Ekonomi

A do të na varfërojë ngadalësimi i Kinës?

Screen Shot 2015-08-27 at 8.37.55 AMRobert Peston

Nuk ka patur asnjëherë një histori ekonomike si ajo e Kinës – rritje të vazhdueshme të të ardhurave kombëtare për 30 vjet me radhë, me 10% në vit, qindra miliona kinezë të nxjerrë nga varfëria, dhe një zgjerim që e ngriti, nga pothuajse hiçi, dhe e bëri ekonominë e dytë më të madhe të botës, me një kontribut prej 15% në GDP-në global dhe 25% në rritjen ekonomike globale.

Kështu që, nuk është ekzagjerim të themi se historia e ekonomisë së botës që nga viti 1978, ka qenë historia e Kinës – që ka përcaktuar gjithçka, nga normat tona të ulëta të interesit (për shkak se fuqia e saj prodhuese e zbuti inflacionin pothuajse kudo), deri tek një bum i paprecedentë në çmimet e energjisë dhe lëndëve të para.

Por deri sot, ka patur një argument të arsyeshëm, se ajo që ndodhte në tregjet e saj financiare nuk kishte ndonjë domethënie të madhe për të gjithë ne të tjerët, për arsye se ata tregje ishin ende relativisht të mbyllur për investitorët e huaj, dhe në ata tregje kishte ende ndërhyrje të konsiderueshme nga ana e shtetit.

Pasoja të mëdha

Deri në zgjimin e fortë të këtyre ditëve të fundit – ku një tronditje e bursë së Shangait, në të cilën aksionet ranë me pothuajse 10%, duke infektuar bursat e tjera, pothuajse kudo. Aksionet ranë në të gjithë botën – mesatarisht 5% në Europë, diçka më pak në Amerikën e Veriut.

Investitorët po thërrasin me të madhe, se e ashtuquajtura epokë e jashtëzakonshmërisë kineze – se Kina mund të rritet më shpejt ekonomikisht se çdo ekonomi tjetër në histornë e njerëzimit – ka marrë fund, pasi ajo është bërë kaq shumë e varur, gjatë viteve të fundit, nga investimet që ushqehen prej borxheve (pikërisht për këtë gjë paralajmëronte filmi im i 2014-ës, “Si e gënjeu Kina botën”).

Dhe ata nuk po e japin verdiktin vetëm në rënien e vlerës së aksioneve, por tashmë edhe çmimet e naftës janë në minimum, në nivelet e vitit 2009, ashtu sikurse çmimet e mallrave kanë rënë në nivelet e para 1999-ës. E gjithë kjo do të ketë pasoja të mëdha për shumicën prej nesh, në javët dhe vitet që do të vijnë.

Tani, mund të tundohemi që të festojmë rritjen e fuqisë sonë blerëse, falë rënies së çmimeve të ushqimit dhe energjisë, që ka shkaktuar oreksi në rënie i Kinës.

Si japonezët?

Dhe ata që kanë borxhe të mëdha mund të gëzohen, që si Banka Qendrore e SHBA (Federal Reserve), ashtu edhe Banka e Anglisë, mund të vonojnë edhe me disa muaj rritjen e normave të interesit, për shkak të shqetësimeve se Kina po eksporton drejt nesh rritje ekonomike më të ulët dhe deflacion.

Por nuk duhet të kemi asnjë iluzion, nëse Kina po bëhet Japoni – domethënë është në prag të një periudhe me rritje ekonomike shumë të ulët, madje edhe stanjacion – të gjithë do të paguajmë një çmim të lartë.

Kjo është veçanërisht e vërtetë në Mbretërinë e Bashkuar, ku problemi i madh në rimëkëmbjen tonë është se jemi shumë të varur nga shpenzimet e konsumatorëve të brendshëm dhe bizneseve në vend – aq shumë, sa po marrim hua nga pjesa tjetër e botës për të financuar standartet tona të jetesës në sasi rekord – apo për të përdorur zhargonin, ne kemi një defiçit rekord të llogarive rrjedhëse, ose një bilanc negativ të të ardhurave tona nga tregtia dhe investimet me pjesën tjetër të botës.

Nëse kjo që po ndodh në Kinë do të shkaktojë një ngadalësim të gjatë për pjesën tjetër të botës, aftësia jonë për ta mbyllur atë defiçit përmes shitjeve tek pjesa tjetër e botës do të dëmtohet keqas – gjë që do të na detyronte t ë shpenzonim shumë më pak. Ose thënë ndryshe, do të bëheshim shumë më të varfër.

BBC – Bota.al

Leave a Reply

Back to top button