“The Economist”
Një vit më parë, Hemisfera Veriore po hynte në dimrin e saj të parë nën “hijen” e pandemisë së Covid-19. Zyrtarët e shëndetit publik u kërkuan njerëzve të mbanin maska në fytyrë, të zbatonin distancimin social, të lanin rregullisht duart, të qëndronin në shtëpi, t’i mbanin fëmijët larg shkollave, dhe të reduktonin udhëtimet e tyre në mjetet e transportit publik.
Por këto veprime që synonin të ngadalësonin përhapjen e Covid-19,e patën edhe një efekt dytësor:ato e reduktuan edhe përhapjen e viruseve të tjera të frymëmarrjes si gripi i zakonshëm. Organizata Botërore e Shëndetësisë, raportoi se më pak se 0.2 për qind e tamponëve të njerëzve në mbarë botën midis shtatorit 2020 dhe janarit 2021, ishin pozitive për viruset e gripit.
Në një kohë që mesatarja gjatë të njëjtës periudhë në 3 sezonet e mëparshme (2017-2020) ishte 17 për qind. Edhe pse larg nga të qenit i dobishëm, mungesa e një sezoni të gripit në vitet 2020-2021, mund ta ketë ruajtur nga një problem edhe më i madh në dimrin e viteve2021-22.
Gripi mund të na godasë sërish në muajt e ardhshëm me një forcë më të madhe. Shpërthimet epidemike mund të ndodhin më shpejt, të zgjasin më shumë në kohë, dhe të prekin shumë më tepër njerëz se sa zakonisht. Sa i mundur është ky skenar, dhe si mund të shmanget ai?
Gripi vjetor sezonal shkaktohet nga një grup virusesh që qarkullojnë në mbarë botën tek zogjtë, njerëzit dhe gjitarët e tjerë. Në Hemisferën Veriore, sezoni nis zakonisht rreth tetorit dhe arrin kulmin në janarin apo shkurtin e vitit të ardhshëm. Ekzistojnë dy lloje virusesh, të cilat mbahen zakonisht nën vëzhgim nga ekspertët e shëndetit publik.
Viruset e grupit A e kanë origjinën tek zogjtë dhe derrat, ndërsa nëntipet e tyre H1N1 dhe H3N2 (të emërtuara sipas strukturave specifike të dy proteinave në sipërfaqet e tyre, hemaglutininës dhe neuraminidazës), mund të infektojnë njerëzit.
Gripii tipit B është një virus njerëzor. Duke qenë se viruset pësojnë mutacione, ato janë shumë të afta në ri-konfigurimin e proteinave që qëndrojnë në sipërfaqet e tyre, gjë që i bën më të afta të shmangin mbrojtjen imunitare të një personi, edhe nëse ai kanë qenë i infektuar më herët nga gripi.
Kjo do të thotë që vaksinat kundër gripit duhet të modifikohen dhe ri-administrohen çdo vit.
Kompanive farmaceutike u duhen të paktën 6 muaj për të krijuar, testuar dhe prodhuar sasi të mëdha të vaksinave të gripit. Prandaj ato duhet të vendosin shumë javë përpara sezonit të gripit, se cilat versione të viruseve duhet të përfshihen në vaksinat për dimrin e ardhshëm.
Ato e bëjnë këtë gjë duke përdorur të dhëna nga Sistemi Global i Mbikëqyrjes dhe Reagimit ndaj Gripit, një rrjet laboratorësh dhe institucionesh shëndetësore publike me shtrirje në 123 vende të botës,që gjatë gjithë vitit mbledhin mostra të rrugëve të frymëmarrjes.
Ekzistojnë 2 arsye pse sezoni i ardhshëm i gripit, mund të jetë më i keq sesa normali. Së pari, për shkak se ka pasur kaq pak mostra të virusit të gripit të mbledhura gjatë vitit të kaluar, ka të ngjarë që disa lloje kërcënuese virusesh të kenë mbetur të pazbuluara.
Sipas Akademisë së Shkencave Mjekësore të Britanisë, kur kjo ndodh “efektshmëria e vaksinave, si kundër infeksionit ashtu edhe kundër sëmundjeve të rënda, mund të reduktohet ndjeshëm, duke shkaktuar epidemi më të rënda”.
Së dyti, për shkak se kaq pak njerëz janë të ekspozuar ndaj viruseve të gripit gjatë vitit të kaluar, nivelet e imunitetit natyror në popullatë, do të jenë relativisht të ulëta. Atëherë, si mundet Hemisfera Veriore të shmangë një “twindemic” (pandemi të dyfishtë), pra të një rritjeje të njëkohshme të Covid-19 dhe gripit?
Një hap i rëndësishëm do të jetë injektimi i sa më shumë vaksinave (për të dyja sëmundjet) tek sa më shumë njerëz. Megjithëse mbrojtja nuk është asnjëherë e plotë, vaksinimi bën një punë të dobishme për të reduktuar numrin e njerëzve të prekshëm në një popullatë.
Meqë imuniteti natyror ndaj gripit në mbarë botën, është ndoshta në nivelin më të ulët prej vitesh, imuniteti i garantuar nëpërmjet vaksinave, do të duhet të plotësojë atë që mungon. I rëndësishëm do të jetë edhe imunizimi i foshnjave dhe nxënësve të shkollës kundër gripit, duke pasur parasysh rolin që luajnë këto grupe në përhapjen e virusit tek të moshuarit.
Por detyra përfundimtare i përket publikut.
Edhe pse kufizimet e qeverive për të reduktuar kontaktet fizike midis njerëzve, mund të mos jenë më në fuqi në shumë pjesë të botës, njerëzit mund të praktikojnë ende higjienën e frymëmarrjes, duke mbajtur maska në mjedise të brendshme të mbushura plot me njerëz, duke punuar nga shtëpia aty ku është e mundur, dhe duke u shoqëruar më të tjerët në ambientet e jashtme.