Analiza

A do të thotë Brexit që Perëndimi është në rënie?

Nga Sir Malcolm Rifkind

Më kujtohet një fjalim i mbajtur nga Henri Kisingeri në Londër në fund të viteve 1980. Ai e nisi duke thënë, se kur Adami dhe Eva u dëbuan nga Kopshti i Edenit, Adami u kthye nga Eva dhe i tha:”Ti e di e dashur; jetojmë në një epokë tranzicioni!”. Kjo mund të thuhet për çdo periudhë, por bota e sotme, sipas çfarëdolloj standardi, është e jashtëzakonshme.

Vendi im, Mbretëria e Bashkuar, do të largohet majin e vitit të ardhshëm nga Bashkimi Evropian, pjesë e së cilës ka qenë për gati gjysmë shekulli. Rezultati mbetet i paqartë, por ne e dimë se e ardhmja nuk do të jetë më si më parë. SHBA-ja po përjeton presidencën e Donald Trumpit, një administratë unike në pothuajse 250 vjet histori amerikane.

Kina, i ka dhënë fund një periudhë 30-vjeçare, gjatë së cilës Shtetet e Bashkuara ishin superfuqia e vetme në botë. Nëse Pekini do të sfidojë Uashingtonin për epërsinë globale, kjo do të ketë pasoja jo vetëm për këto 2 vende, por për botën në tërësi. Në Rusi, për më mirë a keq, kemi parë nën Vladimir Putinin, fundin e impotencës së saj globale, që ka përjetuar që nga rënia e Bashkimit Sovjetik.

Ajo mund të mos jetë një superfuqi si Bashkimi Sovjetik dikur, por nuk mund të shpërfillet. A janë këto zhvillime të ndryshme dhe të rastësishme? Apo ka një fije lidhëse që i bashkon? Për ta kuptuar këtë, duhet të kthehemi në vitin 1989 dhe rënien e Murit të Berlinit.

Është diçka e jashtëzakonshme që kjo ndodhi saktësisht 200 vjet pas rënies së Bastijës në vitin 1789, e cila çoi në Revolucionin Francez. Në realitet, ajo që ndodhi gjatë dhe pas vitit 1989 nuk ishte një ngjarje, por 3 ngjarje historike të lidhura së bashku; dhe ato erdhën me pasoja të shumëfishta.

Së pari, mori fund Lufta e Ftohtë, lufta globale midis Bashkimit Sovjetik dhe Shteteve të Bashkuara, që mund të kishte çuar në Luftën e Tretë Botërore, dhe në një holokaust bërthamor.

Së dyti, përfundoi lufta ideologjike midis komunizmit dhe kapitalizmit. Komunizmi u shemb, për shkak se nuk mundi të arrinte një nivel zhvillimi qoftë edhe të përafërt, me atë në Evropë dhe Amerikën e Veriut.

Pasoja e tretë e ngjarjeve të vitit 1989, ishte rënia e perandorisë së fundit të Evropës, Perandorisë Ruse. Bashkimi Sovjetik u shpërbë në 15 shtete të veçanta. Sot Putini udhëheq një Rusi me kufij të ngjashëm me ato të kohës së Pjetrit të Madh në vitet 1720. Prandaj Putini, edhe para se të bëhej president, kishte theksur se rënia e Bashkimit Sovjetik ishte katastrofa më e madhe gjeopolitike e jetës së tij.

Nostalgjia e tij ishte për Perandorinë Ruse, dhe jo për komunizmin sovjetik. Pasoja e zhvillimeve dramatike pas vitit 1989 ishte për Evropën dhe botën, fundi i ideologjisë, por jo i historisë. Gjatë viteve të mëvonshme, ne pamë rritjen e populizmit, nacionalizmit dhe gjeneratës së re të udhëheqësve autoritarë.

Në prag të shekullit XXI, dukej se globalizmi, demokracia dhe vlerat liberale kishin triumfuar.

Por, ashtu si Reformacionit që çoi në Kundër-Reformacion në shekullin XVI, tanimë po përjetojmë një reagim. Kjo nuk do të thotë që bota po kthehet aty ku ishte. Kjo mund të nënkuptojë se ajo ka ecur dy hapa para, dhe tani po kthehet një hap pas.

