Analiza

A ka të ardhme islami politik?

Pesë vjet pas Pranverës Arabe, shpresa për një politikë jo të dhunshme të poltikës së ndikuar nga besimi islam, është më e pakët se kurrë

Screen Shot 2016-01-10 at 09.37.01

Nga Cameron Glenn

Hapësira politike për një politikë të ndikuar nga islami paqësor, është bërë më e pakët sesa vitin e kaluar. Të shtrydhur nga represioni në njërën anë, dhe dhuna radikale në anën tjetër, lëvizjet politike islamike jo të dhunshme, janë vënë përherë e më shumë në heshtje apo eleminuar në  vitin 2015.

Partitë e moderuara mbetën mënjanë rrjedhave kryesore politike në Egjipt, Algjeri, Jordani dhe Marok. Në Siri, Libi, Jemen dhe Autoritetin Palestinez, vëllezërit e tyre militantë i margjinalizuan, dhe madje i sulmuan ata. Për shumëkënd, si brenda ashtu edhe jashtë Lindjes së Mesme, rritja e Shtetit Islamik e ka diskredituar idenë e një varianti paqësor të islamit politik në shekullin XXI-të.

Ka patur vetëm dy përjashtime:Në Turqi, Partia për Drejtësi dhe Zhvillim (AKP) siguroi një shumicë të qëndrueshme në zgjedhjet parlamentare të nëntorit të shkuar – një ndryshim i rëndësishëm, duke patur parasysh faktin se zgjedhjet e vetëm disa muajve më parë i pamundësuan AKP-së fitimin e të drejtës për të krijuar e vetme qeverinë.

Presidenti Rexhep Taip Erdogan e konsolidoi autoritetin e tij, dhe madje mund të përpiqet të ndryshojë kushtetutën për të forcuar pushtetin ekzekutiv. Në Tunizi, Partia Enahda u bashkua me koalicionin qeverisës, pasi u rendit e dyta gjatë zgjedhjeve në fundit të vitit 2014. Por ISIS dhe Al-Kaeda, e rrëmbyen qendrën e vëmendjes në debatin politik islamik.

Këto grupe dhe degët e tyre kryen sulme në thuajse çdo vend të Lindjes së Mesme gjatë vitit të shkuar, me shpërthimet në Liban, Jemen, Egjipt, Arabi Saudite, Tunizi dhe Turqi, që shkaktuan qindra të vrarë. Shtetit Islamik ndërmorri edhe sulme në Perëndim, kur përkrahësit e saj ekzekutuan më shumë se 120 njerëz në kryeqytetin francez Paris dhe 14 të tjerë në San Bernardino të Kalifornisë në SHBA.

Këto tendenca janë një shenjë e keqe për grupet më të moderuara në vitin 2016, si dhe për sigurinë e rajonit në tërësi. Siria, Libia dhe Jemeni janë veçanërisht të ndjeshme, pavarësisht inisiativave të reja të paqes. Milicitë ekstremiste që kontrollojnë territorin në të treja vendet, nuk kanë qenë pjesë e bisedimeve të paqes- dhe nuk kanë gjasa të bashkëpunojnë edhe nëse ato negociata mund të ketë sukses. Ndërkohë, Egjipti dhe Turqia u bënë gjithnjë e më represive kundër një grupi të gjerë të grupimesh opozitare, duke i justifikuar aksione të tilla me nevojën e një përgjigje të ashpër ndaj ekstremizmit islamik.

Partitë politike

Margjinalizimi i partive islamike, është një hap prapa, pas mundësive të papara politike që ofroi Pranvera Arabe në vitin 2011. Vëllazëria Myslimane në Egjipt, ‘gjyshja’ ideologjike e dhjetëra partive islamike, fitoi presidencën dhe pjesën më të madhe të vendeve në parlament, për t’u rrëzuar dhe shpallur si organizatë terroriste në vitin 2013.

Deri në fund të vitit 2015, partitë islamike anembanë rajonit i humbën zgjedhjet, u ndaluan ose u prirën të bojkotojnë sistemet politike, që gjithnjë e më shumë po veprojnë kundër tyre. Në Egjipt, Partia Salafiste Nour, fitoi vetëm 12 vende në zgjedhjet e diskutueshme parlamentare të vitit 2015 – shumë më poshtë nga 121 vende në vitin 2011.

Lëvizja e Shoqërisë për Paqe në Algjeri, e dëmtoi rëndë besueshmërinë e saj me forcimin e lidhjeve me Frontin Nacionalçlirimtar në pushtet. Fronti për Veprim Islamik i Jordanisë, u dobësua për shkak të përçarjeve të thella të brendshme. Partia për Drejtësi dhe Zhvillim në Marok, ndonëse ende forca më e madhe politike në parlament, mbeti e kufizuar në ndikimin e saj politik.

Pas ra në vendin e dyrtë në zgjedhjet e vitit 2014, partia Ennahda në Tunizi mbijetoi duke u bashkuar në një qeveri koalicioni me Nida Tunes, një parti laike që fitoi numrin më të madh të vendeve në parlament. AKP-së e Turqisë qe një tjetër anomali. Partitë opozitare i dhanë një goditje të fortë në zgjedhjet e qershorit, por ato nuk arritën të formojnë një qeveri dhe AKP rifitoi shumicën e saj qeverisëse në zgjedhjet e parakohshme parlamentare të nëntorit 2015.

