Analiza

A mund të mbetet Izraeli një demokraci ?

Screen Shot 2015-03-21 at 6.02.02 PMNga Dana Milbank

Njëmbëdhjetë vjet më parë, së bashku me vajzën time të vogël, hyra në bodrumin e një sinagoge, duke e zhytur trupin e saj të vogël, nga koka tek këmbët, brenda një vaske me ujë. Ajo doli prej andej, duke vjellur ujin dhe duke u kollitur, pastaj filloi të merrte frymë thellë.

Në fakt, zhytja në një banjë hebreje, një ritual i quajtur mikvah, tingëllon disi makabre. Por  kishte një arsye të rëndësishme: Nëna e saj nuk është hebreje, dhe sipas zakoneve tona dhe ligjit izraelit, besimi trashëgohet vetëm nga prejardhja e femrave, kështu që unë e konvertova vajzën time.

Duke u siguruar që ajo është hebreje në sytë e shtetit Izraelit, kjo    jep njëfarë paqeje shpirtërore e mendore. Nëse Gestapo do të rrikthehet ndonjëherë, ajo dhe pasardhësit e saj, do të kenë një vend ku të shkojnë të strehohen. Edhe pse një kërcënim i tillë, duket i paimagjinueshëm sot. Ndoshta nuk ka patur kurrë më parë një kohë më të mirë apo vend, se të qënit hebre në shekullin e XXI-të në SHBA.

Gjithësesi, mbetet ende një ndjenjë e thellë makthi, dikush mund të thotë edhe paranojë, tek hebrejtë pas shekujsh persekutimi. Izraeli, shteti hebre, është kundërhelmi për këtë frikë. Ligji i Rrikthimit, i miratuar nga qeveria e David Ben-Gurionit në vitin 1950, garanton shtetësinë izraelite për të gjithë hebrejtë që shpërngulen në Izrael.

Ai ligj kishte për qëllim të garantonte, që Izraeli do të mbetet hebre (paradoksalisht palestinezët, nuk e kanë këtë të drejtë). Por ajo gjithashtu do të thotë se, pas Holokaustit, dhe mijëra vite endjesh nëpër botë, ka pasur më në fund një vend, në të cilin mund të shkojnë të gjithë hebrenjtë dhe të mbrojnë veten, në rast se askund  tjetër nuk ka siguri.

Kjo është arsyeja, pse veprimet e Benjamin Netanjahut, në prag të zgjedhjeve të fundit parlamentare, ishin aq monstruoze. Në një përpjekje të suksesshme, për të marrë vota nga partitë e ekstremit të djathtë, kryeministri u zotua se nuk do të ketë shtet palestinez, për aq kohë sa ai të jetë në krye të vendit. Kjo ishte haptazi një çjerrje e maskës, duke zbuluar atë që në fakt dyshohej prej shumë vetëve:Netanjahu nuk ka asnjë interes tek një zgjidhje me dy shtete.

Netanjahu, u përpoq të largohej nga ai qëndrim menjëherë pas zgjedhjeve, duke siguruar gjatë disa intervistave për televizionet amerikane NBC, NPR dhe Fox se ai ende mbështet, të paktën teorikisht, një zgjidhje paqësore me krijimin e dy shteteve. Tërheqja e tij dukej nominale dhe e pasinqertë, por edhe nëse ky gjest është risigurues, braktisja e idesë së një shteti palestinez, do të shkatërrojë me siguri shtetin hebre, ose në rastin më të pakët, do të nxisë krijimin me shpejtësi të bombës bërthamore nga ana e Iranit.

Kjo nuk është një çështje ideologjike por aritmetike. Pa një shtet palestinez, Izraeli mund të jetë ose një shtet hebre ose një demokraci, por jo të dyja. Nëse anekson territoret palestineze dhe mbetet demokratik, ato do të ndahen përafërsisht në mënyrë të  barabartë, midis hebrenjve dhe arabëve. Nëse i pushton ato territore dhe shtyp të drejtat e arabëve, Izraeli pushon së qëni një shtet demokratik.

Në Bregun Perëndimor, Gaza dhe Jeruzalem, jetojnë afërsisht 4.4 milionë palestinezë, ndërsa 1.4 milionë të tjerë jetojnë brenda Izraelit. Kjo i vendos ata në barazi të përafërt me hebrejtë, të cilët janë pak më tepër në numër, afërisisht 6 milionë. Rritja e popullsisë dhe normat e larta të fertilitetit tek palestinezët, tregojnë se brenda pak vitesh, hebrenjtë do të jetë një pakicë mes lumit Jordan dhe Mesdheut.

Disa eksponentë të krahut të djathtë, i kundërshtojnë këto shifra, dhe përpiqen të mbështesin tezën e dyshimtë, se në rast se Izraeli do të aneksojë territoret  palestineze, mund të mbijetojë ende si një shtet demokratik hebre. Këta janë pikërisht ata votues, të cilët Netanjahu i peshkoi në momentet e fundit, kur tha një ditë para zgjedhjeve, se nuk do të lejonte një shtet palestinez, dhe kur paralajmëroi ditën e votimeve se “votuesit arabe po mësynin nga jashtë në turma”.

Por në fund, s’mund të ketë asnjë shtet demokratik hebre, përveç nëse ekziston edhe një shtet palestinez. Miku im Xhefri Goldberg, në një artikull në “The Atlantic”, mbi për të ardhmen e dyshimtë të hebrenjve të Evropës, kujton një ngjarje, në të cilën ai merrte pjesë vjeshtën e shkuar me liderët hebrenj amerikanë, në rezidencën e zv.presidentit amerikan Xho Bajden.

Bajden, kujton Goldberg, tregoi historinë e një vizite të gjatë, ku takoi kryeministren e dikurshme të Izraelit, Golda Meir, e cila i tha atij se “arma e fshehtë” e Izraelit, ishte se hebrejtë “nuk kanë vend tjetër ku të shkojnë”. “është thjesht emblematike”- citon Goldbergu, t’u ketë thënë Bajden hebrejve amerikanë.  “Nuk ka vend tjetër ku të shkoni, dhe ju e kuptoni këtë tek kockat tuaja, se pavarësisht sesa mikpritës, të rëndësishëm, angazhuar dhe sesa thellë ju jeni përfshirë në Shtetet e Bashkuara. . . ka vetëm një garanci. Me të vërtetë ka vetëm një garanci absolute, dhe ky është shteti i Izraelit “.

Goldberg mendoi se Bajden i referohej “nocioneve  të vjetëruara rreth ankthit hebre”. Por kjo mund të ndryshojë. Kjo është arsyeja, se përse unë e zhyta fëmijën tim në mikvah. Dhe kjo është gjithashtu arsyeja, pse unë jam tmerruar nga mohimi i Netanjahut për një zgjidhjeje me dy shtete. Pa dy shtetet, nuk do të ketë edhe një shtet hebre, dhe nëse Zoti na ruajtë, vajza time ose pasardhësit e saj, një ditë nuk do të kenë vend tjetër ku të shkojnë. /”Uashington Post”/

a.g./www.bota.al

Leave a Reply

Back to top button