MagazineMAIN

A po bëhemi më të mençur, apo më budallenj?

Në një epokë ku çdo përgjigje ndodhet një klikim larg, duket e çuditshme të pyesësh: a po bëhen njerëzit më të mençur, apo më budallenj?

Në pamje të parë, gjithçka duket qartë: njerëzimi ka bërë përparime marramendëse. Në vitin 1820 vetëm 12% e popullsisë botërore dinin të lexonin. Sot, më shumë se 86% e njerëzve në Tokë dinë shkrim e këndim.

Është padyshim një rritje spektakolare – një revolucion në inteligjencë, arsim dhe vetëdije.

Por megjithatë, diçka nuk shkon. Në një botë ku jemi më të arsimuar se kurrë, duket se mendojmë më pak. Lexojmë më shumë tekste, por thellohemi më pak. Kemi më shumë informacione, por më pak mençuri.

Epoka e “Google-it që mendon për ne”

Dikur, të dije diçka kërkonte përpjekje: duhej të kërkoje në libra, të pyesje, të studioje.

Sot, thjesht e “gugëllon”. E kemi deleguar përftimin e dijes, ia kemi deleguar kujtesën tonë motorëve të kërkimit.

Nëse dikur të dije ishte vlerë, sot është aftësia për ta gjetur shpejt që ka më shumë rëndësi.

Steve Jobs e quajti kompjuterin “biçikleta e mendjes” – një mjet që e bën trurin tonë më efikas, që na kursen energji për ta përdorur më mirë diku tjetër.

Por ka një dallim të hollë mes mjetit që të ndihmon të mendosh dhe mjetit që mendon për ty. Nëse biçikleta të çon më shpejt, Google të bën të harrosh si të ecësh.

Efekti paradox: më të mençur, por më pak të kuptueshëm

Psikologët e quajnë këtë paradoksin e inteligjencës: ne po bëhemi më të aftë për të përballuar informacionin, por më të paaftë për ta përtypur. Bota moderne ka rritur kapacitetin tonë për të procesuar, por ka zvogëluar aftësinë tonë për të reflektuar.

Ne dimë gjithçka për gjithçka – nga politika e Afrikës në recetat e TikTok-ut – por nuk jemi më të sigurt për asgjë. Jemi më të shpejtë, por më të shpërqendruar. Më të lidhur, por më të vetmuar. Në një farë mënyre, po bëhemi më inteligjentë teknikisht, por më të varfër shpirtërisht.

Kur inteligjenca shkon dëm

Sociologia turko–amerikane Zeynep Tufekci thoshte para disa vitesh: “Kemi rekrutuar mendjet më të zgjuara të planetit për të zbuluar se si ta mbajmë dikë në Facebook 10 minuta më shumë.”

Miliona mendje të ndritura punojnë sot për të krijuar algoritme që mbajnë vëmendjen tonë të lidhur pas ekranit, jo për ta çliruar atë.

Dhe ja ku jemi: më të zgjuar si specie, por më të manipulueshëm si individë. Të mbërthyer në një spirale “scrolling-u” në telefona, ku lexojmë, klikojmë, reagojmë – por nuk kuptojmë më pse.

Në vitet ‘80, teoricieni i mediave Neil Postman paralajmëroi në librin e tij “Amusing Ourselves to Death” se nuk do të na shtypte një diktaturë e dhunshme, por një diktaturë e argëtimit. Dhe kishte të drejtë. Sot po mbytemi në përmbajtje, po e humbasim aftësinë për të dalluar çfarë ka vërtet rëndësi.

Kur inteligjenca s’mjafton më

Edhe pse jemi më të zgjuar kolektivisht, nuk jemi më të mençur individualisht, si njerëz.

Nëse jemi kaq të mençur, pse s’kemi zgjidhur ende varfërinë, ndarjet politike, krizën e klimës, luftërat e pafundme? Pse përdorim inteligjencën për të ndërtuar armë më të sakta dhe jo shoqëri më të drejta?

Mbase sepse inteligjenca pa ndjeshmëri është një motor pa timon. Di të ecë shpejt, por nuk di nga të shkojë. Shkenca të mëson si funksionon bota; emocioni të kujton pse ia vlen të jetojmë në të. Dhe ndoshta, në këtë shekull të mbushur me algoritme, kemi më shumë nevojë për dhembshuri dhe kuriozitet, se sa për IQ më të lartë.

Pra, çfarë jemi sot? A jemi më të mençur? Po. A jemi më të zgjuar? Ndoshta. A jemi më të kuptuar? Jo gjithmonë.

Nëse do ta përkufizonim inteligjencën si aftësinë për t’u përshtatur, atëherë po – njerëzimi po bëhet më i mençur. Por nëse do ta përkufizonim si aftësinë për të jetuar mirë me veten dhe me të tjerët, atëherë kemi ende shumë për të mësuar.

Në fund, ndoshta nuk është çështje e të qenit më i zgjuar apo më budalla, por çfarë bëjmë me gjithë këtë zgjuarsi. Për të ecur përpara, apo si një mënyrë më e sofistikuar për të qenë thjesht… budallenj. / bota.al

 

 

A po bëhemi më të mençur apo më budallenj?

Kemi më shumë dije se kurrë më parë. 86% e njerëzve sot dinë të lexojnë, ndërsa dikur vetëm 12%. Por me gjithë këtë informacion në duar, duket sikur kuptojmë më pak.

Lexojmë më shumë, por mendojmë më pak.

Në një botë ku jemi më të arsimuar se kurrë, duket se mendojmë më pak. Lexojmë më shumë tekste, por thellohemi më pak. Kemi më shumë informacione, por më pak mençuri.

Ne dimë gjithçka për gjithçka – nga politika e Afrikës në recetat e TikTok-ut – por nuk jemi më të sigurt për asgjë. Jemi më të shpejtë, por më të shpërqendruar. Më të lidhur, por më të vetmuar. Në një farë mënyre, po bëhemi më inteligjentë teknikisht, por më të varfër shpirtërisht

A po na bën teknologjia më të zgjuar, apo vetëm më të varur?

Lexo artikullin e plotë në bota.al

#Mendim #Teknologji #Shoqëri #BotaAl #Reflektim #Inteligjencë #Kuriozite

Back to top button