Në këtë rrugë, Erdogan dhe AKP, që dikur shihej si partia islamike model në rajon, ka zvogëluar gjithnjë e më shumë lirinë e shtypit dhe heshtur opozitën. Komiteti për Mbrojtjen e Gazetarëve e ka quajtur Turqinë “vendin kryesor në Evropë dhe Azinë Qëndrore që ka burgosur më shumë gazetarë”, ndërsa një reformë mbi sigurinë e miratuar në mars të vitit të shkuar, zgjeroi në mënyrë të konsiderueshme kompetencat e policisë dhe rolin e guvernatorëve rajonalë të emëruar nga qeveria, në procesin e zbatimit të ligjit, me kritikët që e denoncojnë masën e “trajtimit të protestave popullore si akte të mundshme terroriste”, çka sipas tyre e kthen xhandarmërinë turke në një “degë të armatosur të AKP-së”.

Konfliktet lënë ndërkohë pak hapësirë për partitë politike. Qindra anëtarë të Vëllazërisë Myslimane në Siri thuhet se u rikthyen në vend në vitin 2015, për të mobilizuar opozitën ndaj presidentit Bashar Al-Asad, por ata në fakt luftuan me financa dhe rekrutime kundër milicive anti-Asad.

Partia e Jemenit Islah, një tjetër degë e Vëllazërisë Myslimane, dikur kishte dhjetëra vende në parlament. Njëri prej anëtarëve të saj, Tavakol Karman, fitoi Çmimin Nobel për Paqe në vitin 2011 për mbrojtjen e grave para dhe gjatë Pranverës Arabe. Shumë prej tyre ndodhen tashmë në megrim, për shkak të luftës ndërmjet forcave qeveritare dhe rebelëve Huthi.

Grupet ekstremiste

Në vitin 2015, pothuajse çdo vend në rajon, pavarësisht nga politikat e tij, është dashur të përballet me fuqinë e milicive, si ISIS-i dhe Al-Kaeda. Në disa vende, ekstremistët islamikë madje luftuan njëri-tjetrin. Shteti Islamik evoloi në një rrjet filialesh në të paktën 8 vende, duke u zgjeruar përtej epiqendrës së tij në Irak dhe Siri.

Nga fundi i 2015-ës, ISIS-i thuhet se kishte një degë e lidershipit të saj të përkushtuar për të lehtësuar sulmet, përtej kufijve të të ashtuquajturit Kalifat. Në Libi, mbështetësit e ISIS-it bënë bujë vitin e kaluar me prerjen e kokës së të krishterëve egjiptianë, duke hedhur bomba ndaj makinave dhe sulmuar ambasadat e huaja.

Në Jemen, ISIS-i vrau qindra njerëz në sulmet ndaj xhamive Huthi në mars dhe shtator të vitit të kaluar. Në Gaza, mbështetësit e Shtetit Islamik u zotuan të përmbysin Hamasin. Në Liban gjatë muajit nëntor, disa sulme vetëvrasëse në Bejrut vranë 40 persona. Edhe vendet relativisht të qëndrueshme, nuk qenë të imunizuar nga sulmet e ISIS-it.

Në Turqi, ISIS-i mori përgjegjësinë për vrasjen e më shumë se 100 njerëzve, në një tubim paqësor në Ankara në muajin tetor. Në Tunizi, ISIS-i vrau dhjetëra turistë në Muzeun Bardo dhe në një plazh turistik në Sus; më vonë, ata vranë rojet presidenciale në një autobuz. Egjipti dëshmoi një mesatare mujore prej 115 sulmesh terroriste nga ekstremistët islamikë ndërmjet janarit dhe gushtit, nga më pak se 30 në muaj në vitin 2014, sipas Institutit Tahrir për Politikat e Lindjes së Mesme.

Një tjetër tendencë shqetësuese, ishte ndryshim i dukshëm në drejtim të objektivave perëndimore. Pas sulmeve të nëntorit në Paris dhe atij të dhjetorit në  Kaliforni, Shteti Islamik mori përgjegjësinë për bombardimin e një avioni rus mbi Gadishullin e Sinait në Egjipt në tetor, duke vrarë të 224 personat që gjendeshin në bord.

Rivaliteti mes ISIS-it dhe Al-Kaedës e ndërlikon më tepër krizën. Për më shumë se dy dekada, Al-Kaeda ishte organizuesja kryesore e xhihadit në mbarë botën. Por pasi ISIS-i e parapriu duke shpallur një Kalifat global në vitin 2014, disa nga ish-bashkëpunëtorët e Al-Kaedës, duke përfshirë Boko Haramin dhe Ansar Beit El-Makdis të Egjiptit, u rreshtuan me Shtetin Islamik. Konkurrenca midis ISIS-it dhe Al Kaedës, mund të çojë në më shumë dhunë, si ndërmjet grupeve ashtu edhe kundër të tjerëve. Me grupet ekstremiste që po bëhen përherë e më të dhunshme dhe të polarizuara, partitë islamike jo të dhunshme mund ta gjejnë veten të shtyrë edhe më në periferi të debatit politik në vitin 2016. Viti i tmerrshëm i islamit politik nuk ka përfunduar ende.

Shënim: Cameron Glenn është asistenti kryesor në programin e Qendrën për Lindjen e Mesme dhe Afrikën në Institutin Amerikan të Paqes.

“National Interest” – Në shqip nga bota.al

Leave a Reply

Back to top button