Analiza

AFP: Skandali me korrupsionin e EULEX në Kosovë

eulexShefi i misionit evropian i policisë dhe drejtësisë (Eulex) në Kosovë, Gabriele Meucchi deklaroi ditën e enjte se akuzat për veprime korrupsioni kundra tre drejtuesve të Eulex-it do të jenë objekt i “një hetim i thellë”.
“Ne i marrim këto akuza shumë seriozisht”, ka thënë diplomati italian gjatë një konference shtypi në Prishtinë. Akuzat e bëra nga prokurorja britanike Maria Bamieh kundra prokurores së misionit, çekes Jaroslava Novotna dhe ish gjykatësit të Eulex, italiani Francesco Florit do të jenë objekt “i një hetimi të thellë”. Akuzat  “nuk do të injorohen”, ka insistuar gjatë konferencës së parë të shtypit qysh në momentin që znj. Bamieh bëri të njohur akuzat e saj ditën e martë para shtypit lokal dhe AFP.
Eulex-i sot ka 1.500 nëpunës dhe u ngrit në vitin 2008, disa muaj pasi Kosova  shpalli pavarësinë e saj nga Serbia, me mandatin që të ngarkohej për dosjet e gjykuara shumë të ndjeshme për drejtësinë lokale. Duke iu përgjigjur pyetjes së bërë nga agjencia franceze e lajmeve AFP: “A keni ju dyshime të bazuara sipas të cilave drejtuesit e lartë të Eulex kanë pranuar bakshish për t’i klasifikuar dosje delikate?”, znj. Bamieh u përgjigj: “Po”.
Znj. Bamieh kishte akuzuar znj.Novotna, z. Florit si dhe prokurorin kanadez  Jonathan Ratel se kishte pranuar bakshishe në mjedisin kosovar për të klasifikuar  dosjet. Ajo ka akuzuar gjithashtu z. Ratel, i cili ishte përjekur të pengonte zbulimin e këtyre informacioneve.
Informacione të cilat “do të trondisnin BE-në”
“Unë nuk e di se cilat janë shpjegimet e drejtuesve të akuzuar, por detyra ime si prokuror  është të hetoj këto akuza. Nëqoftëse unë nuk do ta bëja këtë gjë, do të më qortonin se isha implikuar”, ka deklaruar ajo të martën.
Z. Meucchi pohoi se Eulex ishte në dijeni të këtyre akuzave qysh prej vitit  2013 dhe shtoi se misioni dhe “sistemi juridik kosovar kishin kohë që kishin filluar një hetim të përbashkët” mbi këtë dosje.
Një prokuror dhe hetues të policisë janë ngarkuar me këtë dosje, ka sqaruar ai. “Po bëhet një hetim i thellë i cili është në pajtim edhe me angazhimin e Eulex-it në luftën kundra korrupsionit dhe mosndëshkimit”, është shprehur z. Meucchi. “Unë nuk mund të zbuloj se në çfarë stadi është në këtë çast ky hetim kriminal”, ka shtuar ai. Sipas mediave lokale, afro 350.000 euro i janë dhënë znj Novotna dhe z.Florit që ata t’i klasifikojnë dosjet. Znj. Bamieh, e cila bën pjesë në mision qysh nga fillim i vitit 2008, dhe që kohët e fundit ishte shefe e njësisë e ngarkuar për krimet financiare, u pezullua javën e kaluar, disa ditë para se të shpërthente skandali. “Nuk bëhet fjalë për dënim, por për një masë”, që zbatohet në këtë lloj situatash, shpjegoi z. Meucchi. “Ata duan të më dënojnë mua për atë që unë kam zbuluar rastësisht, duke bërë thjesht punën time”, u shpreh znj. Bamieh. Ajo shton se, nëqoftëse informacionet që ajo disponon do të zbuloheshin, ato “do të trondisnin Bashkimin Evropian”. “Po, po, kjo do të trondiste BE-në, sepse kjo organizatë (Eulex) shpërdoron lekët e taksapaguesve dhe nuk bën asgjë për popullin e Kosovës, u shpreh ajo.
AFP

Leave a Reply

Back to top button