Analiza

A mundet që fizika e panikut të shpjegojë lëvizjet e turmës?

Nga Sidnej Perkovic

Kur njerëzit i bashkohen një turme, lidhjet fizike dhe emocionale përcaktojnë lëvizjen, gjendjen mendore dhe vullnetin e tyre për të vepruar. Kuptimi i turmave, mund të na ndihmojë të menaxhojmë panikun e shkaktuar nga një sulm terrorist.

Një shkencë e turmave, është jetike për menaxhimin e shumë emergjencave, veçanërisht kur dendësia bëhet e rrezikshme. Paniku ose kaosi në një turmë, mund të vrasë ose plagosë qindra njerëz, siç ndodhi në Paradën e Dashurisë në Gjermani në vitin 2010, kur mijëra pjesëmarrës në një festival të muzikës tekno u shtypën me njëri-tjetrin në përpjekje për të hyrë në një tunel të ngushtë; 21 persona vdiqën të asfiksuar.

Shkenca themelore dhe siguria publike, kërkojnë që ne të zhvillojmë një shkencë të plotë të turmave, duke përdorur një sërë disiplinash. Sot, puna e psikologëve socialë, tregon se turmat janë të ndikuara nga personalitetet e anëtarëve të veçantë.

Kështu, turmat mund të përfshijnë sjellje altruiste dhe të dobishme, ashtu si dhe e kundërta. Dhe tani ne mund të zgjerojmë shkencën e turmës, duke përfshirë analiza sasiore duke përdorur fizikën klasike dhe statistikore, shkencën kompjuterike dhe teorinë e sistemeve komplekse – studimin e grupeve të entiteteve që ndërveprojnë.

Një koncept i rëndësishëm nga teoria e kompleksitetit është “emergjenca”, e cila ndodh kur ndërveprimet midis njësive, prodhojnë sjellje në grup, të cilat nuk mund të ishin parashikuar nga vetitë e ndonjë elementi individual. Për shembull, duke lëvizur rastësisht, molekulat e ujit të lëngshëm, H2O, lidhen papritmas në 0 gradë Celsius për t’u prodhuar akull.

Sjellja emergjente, mund të parashikohet në qoftë se njihet ndërveprimi ndërmjet entiteteve, siç tregohet në vitin 2014 nga studiuesit në Universitetin e Minesotës në SHBA, të cilët përcaktojnë se si veprojnë dy njerëz në lëvizje, dhe lëviz një turmë.

Studiuesit morën fillimisht në konsideratë një ide nga fizika, duke menduar se ashtu si elektronet, këmbësorët shmangin përplasjen duke iu kundërvënë njëri-tjetrit kur afrohen. Por bazat e të dhënave në video, treguan se kur njerëzit e shohin se do të përplasen, ata ndryshojnë rrugë.

Nisur nga kjo, studiuesit prodhuan një ekuacion për atë që përbën një forcë universale të neveritjes mes dy njerëzve, bazuar në kohën deri para përplasjes, dhe jo në distancë.

Formula, riprodhoi me sukses tiparet emergjente të botës së vërtetë të një turme, si formimi i një konfigurimi gjysmërrethor, që është duke pritur të rrjedhë nëpër një kalim të ngushtë, ose duke krijuar korsi të pavarura, teksa anëtarët e saj ecin drejt daljeve të ndryshme.

Kjo bën të mundur simulimin e sjelljes së turmës, për të dizajnuar për shembull rrugët e evakuimit. Për të qenë të dobishme në raste emergjente, analiza e turmave duhet të ketë parasysh “infektimin” emocional. Përhapja e frikës, mund të ndryshojë sjelljen emergjente, siç tregohet nga studiuesit e Universitetin të Teknologjisë në Iran.