Cilatdo qofshin meritat e Brexit, s’mund të mohohet se Mbretëria e Bashkuar, është gati të bëjë një hap pas teksa largohet nga Bashkimi Evropian. Shumë pyesin veten pse, kur euroskepticizmi po gjallon sot në mbarë Evropën, vetëm Britania po largohet nga BE. Ka një arsye. Dhe ajo ka pak të bëjë me izolacionizmin, nacionalizmin apo nostalgjinë për Perandorinë Britanike.

Arsyeja gjendet kryesisht tek përvoja historike e Britanisë, dhe gjeografia e saj ishullore.

Shekulli XX, ishte i tmerrshëm për Europën. Ai qe jo vetëm “djepi” i dy luftërave botërore. Gati çdo vend europian në kontinent pa shkatërrimin e lirisë së tij, në disa raste për breza të tërë. Gjermania përjetoi tiraninë naziste; Italia fashizmin e Musolinit; Spanja, Portugalia dhe Greqia vuajtën nën diktatura.

Polonia, Çekia dhe të gjitha vendet e Evropës Qendrore dhe Lindore, u mbajtën nën kontrollin politik dhe ideologjik të sovjetikëve për thuajse gjysmë shekulli. Franca, Belgjika dhe Hollanda, si dhe pjesë të Skandinavisë, u pushtuan dhe u pushtuan nga Hitleri gjatë Luftës së Dytë Botërore.

Bashkimi Europian, nuk u krijua vetëm për të garantuar që kombet e Evropës Perëndimore të mos nisin asnjëherë luftë kundër njëri-tjetrin. Ai u themelua edhe për të sjellë një Evropë të re, që përqafon demokracinë dhe “sundimin e ligjit”. Shumë evropianë, kanë pranuar një reduktim të sovranitetit të tyre dhe një mbi-nacionalizëm në rritje, një monedhë evropiane, fundin e kontrollit të kufijve kombëtarë, dhe aspekte të tjera e integrimit evropian.

Konsiderata të tilla respektohen nga publiku britanik, por nuk kanë një peshë të njëjtë për të. Britania ka qenë një vend me fat. Është një komb ishullor, që është pushtuar për herë të fundit më 1066, gati 1 mijë vjet më parë. Sistemi i saj parlamentar dhe sundimi i ligjit, nuk janë shkatërruar që nga koha e Oliver Kromuellit në shekullin XVII.

Për rrjedhojë, nuk mund ta bindni dot publikun britanik, se ndarja e sovranitetit mbi çështjet e brendshme, është diçka tjetër përveç humbjes së vetëqeverisjes dhe llogaridhënies, nëse nuk ka përfitime të mëdha që do ta kompensonin plotësisht atë. Dhe këto përfitime, duhet të jenë reale dhe jo vetëm teorike.

Kështu, Margaret Theçër ishte e përgatitur të reduktonte sovranitetin e Britanisë, për të ndihmuar në krijimin e tregut të brendshëm në BE. Po kështu, Britania e Madhe nuk kishte të njëjtat probleme si francezët, duke e lejuar SHBA-në të kishte komandën e të gjitha forcave të NATO-s në kohë paqeje.

Tani që Britania do të largohet nga unioni, një nga sfidat më të rëndësishme është të sigurohet që Britania e Madhe, Franca, Gjermania dhe pjesa tjetër e Evropës, të vazhdojnë të punojnë së bashku në çështje të mëdha të politikës së jashtme. Kur kryeministrja britanike, thotë se Britania po largohet nga Bashkimi Evropian – por jo nga Evropa – kjo nuk është një retorikë e zbrazët.

Gjatë 300 viteve të fundit, shumë kohë përpara se të krijohej BE-ja, Britania, pavarësisht se ishte një ishull për pjesën tjetër të Evropës, ka qenë gjithmonë e bashkuar me kombet e tjera evropiane, duke i rezistuar tiranisë.

Napoleoni shpresonte që Britania të mbetej neutral, kur nisi fushatën për dominimin e Evropës. Por në vend të kësaj, Britania ishte armikja kryesore e tij deri në humbjen e Vaterlosë. Ajo që do të nevojitet tani, është që BE-ja dhe Mbretëria e Bashkuar të punojnë së bashku në të gjitha çështjet kryesore të politikës së jashtme në vitet në vijim.

