Analiza

A mos është koha për bisedime paqeje me ISIS-in dhe Al Kaedën?

Nga Martha Crenshaw

Pas gati 17 vjetësh fokusim tek kërcënimi i terroristëve, komuniteti amerikan i mbrojtjes, nën presidentin Donald Trump, e ktheu vëmendjen ndaj shteteve të fuqishme. Por kjo mund të jetë diçka e përkohshme:terrorizmi i grupimeve xhihadiste, mbetet ende një kërcënim i fuqishëm.

Më së paku, e ardhmja ka të ngjarë të sjellë më shumë konflikte, që kombinojnë terrorizmin transnacional dhe luftën civile, më shumë bashkëpunim midis xhihadistëve dhe rebelëve lokalë jo xhihadistë, dhe më shumë zgjerim të “universit” xhihadist.

Do të jetë e pamundur zhdukja e terrorizmin përmes forcës ushtarake, sikurse Shtetet e Bashkuara duhet ta kenë mësuar tashmë shumë mirë. Por alternativat e mundshme ndaj menaxhimit ose frenimit të kërcënimit, janë të pakta. Prandaj, SHBA-ja mund të jetë ende në kohë, për të shqyrtuar mundësinë e bisedimeve.

Shtetet e Bashkuara, janë të gatshme të mbështesin zhvillimin e bisedimeve me talebanët afganë. Vlen të shqyrtohet, nëse e njëjta frymë mund të shtrihet në grupe të tjera të lidhura me Al Kaedën apo edhe me Shtetin Islamik. Numri i konflikteve që përfshijnë grupet rebele xhihadiste, të cilat luftojnë për të përmbysur regjimet në pushtet, është rritur vazhdimisht gjatë dekadave të fundit.

Ndërhyrja ushtarake në shumicën e vendeve myslimane, që datojnë nga pushtimi sovjetik i Afganistanit në 1979, Lufta e Afganistanit pas 2001-it, dhe më pas pushtimi amerikan i Irakut në vitin 2003, krijoi mundësi që xhihadistët të luftojnë pushtuesit e huaj dhe klientët e tyre lokalë. Vlen të kujtohet, se Al Kaeda filloi si një lëvizje për t’i rezistuar pushtimit sovjetik të Afganistanit, dhe fitoi famë, duke kundërshtuar ftesën e Arabisë Saudite dhe Shteteve të Bashkuara për të dërguar trupa për të mbrojtur mbretërinë nga Iraku në vitet 1990.

Pasi Al Kaeda e solli luftën në Perëndim më 11 shtator 2001, ndërsa Shtetet e Bashkuara dhe aleatët e saj goditën me atë që ata e quajtën “lufta globale ndaj terrorit”. Por ky konflikt, mobilizoi përkrahësit e xhihadit, po aq sa i ndëshkoi apo i dekurajoi.

Në fakt, ajo ndihmoi në nxitjen e rritjes së Al Kaedës. Dhe si për ironi, një nga degët e para të formuara në Irak pas vitit 2003 ishte paraardhëse e Shtetit Islamik, që në fund pushtoi Irakun dhe Sirinë në vitin 2014. Një degë tjetër, e themeluar në vitin 2007, ishte Al Kaeda në Magrebin Islamik e xhihadistëve algjerianë, dhe që tani është një burim përçarjeje mes Afrikës së Veriut dhe rajonit të Sahelit.

Pranvera Arabe, u dha grupeve terroriste më shumë mundësi për të fituar luftën e tyre. Për shembull, trazirat që nisën në Siri në vitin 2011, e lejuan Shtetin Islamik të ngrinte një Kalifat territorial në territoret e Irakut dhe Sirisë. Marshimi ushtarak me një shpejtësi të rrufeshme përballë një ushtrie irakiane të stërvitur dhe të armatosur nga amerikanët, ishte mbresëlënës.

Edhe pse ambiciet territoriale të grupit mund të jenë sabotuar, operacionet kryesore luftarake përfunduan vetëm këtë vit, dhe ushtria amerikane thotë se fushata kundër Shtetit Islamik është në fazën e saj përfundimtare.

Por Shteti Islamik, ka ende rreth 30.000 luftëtarë në Irak. Kontributi i tij më i qëndrueshëm i xhihadit mund të shpallja e Kalifatit, pasi sado i dobët, ai frymëzoi terrorizmin dhe tërhoqi luftëtarë të huaj nga e gjithë bota. Ndonëse kauza rebele është në rënie të ndjeshme në Siri, xhihadistët janë akoma lojtarë të mëdhenj.

Grupet lokale kanë një prani të fortë në Afganistan, Algjeri, Bangladesh, Egjipt, Indonezi, Irak, Libi, Mali, Nigeri, Nigeri, Pakistan, Filipine, Tunizi, Somali dhe Jemen. Ndersa sulmues të saj kanë goditur Belgjikën, Francën, Gjermaninë, Spanjën, Turqinë, Shtetet e Bashkuara, Mbretërinë e Bashkuar, Rusinë dhe objektiva të tjerë.

Por shumë ndarje dhe mosmarrëveshje të tjera, i përçajnë xhihadistët. Lufta e brendshme e pushtetit e minon unitetin, ashtu si mosmarrëveshjet doktrinale dhe strategjike. Për shembull, Al Kaeda këmbënguli se deklarata e Shtetit Islamik për një kalifat në vitin 2014, ishte diçka e parakohshme.

Edhe xhihadistët e përkushtuar, që bien dakord se dhuna është thelbësore për të mbrojtur Islamin kundër Perëndimit, dhe se demokracia është në thelb jo-Islamike, kundërshtuan barbarizmat e ISIS-it. Ndërkohë, Al Kaeda, ka përjetuar ndarjet e saj të brendshme.

