Ekonomi

A është Greqia i vetmi “zuzar” në krizën e Euros?

Nga Lisa Tripp

Profesore në “John Marshall” Law School,

Atlanta, Georgia

 

Nëse Greqia dhe Spanja kanë qasje kaq shumë të ndryshme ndaj maturisë fiskale, atëherë si mund të shpjegohet kriza ku janë zhytur të dyja? Përgjigja nuk është ndershmëria fiskale. Po ndodh diçka tjetër. Dhe kjo “diçka” tjetër, në një pjesë të madhe, është Euro

Screen Shot 2015-03-24 at 10.36.50 AM

 

Europa është në mesin e një krize politike dhe ekonomike, që rrezikon të shpërbëjë dekada të tëra integrim europian dhe të ndërpresë rimëkëmbjen e ekonomisë botërore nga recesioni i madh. Për ta kuptuar këtë krizë, le të krahasojmë dy vende. Vendi A është një shtet i vogël me një histori të gjatë evazioni fiskal, mospagime të borxheve shtetërorë dhe një klimë biznesi dhe rregullatore jofunksionale. U lejon punëtorëve të dalin në pension në të pesëdhjetat, dhe u paguan pension të

dyfishtë kur e bëjnë. Ky vend gënjeu në lidhje me buxhetin e tij, vetëm e vetëm që të hynte në eurozonë.
Vendi B është një shtet i madh, historikisht i fuqishëm, që historikisht i ka mbajtur të ulët borxhet qeveritarë. Vendi B ka patur madje tepricë buxhetore, e cila ishte 2% pak përpara se kriza financiare të godiste në vitin 2008. Ai hyri në eurozonë me një llogaritje të ndershme të financave të veta.

Nëse hamendësuat se Vendi A është Greqia, jeni të saktë. Nëse besoni se Greqia ka shkaktuar krizën në Europë për shkak të papërgjegjshmërisë së saj fiskale, atëherë mendoni pak a shumë si shumica për këtë çështje.

Po çfarë duhet të themi për Vendin B, të përgjegjshëm nga pikëpamja fiskale? Ndershmëria e tij duhet të nënkuptojë që po e përballon më së miri krizën. Dhe duhet të jetë Gjermania, apo jo?

Gabim! Vendi B nuk është Gjermania. Vendi B është Spanja. Dhe Spanja po ecën tmerrësisht keq. Papunësia në Spanjë është në nivelin 23.7%, duke rënë disi nga rekordi 27% që ishte në vitin 2013. Më shumë se një e pesta e punëtorëve në Spanjë kanë qenë pa punë gjatë katër viteve të fundit. Më shumë

se gjysma e të rinjve spanjollë janë pa punë dhe kanë qenë kështu prej vitesh. Flitet vazhdimisht për një brez të humbur në Spanjë dhe Greqi. Ashtu si në Greqi, fluska e investimeve në Spanjë plasi kur goditi kriza financiare, dhe Spanjës iu desh të kërkojë një paketë shpëtimi për të mos lejuar kolapsin e bankave të veta. Ekonomia e Spanjës gjithashtu u tkurr gjatë krizës dhe raporti i borxhit ndaj GDP-së për këtë vend është rritur dramatikisht.

Nëse Greqia dhe Spanja kanë qasje kaq shumë të ndryshme ndaj maturisë fiskale, atëherë si mund të shpjegohet kriza ku janë zhytur të dyja?
Përgjigja nuk është ndershmëria fiskale. Po ndodh diçka tjetër. Dhe kjo “diçka” tjetër, në një pjesë të madhe, është Euro.

Huadhënie e ndërkryer
Hyrja në Eurozonë bëri që Spanja dhe Greqia të hiqnin dorë nga fuqia për të krijuar para, fuqia për të zhvlerësuar monedhën e tyre dhe rivendosur konkurueshmërinë, dhe fuqia për të caktuar normat e interesit. Këto janë lëshime jo të vogla, sidomos në një bashkim monetar siç është Euro, ku transfertat mes sektorëve të pasur dhe të varfër të ekonomisë janë të kufizuara, rregullat e rreptë

buxhetorë nuk u lejojnë shteteve anëtarë fleksibilitetin për të reaguar në rast krize, dhe ku tregtia mes vendeve të eurozonës është shumë e çekuilibruar.

Pamundësia për të vendosur normat e interesit në përputhje me gjendjen e ekonomisë, nënkuptonte që në fillimin e viteve 2000, Spanja dhe Greqia nuk mund të rrisnin normat e tyre të interesit për të “ftohur” disi ekonomitë e tyre të “mbinxehura”. Me që ra fjala, kjo “mbinxehje” shkaktohej prej huadhënies së ndërkryer në të dy këta vende prej bankave gjermane dhe europiane. Banka Qendrore Europiane i vendosi normat e interesit në përputhje me gjendjen ekonomike të Gjermanisë dhe Francës, por këto ishin shumë të ulëta për Spanjën dhe Greqinë (dhe Irlandën).

“Mbinxehja” tjetër e ekonomive greke dhe spanjolle shkaktoi inflacion dhe fluska investimesh. Të gjithë këto fluska “plasën”, bankat pothuajse pësuan kolaps dhe shpëtimi i tyre çoi më në fund në një krizë të borxheve sovranë. Pamundësia e Greqisë dhe Spanjës për të printuar para nënkuptonte se atyre u duhej të merrnin hua nga partnerët e tyre në Europë, ose të mos paguanin borxhet dhe të dëboheshin nga BE.

Rregullat e rreptë buxhetorë të anëtarësimit në Eurozonë kërkonin gjithashtu nga Spanja dhe Greqia që të vinin në zbatim masa kursimi në mesin e krizës më të rëndë financiare që nga Depresioni i Madh. Atyre iu kërkua të rrisin taksat dhe të ulnin shpenzimet, edhe pse papunësia kishte arritur nivele astronomikë. Masat e kursimit dhanë një dorë në krijimin e një depresioni me përmasa historoike në Greqi dhe një recesion të rëndë në Spanjë. Politikat krijuan gjithashtu rritje të borxheve publikë. Borxhi i Greqisë është tashmë 175% e GDP-së. Raporti i borxhit kundrejt GDP-së në Spanjë është 100% – një nivel që në Spanjë nuk është parë prej 100 vjetësh.

Për shkak se Spanja dhe Greqia nuk munden ta zhvlerësojnë Euron, e vetmja mënyrë si ato mund të bëhen konkuruese është përmes zhvlerësimit të brendshëm. Kjo nënkupton që Greqinë dhe Spanjën i presin disa vite papunësi e lartë, ulje e standarteve të jetesës, rënie e pagave dhe inflacion. Me fjalë të tjera, varfërim në masë.

Eshtë e famshme tashmë shprehja e Mario Draghit, presidentit të Bankës Qendrore Europiane: “Euro është përgjithmonë!” Mund të ndodhë ose jo që të jetë përgjithmonë, por kjo nuk do të thotë që vende

si Spanja apo Greqia duhet të qëndrojnë në Euro përgjithmonë. Përkundër opinionit shumë të përhapur, kjo krizë nuk mund të largohet me një përrallë morale të papërgjegjshmërisë fiskale të Greqisë. Faktet tregojnë se është ndryshe… /CNN/ e.gj./www.bota.al

Leave a Reply

Back to top button