Bota

Nobelistja Svetlana Alexievich: Bjellorusia në prag të luftës civile, Evropa të ndërhyjë

Nobelistja e letërsisë, shkrimtarja bjelloruse Svetlana Alexievich, ndodhet aktualisht është në Berlin për t’u kuruar për një problem shëndetësor. Në një intervistë për “Der Spigel”, ajo flet për protestat në atdheun e saj, tmerret e regjimit të Llukashenkos, dhe mënyrën se si mund të ndihmojë bashkësia ndërkombëtare në shmangien e skenarit më të keq, atë të një lufte civile. Alexievich, 72 vjeçe, është shumë e shqetësuar për të ardhmen e vendit të saj. Çdo mëngjes, thotë ajo, marr e-maile që më bëjnë të shpërthej në lot.

Për sa kohë mendoni të qëndroni në Berlin?

Derisa Aleksandër Llukashenko të largohet nga pushteti. Ajo që ai po bën, është një katastrofë. Që nga manipulimi i zgjedhjeve në gusht, 27.000 njerëz janë burgosur: shkencëtarë, profesorë, njerëz të zakonshëm, punëtorë, studentë etj. Llukashenko po e shkatërron Bjellorusinë.

A ishit edhe ju e rrezikuar?

Unë kam qenë anëtare e Këshillit Koordinues të opozitës. Në fillim, ishim 7 anëtare, por një e nga një, gjithë të tjerët u arrestuan, ose u detyruan të largohen nga vendi. Kur isha e fundit e mbetur ende në liri, portieri i godinës ku jetoj më tha:Ki kujdes, mos dil jashtë. Atje ka njerëz që të presin… Prandaj unë u kërkova miqve dhe gazetarëve të vinin në banesën time, në mënyrë që ata të mos guxonin të më arrestonin. Erdhën edhe disa ambasadorë nga vendet e Bashkimit Evropian.

Kjo që po thoni është shumë dramatike…

Llukashenko nuk shqetësohet aspak për funksionimin e shoqërisë. Deri më tani, 50 mjekë janë arrestuar, me gjithë situatën dramatike të koronavirusit dhe spitalet e tejmbushura. Një kardiolog i njohur në Minsk nuk pranoi të pushonte nga puna mjekë e rinj që kishin marrë pjesë në demonstrata.

Për pasojë u pushua nga puna. Dhe dje u njoftova se shtëpia e tij e pushimit ishte djegur. Autorët e krimit lanë pas një letër kërcënuese, dhe një kukull të magjisë Vudu të goditur me thikë. Minsku është plot me forca speciale të maskuara, që i ndalojnë njerëzit pa asnjë dallim. Është një luftë civile hibride, ku ndjekësit e Llukashenkos janë kundër gjysmës tjetër të popullsisë.

Cilët janë ndjekësit e tij?

Ata janë njerëz krejtësisht normalë, që e mbështesin pasi ndoshta kanë frikë se mos humbin diçka. Por më shumë se gjithçka, ai mbështetet nga ish-funksionarët e sistemit sovjetik. Unë u habita sa shpejt u rikthyen metodat e shërbimit sekret të epokës së Stalinit. Në Luftën e Dytë Botërore, ne e mundëm fashizmin dhe krijuam një “vaksinë” kundër tij. Por nuk patëm asnjë ilaç që ta na mbronte nga Gulagët dhe Stalini. Por me sa duket, qëndrimet e vjetra mund të riaktivizohen në çdo kohë.

Shumë shpejt u bë e qartë se zgjedhjet gushtit ishin manipuluar. Si reaguat në atë moment?

Ideja Këshillit Koordinues, ishte ajo e marrjes së pushtetit pa dhunë dhe gjakderdhje. Demonstratat supozohej të ishin festa. Kjo është arsyeja pse në duar protestuesit mbanin lule. Ne donim që t’ua jepnim ato burrave me maska ​​të zeza në kokë.

