Analiza

A e ka arritur Merkeli kulmin e pushtetit?

Screen Shot 2015-10-10 at 09.40.15

Nga Almut Möller

Angela Merkel gjendet nën presion. Për shumë vite ajo ka qenë një “shkëmb” në tryezat e konferencave në Bruksel, të dominuara nga diskutimet e kthjellta mbi situatën ekonomike dhe sociale të shteteve anëtare

të BE-së, ndërsa kancelarja gjermane u bë gjithnjë e më të fortë si në shtëpi ashtu edhe jashtë vendit.

Ndërsa shumë liderë politikë e ndjenë ndikimin e krizës ekonomike në zgjedhjet e zhvilluara në vendet e tyre, Merkel dukej se po fitonte vetëm mbështetje dhe besim.

Në kulmin e suksesit në vitin 2013, partia e saj korri një fitore mbresëlënëse në zgjedhjet federale, duke u kthyer së fundmi në një fytyrë të pasfidueshme, lidere e partisë së saj Kristiandemokrate (CDU), dhe e pushtetit gjerman në Evropë. Kancelarja fitoi respekt si nga adhuruesit ashtu edhe kritikët e saj, duke marrë rolin udhëheqës në sfidat më të ngutshme të Evropës, përkatësisht për të ardhmen e Bashkimit Evropian, dhe kërcënimin e Rusisë ndaj sigurisë evropiane.

Menaxhimi i negociatave mbi krizën e eurozonës dhe aneksimin e Krimesë, forcoi më tej pozitat e saj – por trajtimi i një testi të tretë themelor për evropianët, dhe në fakt edhe Gjermania, në më pak se një dekadë mund të transformohet në diçka shumë të madhe, madje edhe për vetë Angela Merkelin.

Pas një faze fillestare të krizës, në të cilën gjermanët u morën me nevojat urgjente të numrit në rritje të refugjatëve që hyjnë në vend, festimet për 25-vjetorin e ribashkimit gjatë fundjavës së kaluar, e panë këtë debat të hyjë në një fazë të re. Duke iu larguar marrëdhënieve të përditshme, dhe e parë situatën nga një perspektivë më e gjerë, pyetja e shtruar përherë nga gjermanët është:a mund t’i integrojmë me sukses të ardhurit në një periudhë afatmesme dhe afagjatë siç beson edhe Merkel? Dhe në fund të fundit, sa refugjatë do të vazhdojnë të vijnë?

Normat e aprovimit të kancelares kanë rënë kohët e fundit, duke sugjeruar se ekziston një lidhje e drejtpërdrejtë midis mendjes së hapur të saj ndaj mirëpritjes së refugjatët, dhe popullaritetit të saj. Politikanët e 3 partive në koalicionin e Merkelit, kanë reaguar ndaj asaj që e interpretojnë si një humor në ndryshim e sipër në vend, sa i përket gatishmërisë për të mirëpritur më shumë refugjatë, ndërsa kritikë të politikave të saj janë bërë më të zëshëm, madje edhe brenda partisë së saj.

A janë këto shenjat e para të një “Kanzlerinnendämmerung”, siç e ka cilësuar këtë javë një komentator gjerman? A ka arritur kulmin fuqia e Merkelit? Vëzhguesit, të cilët e interpretojnë stilin e qeverisjes së Angela Merkel si kryesisht pragmatik dhe joemocional, janë duke parë  kohët e fundit një kancelare të ndryshme. Zakonisht më shumë një “zbatuese” sesa një “folëse”, Angela Merkel ka shpenzuar jo vetëm më shumë kohë për të shpjeguar politikat e saj ndaj publikun gjerman, por ka filluar të japë informacione të rralla mbi vlerat dhe besimet e saj personale.

E përballur me kritikat në rritje kundër vendimit të saj, për të hapur kufijtë ndaj refugjatëve në Hungari në muajin shtator, Merkel dha një përgjigje emocionale gjatë një konferencë shtypi në Berlin. “Nëse ne tani duhet të kërkojmë falje pse kemi shfaqur një fytyrë miqësore në një situatë emergjente, atëherë ky nuk është vendi im”-tha Merkel.

Pa dyshim, qëndrimet e saj bëjnë më pak jehonë sesa ato të kritikëve, më i shquari Horst Sihofer, kryeministër i Bavarisë dhe kreu i partisë simotër bavareze e CDU-së (CSU), e cila formon një pjesë të qeverisë federale. Vendndodhja e Bavarisë në jug-lindje të vendit dhe në kufi me Austrinë, e ka shndërruar në një rajon të madh tranziti për refugjatët, dhe Sihofer ka deklaruar në mënyrë të përsëritur, se politika e Merkelit mbi refugjatët është krejtësisht e gabuar.

Në këtë sfond të kriticizmit politik, në një intervistë 30 minutëshe në radio në datën 3 tetor, ditën që shënoi 25 vjetorin e ribashkimit të Gjermanisë, Merkel nuk la asnjë dyshim mbi qëndrimin e saj në lidhje me çështjen e refugjatëve. Ky ishte një kontrast i dukshëm për stilin e saj, zakonsht të përmbajtur nga artikulimi i pozicioneve të qarta në raport me çështjet e mëdha (të tilla si reforma e qeverisjes në eurozonë).

