Analiza

Akti final në skenën e Europës. Tetë burra dhe dy gra vendosin fatet e Greqisë

Screen Shot 2015-07-08 at 11.46.30

Në komedinë e artit, maskat janë pak a shumë gjithmonë të njëjtat. Por recitojnë sipas temës, mbi bazën e një kanavace të thjeshtë. Dhe ndërkohë që ndonjë maskë është gjithmonë e njëjtë me vetveten, të tjerat marrin role që ndryshojnë: ndonjëherë të mirë, ndonjëherë të këqinj, ndonjëherë të pakompromis, ndonjëherë pajtues. Protagonistët europianë të kësaj telenovele greke, që nuk ka fund, nuk bëjnë përjashtim. Janë ata që janë reshtuar një herë e mirë në frontin e fajkonjve, apo në atë të pëllumbave. Dhe të tjerë që recitojnë sipas rastit, duke u përshtatur me situatat dhe nevojat e kanavacës. Rregullat e komedisë së artit parashikojnë dhjetë personazhe: tetë burra dhe dy gra. Ja cilët janë.

François Hollande

Në çështjen greke, presidenti socialist francez, ka qenë kreu më koherent dhe i palëkundur i pëllumbave. I vetmi që në gjithë këta muaj ia ka dalë të mos shfaqë asnjëherë, as edhe shenjën më të vogël të irritimit me Tsiprasin. Trashëgimtar i denjë i Giscard, i cili e donte me çdokusht Greqinë në BE, dhe i Chirac, që shtroi rrugën e hyrjes së Athinës në Eurozonë. Si një francez i mirë, i jep euros një vlerë shumë të fortë si simbol angazhimi për ndërtimin europian. Për këtë arsye, monedha e përbashkët është e tillë vetëm nëse mbetet e pandarë, dhe nuk mund të lejojë që të humbasë copa rrugës. Përtej kësaj, si një socialist i vërtetë, refuzon që të pranojë që konsiderata të pastra kontabiliteti, të bien ndesh me bindjet e tij më të thella politike.

ëolfgang Schaeuble

Eshtë alter egoja e Hollande: pika e referimit ideologjike e fajkonjve. Ministri gjerman i Financave, një eksponent historik i CDU-së, është një mbështetës i bindur i një monetarizmi darvinian, që e sheh euron si një instrument për të shtyrë përpara evolucionin e politikës europiane, drejt majave gjithnjë e më të larta të efiçencës dhe konkurueshmërisë. Ashtu si pothuajse të gjithë gjermanët, ka një koncept “etik” për monedhën e përbashkët: frut i vlerave të përbashkëta dhe të skalitura në traktate. Prej vitesh Schaeuble uron një dalje të Greqisë nga euro. Një politikan shumë i aftë, di të shfaqet pajtues atëherë kur duhet. Por mbetet i bindur që, në fund, do të jetë ai që do ta fitojë ndeshjen në lidhje me Grexit.

Jean Claude Juncker

Babai i zhgënjyer. Dishepull dhe nxënës i Helmut Kohlit, presidenti i Komisionit ka fituar zgjedhjet europiane duke paraqitur një fytyrë të PPE-së, më të ndjeshme ndaj problemeve sociale dhe padrejtësive të politikave të kursimit. E ka pritur Tsiprasin si një djalë: përkëdheli, shaka, fërkim shpatullash. Në gjithë këta muaj është përpjekur të gjejë pika kompromisi më të favorshme ndaj kërkesave greke. Tsiprasi i hodhi në erë tratativat dhe thirri një referendum kundër propozimeve të tij. Juncker u ndie i tradhëtuar. Ka përdorur fjalë të ashpra ndaj Athinës. Por vazhdon të përpiqet të gjejë një marrëveshje.