Ne donim që ata ta kuptonin, se kjo do ishte edhe fitorja e tyre. Në Bjellorusi, ne gjithmonë kemi pasur ndjenjën se jemi lënë pas nga historia. E kush dëshiron të jetë republika e fundit sovjetike në Evropë? Papritmas, gjërat po ndryshonin. Protestat ishin si lindja e një kombi të ri.

Llukashenko iu përgjigj protesta paqësore me dhunë. A jeni optimiste për vijimin e tyre?

Ai dhe njerëzit e tij ishin përgatitur prej kohësh për këtë situatë. Pajisjet ishin grumbulluar, njerëzit ishin gati dhe po prisnin. Aktet mizore ndodhën kudo, u qëlluan njerëz me armë, u përdor gazi lotsjellës. Nga dritarja e banesës dëgjoja zhurmat, të shtënat, sirenat e policisë. Nisja të qaja. Dhe pastaj mësuam si njerëzit po trajtoheshin në burgje, si po abuzohej me ta. Si po zhdukeshin. Për disa nga të arrestuarit në gusht, nuk ka ende sot asnjë informacion.

Çfarë mund të bëjë Bashkimi Evropian në këtë situatë?

Sanksionet e BE-së kundër regjimit janë të mira, por të pamjaftueshme. Një gjë tjetër që mund të bëhet është izolimi i Bjellorusisë nga sistemi bankar ndërkombëtar. Industria e naftës është e rëndësishme për vendin, ndaj sanksionet mund të vendosen edhe atje.

Kjo do ta godiste rëndë ekonominë. Llukashenko do të ishte i pafuqishëm kundër protestave që do të shpërthenin më pas. Ne duam një transferim paqësor të pushtetit, diçka që Llukashenko nuk mund ta imagjinojë. Ai beson se posti i takon atij.

Dhe ai tani nuk është i vetmi…

Po, duket se është një “sëmundje” ngjitëse. Por SHBA-ja është një vend i madh, i rëndësishëm, dhe me institucione të forta demokratike. Bjellorusia jo. Nëse gjërat vazhdojnë siç janë, Llukashenko do të na mundë.

Ju keni folur për lindjen e një kombi të ri. Çfarë lloj kombi është ai? Në lëvizjen e protestës, nuk ka pasur shumë zëra që kërkojnë lidhje më të ngushta me Perëndimin, si për shembull gjatë Revolucionit Portokalli në Ukrainë…

Kjo është e vërtetë. Ne e kemi mendjen drejt Perëndimit. Por këto protesta janë fokusuar në heqjen qafe të një diktatori, dhe jo në atë se ku do të donim të bënim pjesë. Bjellorusia e re që u pa verën e kaluar, është një vend demokratik. Pjesa tjetër do të vijë më vonë.

Për momentin, duket se po përballen dy grupime. Njëri është agresiv, tjetri është shënjestra e atij agresioni. Në rastin më të mirë, kemi një ngërç…

Nëse ka një krizë ekonomike dhe nëse të burgosurit politikë lirohen, ne mund të përfundojmë në një pikë ku mund të lindë diçka e re. Ka gjasa që Rusia të mos e lejojë një riorientim drejt Evropës, por tashmë kjo do të ishte e pranueshme për mua. Çdo gjë do të ishte më mirë se situata aktuale.

Dhe nëse nuk ndodh, çfarë pritet?

Llukashenko është i aftë për gjithçka. Mund të imagjinoj shpërbërjen e plotë të vendit, kaosin, një luftë civile.

Çfarë nënkuptoni saktësisht më këtë?

Bjellorusia është një vend me shumë armë. Të gjitha njësitë e mundshme ushtarake, janë mobilizuar për të shtypur opozitën. Në krye të kësaj është pandemia e koronavirusit. Rezultati mund të jetë një shpërthim i pakontrollueshëm i dhunës.

Marrë me shkurtime nga Der Spiegel

Leave a Reply

Back to top button