Merkel shfaqi një bindje të rritje, mbi logjikën e zakonshme të komunikimit politik. Për shembull, ajo pranoi anë atë intervistë se nuk ka një përgjigje të saktë mbi numrin e refugjatëve, që do të kenë hyrë në vend deri në fund të këtij viti.

Për shumicën e politikanëve, një pohim i tillë do të shoqërohej me kosto të lartë politike, dhe madje mund të ishte edhe një vetëvrasje politike, por duket sikur shqetësime të tilla nuk vlejnë për Angela Merkelin.

Duke vërejtur shkallën në të cilën ka rezonuar gjatë viteve të fundit “faktori Merkel” brenda Gjermanisë, ajo e ka përdorur markën e saj për të vijuar të argumentojë, për një qasje ende racionale të Evropës në këtë situatë të re. “Nuk është në stilin tim të grindem”- argumentoi ajo, ndoshta për habinë e shumë prej atyre që gjithmonë kanë menduar se polemika është në fakt stili i saj.

Së fundmi, Angela Merkel është e gatshme të përdorë besimin që kanë tek ajo shumë gjermanë, për të kërkuar mbështetje për politikën e saj mbi refugjatët, dhe të nxisë gjetjen e një zgjidhjeje të përbashkët në nivelin e BE-së. Në të shkuarën ajo është kritikuar shpesh për mospërdorjen sa duhet të kapitalit e saj të brendshëm politik, për të negociuar shumë prej zgjidhjeve të nevojshme, në mënyrë të veçantë në reformën e eurozonës.

Por këtë herë, rreziqet personale janë më të larta për Merkel. Dhe për momentin, duket se ajo mbetet në krye të argumentit brenda partisë së saj, qeverisë së saj të koalicionit, dhe debatit të gjerë publik. Kjo sigurisht ndihmon, që personalitete të njohura si presidenti Joakim Gauk, të bëhen protagonistë mbi çështje me akute të momentit.

Por Angela Merkel ka një nevojë urgjente të bashkëpunojë me partnerët e saj evropianë, dhe kjo nevojë e bën atë të prekshme, me sa më shumë shumë njerëz që mbërrijnë në vend dhe kërkojnë siguri e një jetë më të mirë në komunitetet lokale. Ndoshta, Merkel është më e prekshme tani, sesa në momentet më të këqija të krizës greke, kur kishte një mbështetje  të madhe në mesin e partisë dhe elektoratit të saj, për planet e njëpasnjëshme të shpëtimit.

Në fund të fundit, slogani i Merkel “Evropa dështon, nëse euro dështon”, deri më  tani ka qenë mjaft abstrakt për gjermanët. Tani për tani, vetëm ndjenja anti-euro nuk ka prodhuar “municionin” e mjaftueshëm për partitë populiste, por çështja e emigracikonit është potencialisht shumë më e rrezikshme për kancelaren gjermane. Angela Merkel e di këtë, dhe po ashtu edhe partnerët e saj të koalicionit të Partisë Social Demokrate (SPD).

Këta të fundit po shpresojnë tashmë të përfitojnë në rrafshin elektoral, çka do t’i mundësonte luajtjen sërish të një roli udhëheqës në qeveritë e ardhshme, në vend se të jenë një partner i vogël në koalicion.

Në një lëvizje të madhe taktike për të përfituar nga aktet e kritikueshme të Merkelit, figurat kryesore të SPD-së po përdorin një retorikë, që propozon kufizimin e numrit të refugjatëve, duke theksuar se ardhja e refugjatëve në masë do të vërë në pikëpyetje paqen sociale në vend.

Nuk janë vetëm socialdeokratët, ata që po përdorin forma të reja të retorikës – edhe kritikët brenda partisë së saj janë bërë më të zëshëm. Merkeli tanimë duhet të luftojë në dy fronte, në atë vendas dhe evropian. Së fundmi çështjet kryesore me homologët e saj të BE-së – një qasje e përbashkët evropiane mbi kontrollet e jashtme kufitare, dhe kuotat për refugjatët, janë opsioni i vetëm realist për ta ndihmuar të fitojë debatin edhe në Gjermani.

Kjo bën që qeveria gjermane, të jetë e ndërvarur nga vullneti i mirë i partnerëve të saj. Çështja nuk është vetëm se në ç’masë kolegët evropianë të Merkelit, janë në gjendje të bien dakord për një marrëveshje të tillë, kur shumë prej tyre përballen me populizmin, ksenofobinë, dhe mungesën e burimeve në vendet e tyre. Por ajo ka të bëjë edhe me atë nëse janë të gatshëm të ndihmojnë Angela Merkelin në nivel

evropian.

Kancelarja gjermane e gjen veten në një pozitë të re varësie. Udhëheqës të tjerë në Evropë e kanë kaluar tashmë këtë përvojë të dhimshme gjatë viteve të kaluara, kur u vendosën në fund zinxhirit më të dobët të vendimmarrjes evropiane. Nevoja e Merkelit për një zgjidhje të përbashkët tani, do të jetë një provë e ndikimit që vitet e dominimit gjerman (de fakto dhe të perceptuar) kanë patur mbi Bashkimin Evropian. Në momentin e saj të prekshmërisë, a mundet në fund të fundit Angela Merkel të mbështetet në duar që janë  mjaftueshmërisht të gatshëm të ndihmojnë?

“European Council of Foreign Relations” – Bota.al

Leave a Reply

Back to top button