Analiza

A është një etapë historike marëveshja bërthamore?

Screen Shot 2015-04-09 at 10.20.43

Nga Thierry Coville

Studjues, Instituti  i Marrëdhënieve Ndërkombëtare Strategjike, Francë

Një marrëveshje kuadër u nënshkrua më datë  2 deri më 3 prill në Lozanë, midis grupit P5+1 dhe Iranit pas tetë ditë negociatash intensive. Cilat janë etapat e ardhshme? A mund të pritet një heqje e shpejtë e sanksioneve?

Etapa e ardhshme është që të arrihet të hidhet në të pastërt marrëveshja kuadër në detaje. Kjo etapë nuk do të jetë më teknike se ajo e përfunduar, por ende priten negociata intensive midis palëve. Megjithëse vijat kryesore janë përshkruar, pa dyshim nuk do të jetë më e lehtë për të finalizuar marrëveshjen dhe negociatat do të vazhdojnë të jenë intensive. Çdo kamp ende do të përpiqet që në zbatimin e saj të ketë avantazhe. Megjithatë, një pjesë e madhe e rrugës është bërë  dhe më duket se që sot e tutjte është e pamundur që një nga të dyja palët të rrezikojë të vërë në diskutim marrëveshjen që sapo u nënshkrua dhe të bëjë tërheqje mbrapa në negociatat. A priori, mendohet që do të kemi një marrëveshje përfundimtare deri në fund të muajit qeshor.

Nëse ky është me të vërtetë rasti, një numër i sigurt sanksionesh dypalëshe amerikane dhe franceze duhet të hiqen. Megjithatë, nga ana amerikane mbeten problem sanksionet e votuara nga Kongresi, që mund të hiqen vetëm nga Barack Obama dhe që mund të anullohen vetëm nga Kongresi. Pasiguria ka të bëjë pjesërisht me rezultatin e zgjedhjeve presidenciale amerikane, që do të zhvillohen në vitin  2016. Nëse presidenti i ardhshëm i Shteteve të Bashkuara do të vendoste të mos i hiqte këto sanksione, marrëveshja me Iranin do të dështonte. Kjo procedurë është një element që varet vetëm nga Kushtetuta e Shteteve të Bashkuara, Barack Obama pra nuk mund të bëjë asgjë.

Përkundrazi, nëse zbatimi i marrëveshjes kalon mirë, mund të mendohet se do të jetë e vështirë të justifikohet një mos heqje e sanksioneve, cilado qoftë tendenca politike e presidencës së ardhshme dhe e shumicës së kongresit amerikan. Gjithashtu, është çështja e sanksioneve të zbatuara nga Kombet e Bashkuara. Iranianët, për arsye simbolike, do të dëshironin që këto sanksione të hiqeshin në mënyrë të menjëhershme, por Franca ka adoptuar një pozicion tjetër  lidhur me këtë çështje. Laurent Fabius, ministri francez i punëve të jashtme u shpreh se sanksionet e Kombeve të Bashkuara do të hiqen në mënyrë graduale dhe vetëm nëse Irani përmbush modalitetet e marrëveshjes. Këtu, ndofta ka ende efektivisht divergjenca të pikëpamjeve midis iranianëve dhe sidomos francezëve.

Reagimet pas rezultatit pozitiv të arritur pas tetë ditë negociatash për mbylljen e kësaj dosje, qysh prej dymbëdhjetë vjetësh janë të ndryshme.  Të gjithë negociatorët u shprehën shumë të kënaqur  për këtë marrëveshje, përveç Francës dhe Federica Mogherinit, të cilët u treguan shumë më të kujdesshëm. Si e shpjegoni sjelljen e Francës gjatë negociatave dhe vijën e ashpër që ajo ka zgjedhur?
Eshtë e vërtetë që kontrasti midis reagimit amerikan dhe reagimit francez është i habitshëme. Kjo marrëveshje është pozitive, pasi lidhet me një dosje e cila ka helmuar marrëdhëniet ndërkombëtare të paktën qysh prej vitit 2002. Nëqoftëse shqyrtojmë thelbin e marrëveshjes, kuptohet se të dyja palët kanë bërë konçesione. Qëndrimi i Francës në këtë drejtim është pra efektivisht i diskutueshëm. Shpjegimet janë gjithmonë të njëjtat.

Unë mendoj se ka pasur një linjë neo-konservatore gjatë presidencës së Nicola Sarkozyë, që ekziston në ministrinë e punëve të jashtme të Francës dhe që fatkqësisht vazhdon akoma edhe gjatë presidencës së François Hollande. Për këtë të vjen keq. Kjo sjellje mund të shpjegohet  për arsye të lidhjeve tona tregtare strategjike me Arabinë Saudite dhe sigurisht marrëdhënia jonë historike me Izraelin.

