Psikologji

A i lë dot njerëzit të jenë vetvetja?

Në një kohë kur jemi mësuar t’i shohim të tjerët me sy kritik, kur shoqëria shpesh kërkon përsosmëri dhe uniformitet, ndoshta gjesti më i thjeshtë dhe më i fuqishëm është: të lësh njerëzit të jenë vetvetja.

Një akt i vogël, por me një domethënie të madhe.

Mendo sa shpesh dikush pranë teje është ndjerë i gjykuar vetëm pse shqiptoi gabim një fjalë. Apo pse foli gjatë për një film, një libër, apo një hobi që ty nuk të thotë asgjë. Mendo sa herë ke parë dikë të gëzohet me gjithë shpirt për diçka që ti nuk e kupton – dhe sa lehtë mund të jetë prishur ai gëzim, vetëm nga një buzëqeshje ironike apo një koment i ftohtë. Shpesh nuk e kuptojmë, por një fjalë e thënë në vendin e gabuar ka fuqinë të shuajë dritën e një njeriu.

Por, njësoj siç mund të shuhet, drita mund edhe të ndizet. Një fjalë e mirë, një gjest i thjeshtë mirësie, një qëndrim pranues kanë fuqinë të japin kurajë, të japin siguri, të ushqejnë shpirtin e tjetrit. Dhe kjo është diçka që secili prej nesh mund ta bëjë. Nuk është e nevojshme të kuptojmë gjithçka që dikush tjetër do apo ëndërron. Mjafton të jemi të mirë.

Secili ka diçka që e ndez, që e bën të ndriçojë. Për dikë është muzika, për dikë është sporti, për një tjetër mund të jetë një pasion i vogël që s’ka asnjë vlerë për botën, por është gjithçka për të. Kur i lëmë njerëzit të shkëlqejnë në dritën e tyre, jo vetëm që i nderojmë, por i japim kuptim edhe vetes sonë. Sepse bukuria e vërtetë e jetës nuk është tek uniformiteti, por tek shumëllojshmëria e pasioneve, tek larmia e shpirtit njerëzor.

Të lësh njerëzit të jenë nuk është dobësi. Është forcë. Është madhështi. Kërkon zemër të madhe për të pranuar atë që nuk e kupton, për të mos e shuar atë që nuk të përket, për të respektuar atë që nuk është “gjëja jote”.

Prandaj herën tjetër kur dikush pranë teje emocionohet për diçka që nuk të prek, mos mendo si ta korrigjosh apo si ta heshtësh. Buzëqeshi. Lëre të flasë. Lëre të ndriçojë. Sepse ndoshta për ty është e parëndësishme, por për të është arsyeja pse sytë i mbushen me dritë. / bota.al

Back to top button