të pafajshëm (duke përfshirë 1.5 milionë fëmijët e Holokaustit dhe shumë të tjerë si viktima të luftës), janë dëmtuar përgjithmonë. Javën e shkuar, Ministrja e Brendshme e Britanisë, Tereza Mej vuri në dukje se “pa hebrejtë e saj, Britania nuk do të ishte ajo që është sot”, duke i bërë kësisoj jehonë një deklarate të kryeministrit francez Manuel Vals, lidhur me Francën dhe hebrejtë e saj.
Një e treta e të gjithë hebrejve që jetonin asokohe në mbatë botën u shfarosën gjatë Holokaustit. Pa praninë dhe pjesëmarrjen e hebrejve, Evropa në mënyrë të pakthyeshme do të kishte humbur një element të rëndësishëm dhe të paçmuar të identitetit të saj.
Për shumicën e hebrejve, kudo që ata mund të zgjedhin të jetojnë në botë, restaurimi i kombit hebre në atdheun e vet stërgjyshor në Izrael, është një shkëndijë e shpenguar që del nga hiri i Holokaustit.
Jetët e individëve, nuk mund të rrikthehen dhe në shumë raste as plagët s’mund të shërohen plotësisht. Por nga lugina e eshtrave të thata një shpresë e re u ngrit, duke nxitur një komb të tërë të rilindë për të rindërtuar. Përgjatë rrjedhës së 70 viteve që nga trauma e Aushvicit, për shumë hebrej, terapia më efektive ka qenë ta ushqejë dhe rrisë këtë shpresë. /“The Guardian”/
a.g./www.bota.al

Leave a Reply

Back to top button