Histori

95 Tezat e Martin Luterit – 31 tetor 1517

Me 95 tezat e tij, Martin Luteri u përpoq të provokojë reformë brenda Kishës Katolike. Por në vend të kësaj, ai u bë themeluesi i një rrëfimi të dytë të krishterë

Martin Luteri (1483 – 1546) kishte qenë një predikues në kishën e Vittenbergut, që nga viti 1514. Talentet e tij retorike e bënin popullor në mesin e kongregacionit të tij. Ai shpesh mund të gjendej në studion, i zhytur thellë në leximin e Biblës. Luteri donte të ndryshonte mënyrën se si njerëzit lidhen me Perëndinë, duke i bërë shkrimet e shenjta më të kapshme.

Por kisha në Romë e kishte përcaktuar tashmë këtë marrëdhënie: Perëndia fliste me njerëzit nëpërmjet Papës në Romë dhe nëpërmjet përfaqësuesve të Papës, me fjalë të tjera, priftërinjve dhe peshkopëve. Në këtë mënyrë, kisha kishte një monopol kur vinte fjala për të interpretuar Biblën dhe për të vendosur se cilat sanksione duhet të vendoseshin, për shkeljet e rregullave biblike.

Kundërshtimi i praktikave të kishës

Luteri i ri-interpretoi ungjijtë e Dhiatës së Re dhe kështu doli me një paradigmë tjetër të krishterë. Për të, nuk kishte nevojë për ndërmjetësim apostolik, që njerëzit të kishin një marrëdhënie me Perëndinë. Gjithçka që nevojitej ishte Bibla (parësia e shkrimeve të shenjta), Jezu Krishti (parësia e Krishtit) dhe mëshira e Zotit (parësia e mirësisë).

Por ishte shitja e indulgjencave – fitimet e të cilave shkonin për ndërtimin e katedrales së re të Shën Pjetrit në Romë – që ndezi Reformimin. Përveç kësaj, ky trafikim me faljen e mëkateve po financonte gjithashtu stilin e jetesës së Papa Leonit X (1475 – 1521), i cili ishte i njohur se ishte gjithmonë i zhytur në borxhe.

Kur Martin Luteri u ul në tryezën e tij në Vittenberg për të shkruar 95 tezat e famshme, ai vetëm po përpiqej të ndreqte ato që i shihte si gabime të  kishës në Romë (sekularizimi, anashkalimi i beqarisë). Ai nuk po kërkonte një kundërvënie ndaj Papës, as nuk po përpiqej të krijonte një kishë të re. Për këtë arsye, në atë ditë të 31 tetorit 1517, ai nuk i “gozhdoi” tezat e tij në derën e kishës së Gjithë Shenjtorëve, por i dërgoi te miqtë për një “diskutim”. (Megjithatë, ishte e zakonshme të shpallej një debat duke postuar tezat në derën e kishës). Ai nuk ishte revolucionar në atë ditë – ishte një murg i pasionuar, i cili ishte i shqetësuar për shpëtimin e njerëzve në kongregacionin e tij. Reagimi ndaj tezave të tij, të cilat u përkthyen shpejt, u shtypën dhe u kopjuan gjerësisht, e kthyen Luterin, nga një murg në një revolucionar, që shkundi nga themelet botën mesjetare.

Refuzimi për të hequr dorë

Papa Leoni X dërgoi një seri teologësh kundër Luterit dhe e kërcënoi atë me shkishërim, nëse refuzonte të tërhiqej – por pa sukses. Në prill të vitit 1521, Luteri u paraqit përpara Kuvendit të Vorms, ku përsëri refuzoi të tërhiqej. Ai u shpall i jashtëligjshëm, dhe ishte krim në Gjermani që t’i jepej Luterit ushqim ose strehim.

Megjithatë, Luteri gjeti mbështetje mes popullatës, dhe në veçanti, nga Frederiku III, Princ i Saksonisë (1463 – 1525). Frederiku e fshehu Luterin në Kështjellën e Vartburgut, ku ai pretendonte të ishte një kalorës i quajtur Junker Joerg. Atje, ai përktheu Dhiatën e Re në gjermanisht dhe shkroi ese të shumta. Mësimet e tij u përhapën shpejt në të gjithë kontinentin evropian.

Konflikti me Kishën Katolike, siç njihej deri atëherë Kisha Romake, u bë gjithnjë e më i dhunshëm. Të dy palët morën armët. Konflikti fetar evoluoi përfundimisht në Luftën Tridhjetëvjeçare (1618 – 1648), e cila përfundoi me një traktat që shpallte lirinë fetare në Gjermani dhe Evropë. / Deutsche Welle – Bota.al

Leave a Reply

Back to top button