Psikologji

Akoma jeton me prindërit? Nuk je lodhur?

Ndërsa vitet kalojnë dhe të gjithë moshohemi, fillojmë t’i shohim gjërat me një këndvështrim tjetër. Nëse fëmijërinë e lidhim të gjithë me shtëpinë prindërore dhe me lojërat deri natën vonë, rininë padyshim do ta lidhim me rritjen, studimet dhe distancimin nga shtëpia prindërore. Mirëpo, nuk po ndodh kështu. Në Shqipëri po vazhdojmë me traditat e hershme të jetesës me prindërit, sado që vitet po kalojnë dhe po moshohemi.
Duket paksa anormale të arrish në një moshë të caktuar, psh 30 vjeç, të kesh mbaruar studimet e larta dhe ende të jetosh me prindërit. E quaj anormale, sepse në shtetet e tjera, si psh në Amerikë, adoleshentët e dinë që sapo të mbushin 18 vjeç, do të largohen nga shtëpia e prindërve. Ndërkohë tek ne, nuk ndodh kjo gjë.
Dhe arsyet nuk duan shumë mundim për t’u kuptuar. Prindërit tanë i përkasin një periudhe që koncept bazë kishte “bukë me kripë e të gjithë bashkë”. Asnjë prind nuk do ta shohë fëmijën e vet të jetojë vetëm larg familjes, shpesh herë pa e kuptuar se në jetesën vetëm, një i ri bëhet më i përgjegjshëm për veprimet e tij.

Gjithashtu, një prind duket sikur del në këtë pikë në kundërshtim të vetes. E them këtë gjë për shkak se njoh shumë raste të tilla. Kur fëmijët i kanë të vegjël, prindërit janë shumë dakord që kur ata të rriten, të jetojnë larg familjes për të pasur lirinë dhe pavarësinë e tyre. Kur fëmijët rriten, ata i konsiderojnë të rinjtë ende fëmijë dhe të papjekur për t’ia dalë vetë mbanë në jetë. Është vetë natyra prindërore e tillë, dhe sidomos në Shqipëri kur vijmë nga tradita të tilla më shumë fëmijë dhe shumë të afërm që jetonin nën të njëjtën çati.

Nga ana tjetër, realiteti i sotëm nuk është se i lejon të rinjve aq shumë lehtësi sa të jetojnë vetëm. Sepse nuk ka të rinj që nuk do ta donin pavarësinë. Nuk ka të rinj që duan ta shohin privatësinë vetëm në një dhomë, shpesh herë të cunguar dhe nga prindërit. Mirëpo, nuk është e lehtë. Eh, sa vështirësi ka jetesa më vete.
Me siguri që shumë nga ne mund të kenë përfunduar një shkollë të lartë. Ato vite i kemi kaluar të distancuar nga prindërit dhe në fund, kur shpresonim të jetonim më vete me një rrogë tonën, jemi kthyer sërish tek prindërit, sepse nuk ia kemi dalë dot mbanë. Askush më shumë se një i ri nuk i njeh këto vështirësi. Shkon të kërkosh punë dhe të kërkojnë eksperiencë, kur ti sapo ke mbyllur studimet. Nëse ke fatin ta gjesh një vend pune, rrogën mund ta kesh më të ulët, sepse nuk ke siguruar vitet e duhura të eksperiencës (burokraci të kota). Ndërkohë në fund të muajit pronari të vjen në shtëpi për qeranë, çmimi i të cilave ka kapur stratosferën në kryeqytet.
Duke i shtuar këtyre problemeve edhe dëshirën e madhe të prindërve për t’i pasur fëmijët pranë, kemi arritur këtu ku jemi sot. Prindërit mendojnë se fëmijët i kanë të sigurt në këtë formë jetese, por ndonjëherë cënojnë padashje edhe privatësinë e tyre. Është e pashmangshme diçka e tillë. Kur jeton në një shtëpi me dikë, normalisht do kërkosh të dish edhe për jetën e tij. Dhe këtu gabojnë ndonjëherë prindërit. Nga dëshira për t’i parë sa më mirë fëmijët e tyre, jo vetëm që cënojnë privatësinë e një të riu, por shpesh herë edhe ndërhyjnë në jetën e tij. Duhet të vendoset një ekuilibër në këtë aspekt. Me bisedë dhe komunikim të mirë midis prindërve dhe fëmijëve mund të arrihet gjithçka. Mund të arrihet të jetohet në shtëpinë e prindërve, pa t’u cënuar privatësia prej tyre. Dhe mbi të gjitha, mund të përballohet shumë më mirë jeta, kur ke mundësinë e këshillimit nga prindërit e tu, të cilët kanë më shumë vite jete dhe më shumë eksperienca.
Më vjen shumë mirë kur shoh të rinj që përpiqen të fitojnë sadopak pavarësi dhe liri, duke kërkuar një punë, duke ndjekur kurse dhe studime për plotësimin e vetes, në mënyrë që në të ardhmen të jenë sadopak të pavarur ekonomikisht nga prindërit. Sepse cungimi më i madh, le ta pranojmë, është ekonomia. Pyete një të ri se si ndihet, kur nuk ka një punë të vetën dhe i duhet të marrë lekë prej prindërve. Pyete një të ri se si ndihet kur shkon në shtëpi dhe sheh rrudhat e prindërve e mendon se ende po i mundon ata, sepse realiteti nuk i ofron atij një punë dhe një mundësi për t’i mbyllur vetë shpenzimet e tij. Ke për t’u çuditur nga mendimet e tyre lidhur me këto aspekte, sepse ne jemi mësuar ta përkufizojmë rininë si brezin e facebookut apo instagramit, si brezin që nuk mendon apo që nuk përpiqet. Nuk është aspak kështu. Çdo i ri i bën vetë llogaritë dhe e di se ku po çalon e ardhmja e tij.
Mua më vjen shumë mirë që prindi shqiptar e mbështet fëmijën e vet në raste të tilla dhe ndihem akoma më mirë kur shoh të rinj që për të fituar pavarësinë e tyre, bëjnë përpjekje të ndryshme vetëm për të plotësuar veten, në mënyrë që e ardhmja t’i rezervojë një jetesë ku pavarësia nuk përkthehet me një dhomë, apo me kërkesat drejtuar prindërve për shpenzime të ndryshme.
Dhe po, akoma me prindërit. Akoma me ata që na dhanë jetën, jo me të huaj. Dhe akoma në përpjekje për plotësimin e vetes dhe të kulturës sonë… / bota.al

Leave a Reply

Back to top button