Kjo nuk do të jetë e vështirë, nëse ekziston vullneti. Britania, Franca dhe Gjermania, kanë një pikëpamje të përbashkët mbi marrëveshjen bërthamore të Iranit, mbi nevojën për të mbështetur Ukrainën, dhe për të vendosur sanksione ndaj Rusisë. Ato kundërshtuan transferimin e ambasadës amerikane në Jeruzalem, dhe janë në një linjë mbi ndryshimet klimatike, dhe në mbështetje të rregullave bazuar në rendin actual global.

Prandaj, ajo çfarë do të jetë e nevojshme është një BE+1 për çështjet kryesore, e cila është e nevojshme për të maksimizuar ndikimin e Evropës mbi pjesën tjetër të botës. Ekziston precedenti i P5+1, kur Gjermania është ftuar t’i bashkohet anëtarëve të përhershëm të Këshillit të Sigurimit për të ushtrua presion maksimal ndaj Iranit. Dëshira e një marrëveshjeje të tillë nuk është kontestuar seriozisht në Paris apo Berlin.

Sot ndaj Shteteve të Bashkuara dhe Perëndimit si një e tërë, ekzistojnë 2 kërcënime themelore. Ato janë kërcënimi ndaj demokracinë si një sistem i qeverisjes, dhe kërcënimi ndaj vlerave liberale. Por këto dy kërcënime janë të ndryshme. Kërcënimi ndaj demokracisë është i jashtëm. Ai vjen nga Rusia dhe Kina. Ndëkohë kërcënimi ndaj vlerave liberale, është i brendshëm. Ai vjen nga brenda vendeve tona.

Madhësia gjeografike e Rusisë dhe aftësia ushtarake, e bëjnë atë një kundërshtare të frikshme, por ajo po i ofron pak botës si tërësi, përveç naftës, shitjes së armëve dhe mbështetjes ushtarake ndaj diktatorëve të kërcënuar. Ndërkohë Kina, është një sfidë më serioze, për shkak të rritjes ekonomike dhe transformimit të saj.

Ajo synon të ofrojë një model qeverisjeje për Azinë, Afrikën dhe Amerikën Latine, bazuar në formën e vet të kapitalizmit shtetëror të kombinuar me diktaturën e një partie. Disa e shohin atë jo vetëm si një superfuqi të re, që aspiron të zëvendësojë një ditë Shtetet e Bashkuara si fuqia mbizotëruese botërore.

Por Kina do ta ketë të pamundur të arrijë epërsinë globale. Bota ka ndryshuar rrënjësisht që kur Perandoria Britanike mbulonte një të katërtën e botës, ose kur Shtetet e Bashkuara arritën fuqinë e tyre globale pas vitit 1945. Perandoria Britanike pati sukses, vetëm sepse Revolucioni Industrial i dha asaj një forcë të pashembullt ekonomike dhe detare.

Kjo bëri që Britania të vinte nën kontroll vendet e dobëta, të varfëra dhe të pazhvilluara, që nuk mund t’i rezistonin asaj gjatë shekullit XIX. Sot, të gjithë fqinjët aziatikë të Kinës janë shtete moderne dhe të suksesshme. Ndërsa ata nuk mund të konkurojnë individualisht me Kinën, ata formojnë ngadalë aleanca të reja, për të kontrolluar ambiciet kineze.

Sundimi i ligjit dhe vlerat liberale, nuk janë thjesht koncepte teorike. Fati i gazetarit saudit Xhamal Kashoxhi, dhe persekutimi i dhjetëra mijëra myslimanëve kinezë në Provincën Xinjiang, janë dëshmi e asaj që mund të ndodhë, kur qeveritë janë indiferente ndaj sundimit të ligjit.

Nuk s’duhet të jemi të dykuptimtë, në lidhje me angazhimin tonë ndaj sundimit të ligjit – jo vetëm në pjesë të tjera të botës, por edhe në Shtetet e Bashkuara, në Britani dhe gjithë Evropën. Nëse qëndrojmë të patundur, atëherë vlerat perëndimore, të cilat janë vlera universale, do të mbizotërojnë, dhe do të fitojnë besnikërinë e të gjithë njerëzimit.

Marrë me shkurtime nga National Interest – Bota.al

Shënim: Sër Malkolm Rifkaind, ka qenë sekretar i Mbrojtjes dhe sekretar i Jashtëm i Britanisë së Madhe gjatë viteve 1990.

Leave a Reply

Back to top button