Psikologji

A janë të mbrojtur fëmijët nga televizioni? Çdo prind duhet ta lexojë këtë material

Media e gjerë po fuqizohet ndjeshëm përmes përdorimit tonë, shpesh herë të pakontrolluar.Thuajse të gjithë e kemi vëmë re se si mass media duket sikur na e ka pushtuar jetën. Nuk mund të jetojmë dot pa lexuar lajme të reja përmes smartphonit tonë, pa parë filma apo programe në televizion, apo pa kaluar kohë përpara ekranit të një kompjuteri duke lexuar materiale që i përshtaten interesave tona. Por nëse ne si të rritur arrijmë disi ta kontrollojmë veten ndaj pushtimit mediatik, duket sikur personat më të pambrojtur në shoqëri janë fëmijët.

Ne kërkojmë më të mirën nga secili prej tyre. Duam që në të ardhmen çdo fëmijë i ditëve të sotme të bëhet një i rritur i përgjegjshëm, por faktorët që çojnë në të tilla rezultate janë të shumtë. Në këtë shkrim ne do të ndalemi tek ndikimi i medias, si dhe raporti i fëmijëve me prindërit.

Për sa i përket ndikimit mediatik, do të doja ta nisja nga filmat vizatimorë. Një gjë e sigurt për fëmijët është se secili pëlqen të shikojë filma vizatimorë (nuk është çudi edhe të dëgjosh të rritur që i shohin). Por pyetja që shtrohet në këtë mes, është “Sa edukativë janë këta filma për të vegjëlit tuaj”?

Nuk ka prindër dyshues ndaj vlerës së filmave të tillë, madje shumica prej tyre i sheh si shoqërinë më të mirë për fëmijën e vet. Mirëpo duhet kuptuar se media në tërësi, si dhe kompanitë kinematografike në veçanti, janë biznese që kërkojnë të nxjerrin fitimet e veta. Ne jemi dëshmitarë të shumë lajmeve nëpër portale të ndryshme, të cilat kanë përmbajtje të theksuar erotike. E njëjta gjë po vihet re edhe nëpër filmat vizatimorë. Mjafton që prindërit të shohin me vëmendje filmat si “Tom & Jerry”, apo “Simba” se si ato u mësojnë fëmijëve koncepte anormale për moshën e tyre, si përdhunimi, të qenurit hileqar, apo vrasja e një personi. Normalisht që një fëmijë nuk mund ta kuptojë një gjë të tillë, aq sa një i rritur, por ndikimi i koncepteve të tilla normalisht që do të shënjojë jetën e tij në të ardhmen. Ne jemi ajo që shohim, sepse një i rritur agresiv padyshim që ka parë skena agresiviteti që arrin t’i praktikojë ato.

Programet televizive janë gjithashtu të mbushura me skena erotike, apo skena dhune duke u bërë të papërshtatshme për një fëmijë. Nuk po fusim këtu gjithë programet, sepse ekzistojnë edhe programe edukative, por në momentin e publicitetit, do të dalë domosdoshmërisht në reklama një person publik thuajse i zhveshur, apo duke bërë veprime jo shumë të përshtatshme për t’u parë nga një i vogël në moshë. Për të mos shkruajtur për idhujt e prezantuar nëpër programe. Të rinjtë rriten me idenë se duan të kenë trupin e palestruar të Arnold Scharzeneger, apo perfeksionin e Angelinë Jolie, duke harruar se thuajse gjithë fotografitë e tyre janë të përpunuara me photoshop. Imazhe të tilla, si dhe mungesa e të kuptuarit se si funksionojnë imazhet mediatike, shpesh bën që tek të rinjtë të lindë mungesa e pëlqimit dhe e pranimit të vetes dhe trupit të tyre.

Në anën tjetër kemi vendosur prindërit. Nuk dua të ndalem vetëm tek ndikimi jo i mirë mediatik, sepse ka edhe çështje të cilat nuk varen vetëm nga media, ndaj flisni me fëmijët tuaj edhe për mënyrën se si funksionon media, sepse asgjë nuk është ashtu siç duket në ekranin e një televizori, apo të një smartphoni. Jeta e vërtetë nuk ka njerëz me jetë perfekte, apo me trup perfekt. Çdo gjë e tillë është e ekzagjeruar, ndaj bëjeni fëmijën tuaj ta kuptojë një gjë të tillë, në mënyrë që ai të dojë veten dhe trupin e tij.

Çdo gjë lidhet me komunikimin që ju ndërtoni me fëmijën tuaj. Nëse marrëdhënia juaj bazohet tek besimi dhe tek sinqeriteti, atëherë në të ardhmen ju mund të prisni që fëmija juaj të rritet si një i përgjegjshëm dhe t’ju trajtojë me respekt, ashtu siç e meriton të trajtohet çdo prind për sakrificat që bën. / Fatjon Xhafaj / Bota.al

Leave a Reply

Back to top button