Në Siri, besnikët origjinale të Al-Kaidës që përbënin fronin Al-Nusra, u ndanë nga qendra e Al Kaedës në vitin 2016, mbi çështjen nëse lufta duhet të përqendrohet në armikun e “afërt” ose të “largët”. Ndërsa Al-Kaeda kishte mbrojtur gjithmonë një përpjekje revolucionare ndërkombëtare të xhihadit, dega e saj siriane preferonte të përqendrohej në Siri.

Kjo mungesë e unitetit midis xhihadistëve, mund të interpretohet si një shenjë dobësie, dhe qeveritë shpesh përpiqen të mbjellin grindje në radhët e kundërshtarit. “Përça dhe sundo”, është një slogan i dobishëm. Por në fakt, konkurrenca midis kryengritësve rivale ose fraksioneve terroriste, i bën shpesh konfliktet më të vështira për t’u zgjidhur.

Një alternative, është të përpiqesh të zgjidhësh shkaqet rrënjësore të problemit, duke zhdukur kushtet që e bëjnë xhihadin tërheqës. Por edhe nëse mund të identifikohen shkaqet e shumta politike, ekonomike dhe shoqërore të dhunës, trajtimi i tyre është një përpjekje e kushtueshme, që kërkon shumë durim dhe këmbëngulje, të cilat administrata aktuale në SHBA, i ka me pakicë.

Në këto kushte, negociatat mund të jenë një opsion i mundshëm. Pikëpamja tradicionale, është se xhihadistët janë në përgjithësi kundër bisedimeve. Për shembull, Daniel Benxhamin dhe Stiven Sajmën, të dy ish-zyrtarë qeveritarë dhe autorë të librit të vitit 2003 “Terrori i shenjtë”, argumentuan se terroristët e sotëm nuk duan një vend në tryezë; ata duan ta shkatërrojnë atë.

Dhe në fakt, disa negociata janë krejtësisht të kota. Në Siri, grupet më ekstremiste të xhihadit hodhën poshtë çdo kompromis, duke përfshirë edhe armëpushimet për të lejuar evakuimet e civilëve.

Megjithatë, disa grupe relativisht të moderuara brenda kampit të përgjithshëm të xhihadit, kanë bërë marrëveshje. Në fakt, Ahrar Al-Sham (një grup që nganjëherë është aleat i Frontit Al Nusra) është bashkuar me Turqinë për negociata me Rusinë dhe Iranin. Dhe madje edhe përfaqësues të linjës së ashpër të Frontit Al Nusra janë ndarë, nëse do të bashkëpunonin apo jo me përpjekjet e Turqisë për të bashkuar rezistencën siriane.

Përveç kësaj, organizatat rebele nganjëherë mund të anashkalohen dhe dëmtohen, nëse ofertat pajtuese u bëhen anëtarëve individualë. Në luftën civile në Algjeri, qeveria algjeriane ofroi amnisti individuale për rebelët, duke bërë që shumë njerëz të dezertonin dhe kalonin me shtetin, ose të braktisnin luftën.

Përballë një ofensive të fortë ushtarake, organizata e zvogëluar u bë edhe shumë brutale, derisa u mënjanua nga brenda nga udhëheqës të cilët kundërshtonin vrasjen e myslimanëve të tjerë. Ishte pikërisht ai momenti, kur grupimi i ri hipi në “vagonin” e Al Kaedës.

Sigurisht, Al Kaeda dhe Shteti Islamik, nuk janë talebanë. Dhe talebanët e sotëm ndryshojnë nga organizata që strehonte Osama bin Ladenin përpara sulmeve të 11 Shtatorit. Ajo ka udhëheqje të re, nuk ka sponsorizuar terrorizmin transnacional kundër Shteteve të Bashkuara, dhe në përgjithësi sulmon objektiva ushtarake brenda Afganistanit.

Por kjo s’do të thotë që Shtetet e Bashkuara, duhet të kenë ndonjë iluzion në lidhje me qëllimet e tyre përfundimtare, dhe as duhet të harrojmë se Al Kaeda është një mbështetëse besnike e talebanëve. Por thjesht nuk duket se ka ndonjë alternativë për një lloj kompromisi në Afganistan.

E njëjta logjikë mund të zbatohet edhe për grupet më të zgjedhura. në aleancë me kauzën xhihadiste.

Më së paku, duhen vlerësuar kostot dhe përfitimet potenciale të angazhimit. Në fund të fundit, një disfatë ushtarake e Shtetit Islamik në Siri dhe madje edhe në Irak, nuk do të nënkuptonte fundin e terrorizmit dhe ekstremizmit.

ISIS është zotuar të vazhdojë luftën e tij, dhe ka bërë thirrje për sulme të reja në Perëndim. Dhe Al Kaeda dhe rrjeti i saj i aleatëve, do të përfitojnë nga rënia e rivalit të tyre më të shquar në Lindjen e Mesme. Ndërkohë, vazhdojnë shumica e problemeve themelore, që çuan në ngritjen e organizatave xhihadiste.

Nuk ka një përgjigje të thjeshtë për t’u vënë në zbatim, përballë një kërcënimi kaq kompleks, të shtrirë dhe të paqëndrueshëm. Por vlen të merren në konsideratë të gjitha opsionet, duke përfshirë negociatat me palët e zgjedhura.

 

Shënim: Martha Crenshaw, është bashkëpunëtore në Qendrën për Siguri dhe Bashkëpunim Ndërkombëtar në Institutin Freeman Spogli, dhe profesore e shkencave politike në Universitetin e Stenfordit.

Burimi: “Foreign Policy”

Në shqip nga bota.al

Leave a Reply

Back to top button