Matteo Renzi

Mes gjithë maskave të kësaj komedie, është ajo më shumë në vështirësi. Jo vetëm sepse është në krye të vendit që ka borxhin më të madh publik, pas Greqisë, dhe si pasojë mbetet i brishtë, pavarësisht garancive të tij për të kundërtën. Edhe në fushën politike është në vështirësi. NDan shumë ide të Tsiprasit, mbi nevojën e një mirëkuptimi europian, por nuk miraton as metodat dhe as objektivat. Ndan metodat dhe objektivat e Merkelit, por nuk i pëlqen ngurtësia gjermane. Fajkua, kur deklarons e “referendumi është një zgjedhje mes dhrahmisë dhe Euros”. Pëllumb kur, ashtu si dje, siguron se “një marëveshje është shumë pranë”. Tsiprasi i ka kërkuar disa herë që të ndërmjetësojë. Ai e ka bërë, por prapa kuintave. Ia ka lënë Hollande udhëheqjen e pëllumbave. E pamundur t’i japësh të drejtë.

Angela Merkel

Me dy maska. Pëllumbeshë nga karakteri: kërkon gjithmonë marrëveshjen dhe kompromisin. Fajkua për nga kultura: privatisht mbështet vizionin etik dhe darvinian të Schaeubles. Pëllumbeshë për nga detyra: si udhëheqëse europiane, ka përgjegjësinë që të shmangë përçarje dramatike mes shteteve anëtarë. Fajkua për nga interesat: zgjedhësit e saj dhe opinioni publik janë kundër një pakete tjetër shpëtimi për Greqinë. Edhe ajo reciton sipas temës. POr duke bërë kështu, shkruan Historinë.

Christine Lagarde

Gjykatësja e rreptë. “Duhen njerëz të rritur në tryezë”, thotë drejtoresha e Fondit Monetar Ndërkombëtar, për të kritikuar veprimet foshnjarakë të Varoufakisit. Thumbuese kur tregon me gisht papërshtatshmërinë dhe pamjaftueshmërinë e propozimeve greke. Pajtuese, kur thyen tabutë europiane, për të kërkuar një ristrukturim të borxhit të Athinës. Duket se i bindet një logjike ekonomike të hekurt, por sillet mirë dhe me joeuropianët, që i duhen për ta rizgjedhur në krye të FMN. Ndërkohë, deri tani, është e vetmja që nuk i ka marrë paratë që i ka dhënë hua Tsiprasit.

Pierre Moscovici

Pëllumbi i fundit. Socialist dhe francez si Hollande, i emëruar Komisioner i Cështjeve Ekonomike me dëshirën e presidentit francez. Në Bruksel është mbështetës i pozicioneve më pajtues. Besnik i linjës së Parisit.

Jeroen Dijsselboem

Fajkua hezitues. Presidenti i Eurogrupit është socialist, por holandez: nuk është një oksimaron, por i ngjan. I majtë, por supermbshtetës i rreptësisë fiskale. E urrente Varoufakisin. Nuk u beson grekëve. Me zemër do i donte jashtë Euros, ashtu si Schaeuble. Por duhet të ndjekë orientimet që mbizotrëojnë mes grupit të ministrave që kryeson. Edhe sepse, edhe ai, është në kërkim të rikonfirmimit në postin që mban.

Mariano Rajoy

Fajkoi i konvertuar. Kryeministri spanjoll mund të kish qenë fare mirë edhe një pëllumb, i ndjeshëm ndaj sakrificave që u imponuan prej rreptësisë së gjermanëve. Por pasi ato sakrifica, iu desh t’ua imponojë edhe zgjedhësve të tij për të shpëtuar Spanjën, është bërë një mbrojtës i papërkulur i rreptësisë fiskale. Në krye të të konvertuarve me forcë, që përfshijnë portugezët, spanjollët, letonezët dhe sllovenët.

Mario Draghi

Eshtë deus ex machina. Presidenti i Bankës Qendrore Europiane, nuk është as me fajkonjtë dhe as me pëllumbat. Eshtë mbi të gjithë. Jo vetëm prej rolit institucional, por edhe sepse, prej kohësh, fluturon shumë më lart se të gjithë udhëheqësit e tjerë europianë. Në fund, do të jetë ai që do të shpëtojë Athinën, apo do ta shtyjë jashtë Euros. Por, të paktën këtë herë, vendimi do u përkasë politikanëve.

La Repubblica – Bota.al

Leave a Reply

Back to top button