Në vitin 2015, ata krijuan një version kompjuterik të një hapësire publike të simuluar, të populluar me qindra të rritur dhe fëmijë, dhe rojet e sigurisë që i orientonin njerëzit për tek daljet. Duke supozuar se pjesëmarrësit po reagonin ndaj një ngjarjeje të rrezikshme, simulimi shkaktoi tek ata nivele më të larta frike dhe lëvizje të rastësishme paniku, kur nuk gjetën dot një dalje.

Duke drejtuar simulimin, studiuesit zbuluan se ndërmjet 18-99 për qind e njerëzve mund të shpëtojnë, në varësi të kombinimit të pjesëmarrësve. Numri më i madh i ikjeve nuk ndodhi me numrin më të vogël ose më të madh të njerëzve apo agjentëve të sigurisë, por me vlera të ndërmjetme.

Kjo tregon se gjendja emocionale e një turme, mund të ruajë dinamikën e saj në një fazë të komplikuar jo-lineare. Ne mund të përcaktojmë emocionin e individëve në një turmë të vërtetë, duke vëzhguar sjelljen e tyre fizike. Në vitin 2018, një ekip nën drejtimin e Hui Ju i Universitetit të Portsmuthit në Britaninë e Madhe përdori energjinë kinetike, energjinë e lëvizjes në fizikë, për të shërbyer si një matës që mund të përcaktonte se kur një turmë hyn në një gjendje emocionale “jo normale”.

Anëtarët e grupit, që vrapojnë për larguar nga një ngjarje e rrezikshme, si p.sh nga një shpërthim, e kanë rritur energjinë kinetike, e cila mund të zbulohet në imazhet video të turmës në kohë reale. Duke përdorur teknika të vizionimit kompjuterik, kërkuesit llogaritën shpejtësinë e pikselëve që përbëjnë imazhet, nga të cilat ata identifikuar pjesën më energjike të turmës.

Hulumtuesit aplikuan metodën e tyre, në grupin e të dhënave të videoklipeve të mbledhura nga informaticieni Nikolaos Papanikolopulos dhe kolegët e tij në Universitetin e Minesotës. Këto video tregojnë turma njerëzish të vërtetë, që reagojnë ndaj emergjencave të simuluara.

Fillimisht, subjektet ecin normalisht, pastaj papritur shpërndahen me vrap, në të gjitha drejtimet. Algoritmi i energjisë së tyre i kuptoi shpejt këto kalime, dhe studiuesit arritën në përfundimin se metoda mund të zbulojë automatikisht sjellje të pazakonshme, dhe potencialisht të rrezikshme në tubimet publike.

Lidhje të tjera midis emocioneve dhe veprimeve, janë zbuluar nga shkencëtari i kompjuterve Dinesh Manosha në Universitetin e Merilendit dhe kolegët e tij, përmes modelit të tyre “CubeP“, i cili bashkon analizën e faktorëve nga fizika, fiziologjia dhe psikologjia.

Këta tre faktorë, janë shumë të ndërlidhur gjatë aktivitetit fizik dhe përgjigjeve emocionale, që prekin një turmë në krizë. “CubeP”, përdor fizikën themelore të forcave dhe shpejtësive, për të llogaritur përpjekjet trupore të një personi në lëvizje.

Studiuesit testuan “CubeP” në simulimet kompjuterike të një turme, që reagon ndaj një ngjarjeje të rrezikshme, me rezultate realiste. Një person virtual pranë kërcënimit, preket nga paniku dhe largohet. Një individ tjetër pak më lrg, i përgjigjet “infektimit” emocional, me frikën dhe sjelljen e ikjes, edhe pse pak më vonë.

Në të gjitha këto simulime, sjelljet e turmës ishin në mënyrë të arsyeshme afër realitetin. Këto gjetje, mund të çojnë në më shumë mbikëqyrje të turmave në hapësira publike, një fenomen që aktualisht ngjall shpesh shqetësime për abuzime potenciale.

Burimi: “Aeon.co” – Bota.al

Leave a Reply

Back to top button