Shqetësimi i ndarë nga shumë shtete, si dhe i Francës, është që të shmanget shtimi i armëve bërthamore në Lindjen e Mesme, por kjo strategji franceze nuk më duket në lartësinë e sfidave. Të shumtë janë ata të cilët sot shprehen se stabiliteti në Lindjen e Mesme varet nga zgjidhja e kësaj krize dhe nga rifutja e Iranit në lojën diplomatike rajonale. Kthimi i një dialogu amerikano-iranian është shumë i rëndësishëm. Ajo që është për të ardhur keq, është mungesa e vizionit politik nga ana e Francës, e cila ka adoptuar një vizion afat shkurtër dhe shumë teknik.

Shoqëria iraniane është modernizuar qysh prej kohës së revolucionit dhe kjo marrëveshje do t’i lejojë asaj të marrë frymë. Ajo do të favorizojë forcat e moderuara në Iran dhe mund t’i lejojë shoqërisë civile të fitojë pak më tepër pushtet politik dhe ekonomik. E gjitha kjo është pra pozitive për Iranin në radhë të parë, por edhe për të gjithë rajonin. Në vitet 2002-2003, Franca luajti një rol ndërmjetësi midis Iranit dhe Shteteve të Bashkuara, kur tre ministrat e punëve të jashtme francez, anglez dhe gjerman – respektivisht Dominique de Villepin, Jack Straw dhe Joschka Fisher – negociuan me Teheranin. Franca po luan sot rolin e “të fortit” dhe më duket që kjo po dobëson influencën tonë në Iran. Megjithëse ky nuk është aspekti më i rëndësishëm, unë shpresoj se kjo nuk do të na penalizojë në planin ekonomik, meqënëse është e qartë që ky pozicionim mund të kufizojë shanset e ndërmarrjeve franceze për të arritur kontrata të mëdha gjatë negociatave me Iranin.

Të gjithë pamë skena të një gëzimi të madh në Iran me njoftimin e kësaj marrëveshje, e cila do të mund t’i lejojë Iranit të integrohet përsëri në gjirin e komunitetit ndërkombëtar. Si zhvillohet debati i brendshëm në Iran, lidhur me këtë marrëveshje? A mund të konsiderohet kjo marrëveshje si një fitore e të moderuarve mbi radikalët?
Hassan Rohani u zgjodh në bazë të programit  elektoral, ku ai shfaqte vullnetin e tij për të zgjidhur çështjen bërthamore me negociata, me qëllim që të arrihet një heqje e sanksioneve. Kjo marrëveshje është pra qartësisht një fitore për Rohanin dhe vijën politike që ai ka mbrojtur. Kjo fitore lidhet dhe me Ministrin e Punëve të jashtme iranian, Mohammad Javad Zarif.

Duke thënë këtë, duhet kuptuar mirë që gjërat nuk janë aq të thjeshta në Iran. Në fakt brenda vendit ka një luftë politike të rëndësishme, midis forcave të moderuara dhe forcave më radikale. Këto të fundit, për mendimin tim, nuk kanë aspak qëllim që të ngrejnë flamurin e bardhë përballë kësaj fitoreje. Sigurisht, radikalët do të dëshirojnë të bëjnë gjithshka për të kufizuar impaktin politik. Për shëmbull, ata kanë zgjedhur të çojnë një radikal në presidencën e Asamblesë të ekspertëve, asamble që ka për mision të zgjedhë një udhëheqës të ri nëse ndonjëherë ai do të zhdukej.

Radikalët kontrollojnë gjithashtu Parlamentin. Për mendim tim ato do të bëjnë gjithshka për të bllokuar përpjekjet e reformave të Hassan Rohanit në fushat ekonomike dhe eventualisht në fushën e të drejtave të njeriut. Pritet që lufta politike të vazhdojë në Iran dhe për këtë Hassan Rohani është mjaft i ndërgjegjshëm. Për fat të keq, suksesi i reformave do të varet nga shkathtësia politike e  Rohanit – për të cilën shpesh ai  ka dhënë prova – duke imponuar pikëpamjen e tij si dhe duke u përpjekur t’i kapërcejë vështirësitë që i paraqiten.

Roli i udhëheqësit, pa dyshim do të jetë përcaktues në këtë luftë politike. Ai ka marrë pjesë drejtpërdrejt në negociatat për çështjen bërthamore dhe kjo përfshirje është pozitive. Megjithatë, Ali Khamenei ka një qëndrim politik shumë konservator. Pra ka pak gjasa që ai të mbështesë Hassan Rohanin në përpjekjet për një hapje ekonomike dhe politike të Iranit.

s.m./www.bota.al

Leave a Reply

Back to top button